E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, dilemat fillojnë nga trajneri

Një kantier i hapur, ku askush nuk duket se e ka të ardhmen e sigurt. Kjo është gjendja e Tiranës, pas një prej sezoneve më të dështuara në historinë e klubit. Mbyllja e kampionatit në vendin e gjashtë dhe qëndrimi jashtë kupave të Evropës sjellin nevojën për ndryshime radikale në skuadër. Ndryshime që mund të fillojnë nga drejtuesi i stolit. Pikërisht trajneri i sezonit të ri të bardhebluve është dilema e parë që klubi duhet të zgjidhë. Pasi ka mbërritur te Tirana me petkun e "shpëtimtarit" të sezonit, Sulejman Mema nuk gëzon pozita të forta. Edhe pse gëzon mbështetjen e njërit prej donatorëve, rezultatet në fushë dhe situata e brendshme e skuadrës nuk janë nga ana e tij. Por, në përzgjedhjen e teknikut duket se edhe drejtuesit e klubit janë "përçarë". Nga katërshja që sponsorizon 23 herë kampionët është hedhur ideja e rikthimit të Astrit Hafizit. Gjatë qëndrimit 13 javor (e mori drejtimin në javën e pestë dhe u largua në të 18-ën), nuk mund të mohohet se ish-trajneri i kombëtares e ndryshoi fytyrën e skuadrës. Pasi largimit të Starovës, Tirana renditej në vendin e nëntë, ku kishte grumbulluar vetëm 3 pikë në katër ndeshjet e para. Në javën e 18-të, kur u largua pas barazimit 2-2 në shtëpi me Elbasanin, ekipi renditej në vendin e katërt, me 29 pikë të grumbulluara. Por, më i rëndësishëm ishte fakti se ata ishin plotësisht në garë për aktivitetet ndërkombëtare, madje ku pretendonin edhe vendin e dytë (diferenca në atë kohë nga Partizani ishte 5 pikë). Por, dikush tjetër, mes drejtuesve më të lartë bardheblu, ka "piketuar" një tjetër emër për stolin, Krenar Alimehmetin. Ish-lojtari bardheblu, e ka drejtuar skuadrën në të kaluarën, por mbi të gjitha ai e njeh shumë mirë ambientin. "Secili nga donatorët ka preferencën e tij për trajnerin", ka bërë të ditur një burim pranë Tiranës. "Dikush preferon të mbajë Memën, dikush tjetër sponsorizon Hafizin, ndërkohë që është përfolur edhe për Alimehmetin, që me Elbasanin ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë". Përveç trajnerit, ekzistojnë edhe dilemat e lojtarëve. Pas pezullimit të Duros (që ka firmosur në Qipro me Omonian), Vrapit e Sinës dhe largimit të mëparshëm të Nevil Dedes nevojiten lojtarë të tjerë cilësorë për të plotësuar boshllëqet. Rinovimi fillon nga porta, e deri te sulmi, por çdo vendim do të shtyhet deri në zhvillimin e Asamblesë...

Asambleja

Në harkun e pak ditëve, Tirana do të përcaktojë datën e zhvillimit të Asamblesë Zgjedhore. Aty do të vendoset nëse katërshja e donatorëve do të marrë votëbesimin për të vazhduar punën, apo në drejtim të skuadrës do të afrohet ndonjë biznesmen i ri. Nga përfundimi i Asamblesë pritet të përcaktohet rruga e re që do ndjekë klubi dhe kjo është arsyeja përse te Tirana nuk e kanë me "nge". "Brenda javës do takohemi me donatorët për të përcaktuar datën e Asamblesë", tha sekretari i klubit, Eduard Gjini. "Duam që t‘i japim drejtim skuadrës për sezonin e ardhshëm, sepse koha nuk premton". Gjini hodhi poshtë mundësinë e zhvillimit të Asamblesë në fillim të muajit qershor, pasi "duhet të paktën një muaj përgatitje". Sipas gjasave, ajo do të organizohet në gjysmën e parë të korrikut, ashtu si edhe 4 vjet më parë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›