E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohet kandidati i së majtës për Sarandën, Stefan Çipa

SHKRUAN: Ervin Haruni 02-05-2011 11:05

Sarandë- Kandidati i Partisë Socialiste në Sarandë, Stefan Çipa, së bashku me dy fëmijët e tij, kanë bërë një denoncim për kërcënim me armë nga disa persona, pas një sherri të ndodhur me persona të tjerë. Ndërsa Policia e Sarandës ka nisur një procedim në gjendje të lirë ndaj Adrian Papagjikës, për akuzën e kanosjes dhe për Odise Çipën, nipin e kandidatit, ka nisur procedimi për “dëmtim me dashje”.

Denoncimi

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë, në një nga lokalet e Sarandës në lagjen nr. 4. Kandidati i “Aleanca për të ardhmen” rrëfen se është kërcënuar nga dy persona të panjohur, ndërsa ishte me dy fëmijët e tij në lokal. Sipas deponimit që ai ka bërë në polici, mësohet se dy personat kanë mbërritur në vendngjarje me një automjet me targa të huaja, duke e kërcënuar për jetën Çipën, me një armë zjarri tip pistoletë. Sipas Stefan Çipës, ai nuk i njihte dy personat, të cilët sipas tij nuk janë qytetarë të Sarandës. Kandidati i së majtës për kryetar i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, e lidh ngjarjen me vizitën e Kryeministrit Berisha në Sarandë.

Policia

Ndërsa sipas Policisë së Sarandës, dy ditë më parë, rreth orës 03:30, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Adrian Papagjika, 43 vjeç, banues në Sarandë dhe Odise Çipa 45 vjeç, banues në Sarandë. Sipas këtij njoftimi për shtyp, mësohet se “procedimi penal ndaj këtij shtetasi ka filluar pas kallëzimit që ka dhënë Stefan Çipa, 52 vjeç, i cili është dhe kandidat për kryetar bashkie. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se rreth orëve të mbrëmjes, në lagjen nr. 4 Sarandë, në bar “Jesa”, gjatë transmetimit të një ndeshje futbolli ka ndodhur një debat midis Adrian Papagjikës, i cili ka qenë i shoqëruar nga disa persona të tjerë, dhe Odise Çipës, i cili është nip i kandidatit për kryebashkiak. Sipas njoftimit për shtyp, ky i fundit ka qenë i shoqëruar nga dy djemtë e Stefan Çipës, Jorgo dhe Marko Çipa.

Më pas në vend ka shkuar edhe vetë kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen” Stefan Çipa. Gjithashtu ka rezultuar se nga debati, personat e mësipërm janë goditur ndërmjet tyre ku ka ngelur i dëmtuar lehtë Adrian Papagjika. Nga kontrollet e ushtruara, pas pretendimit të një kërcënimi me armë zjarri kundrejt Stefan Çipa nga Andrian Papagjika, në automjetin e Andrea Papagjika, si dhe banesat e personave me të cilët ka qenë i shoqëruar Andrian Papagjika, nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm. Nga Policia e Shtetit po hetohet për zbardhjen e plotë në lidhje me shkaqet dhe motivet e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal, dhe për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal ndaj Odise Çipës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›