E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni i ri “Portokalli” rikthehet më 7 mars me të njëjtën trupë aktorësh



Sezoni 2010 i spektaklit “Portokalli” starton më 7 mars në ekranin “Top Channel”, ndërsa publiku është kurioz për të rejat që do të vijnë në këtë sezon. Stafi i këtij spektakli humori dhe trupa e aktorëve, ka punuar gjatë kësaj periudhe pauze për të sjellë të rejat e fundit, që do të jenë shumë karaktere që kanë qenë gjatë sezoneve të mëparshëm. Në këtë sezon do të vijnë çdo javë role të reja, si dhe padyshim nuk do mungojnë personazhet e prezantuara gjatë vitit 2009. Aktorët do të vazhdojnë t’i shkruajnë vetë pjesën më të madhe të teksteve, ashtu siç kanë bërë më parë. Edhe pse është krijuar tashmë një galeri e tërë karakteresh që shpesh hyjnë dhe dalin nga spektakli “Portokalli”, një pjesë të konsiderueshme të shfaqjes do e zënë imitimet e personazheve VIP. Shfaqja do të jetë “live”, të premten dhe të shtunën në sallën pranë ish-ekspozitës, ndërsa të dielën do të transmetohet në mbrëmje në ekranin e “Top Channel”. Stafi është i njëjti dhe përbëhet kryesisht nga regjisori Altin Basha, drejtues Amarda Toska e Agron Llakaj, dhe kostumografe Ilirjana Basha. Në sezonin 2009 trupës së aktorëve iu rikthye aktori korçar Arben Dervishi, i cili kishte luajtur më parë baristin pijanec. Në këtë sezon nuk pati hyrje të aktorëve të tjerë përveç gjashtë aktorëve të rinj që u bënë pjesë e këtij spektakli humori në sezonin 2008, dhe që do të vazhdojnë të luajnë ende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›