Sandërlend, Lorik Cana lider drejt mbijetesës
Lorik Cana ka dhënë garanci se do të vendosë aftësitë e tij si lider, për të ndihmuar Sandërlendin që të largohet nga zona e rënies nga Premiershipi anglez. Mesfushori 26-vjeçar e ka të qartë se tashmë ka ardhur koha që “macet e zeza” të marrin tri pikët në kampionat, për herë të parë pas 13 ndeshjeve pa fitore. Kjo ecuri ka ulur moralin e skuadrës, por kuqeziu kërkon të jetë i pari që do të luftojë për të rikthyer Sandërlendin. “Në situatën e krijuar, gjëja më e rëndësishme është të mos humbasim besimin”, tha Cana. “është e vështirë, por jemi gati për betejat që kanë mbetur deri në fund të sezonit. Duhet të tregojmë shpirt sakrifice në 4-5 ndeshjet që do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kjo do të mjaftojë. Unë jam një luftëtar, nuk dorëzohem kurrë, megjithatë besoj se edhe ekipi ka shpirt luftarak”.
#