E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni i kroçerave, “Kristina Katerina” mbërrin për herë të dytë në port

DURRËS- Ka mbërritur në portin e Durrësit, për herë të dytë brenda një muaji, kroçera “Kristina Katerina”, e cila ka sjellë 325 turistë finlandezë në bord. Kroçera në fjalë rikthehet në portin e Durrësit për herë të dytë në harkun kohor të një muaji, por ajo ka planifikuar që të prekë edhe pesë herë të tjera portin e Durrësit, deri në majin e vitit të ardhshëm. Kroçera në fjalë është akostuar në kalatën nr. 5 të portit të Durrësit dhe që në mëngjes shumë prej turistëve finlandezë kanë “zbarkuar” në Durrës, për t’u njohur me veçantitë dhe gjurmët e historisë së lashtë të qytetit. Gjatë qëndrimit disaorësh në portin e Durrësit, agjencitë turistike kanë planifikuar për turistët e huaj vizita në qendrat arkeologjike dhe historike të Durrësit, Krujës si dhe në Tiranë. Itinerari i kësaj kroçere ka nisur më 24 prill, duke nisur nga porti i Varnës në Bullgari, ndërsa më pas ajo ka lundruar drejt porteve në Mitilini (ishulli Samuthraki, Greqi), në portet e Patmos dhe Pireut të Greqisë dhe ditën e djeshme ka mbërritur në Durrës. Destinacioni i saj i radhës është porti i Dubrovnikut në Kroaci, për të vazhduar më pas me portet italiane. Burime nga Autoriteti Portual i Durrësit kanë bërë të ditur se kroçera “Kristina Katerina” pritet të vijë në portin e Durrësit me turistë të huaj në datat 12 shtator, 20 dhe 26 tetor të këtij viti, si dhe në 16 prill dhe 3 maj 2012. Në pesë vizitat e saj të ardhshme mendohet se ajo do të sjellë të paktën një numër prej 2 000 turistë të huaj. Kjo është hera e tretë që porti i Durrësit vizitohet nga kroçera turistike. Një javë më parë kroçera “Island Sky” solli 100 turistë britanikë. Porti i Durrësit ka hyrë prej vitesh në itinerarin e kompanive më prestigjioze turistike të Mesdheut. A.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›