E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni i ri politik, nis me diskutime për Reformën Zgjedhore – Test dhe për rolin e PS

22-08-2011 / Gazeta 55

Edhe pse më i freskët nga temperaturat muaji shtator pritet të sjellë zhvillime të nxehta politike. Pavarësisht daljeve publike që nuk kanë munguar në këtë sezon pushimesh duket se mazhoranca e opozita i kanë lënë për në sezonin e ri politik takimet e vendimet që pritet të shënojnë një kthesë në raportet mes tyre. Reforma zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese janë paralajmëruar si beteja e parë mes palëve. Juristë të PD-së e PS-së po hartojnë propozime konkrete për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që nisin nga përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri tek një përcaktim i saktë për sa i përket vlefshmërisë ose jo të votave të hedhura në kutinë e gabuar. Por nëse bashkohen për reformën zgjedhore, ajo çka duket se ndan thellë palët janë ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për opozitën, dhe të pavend sipas mazhorancës. Një grup ekspertësh të PS-së, në konsultim edhe me konstitucionalistë të njohur po përgatisin një paketë propozimesh për ndryshimet kushtetuese që pritet të bëhet publike në muajin shtator.
Por pavarësisht kësaj, kryeministri Berisha sa herë që i është dhënë mundësia ka deklaruar se nuk ka arsye për ndryshimet në ligjin themeltar të shtetit.
Shtatori shënon edhe atë që cilësohet si starti i një kursi të ri politik të Partisë Socialiste i vendosur në asamblenë kombëtare, por që pritet të zbardhet hap pas hapi nga kryetari Edi Rama. Ndërkaq, po në zbatim të vendimeve të asamblesë kombëtare dy grupe pune një për programin politik të PS-së dhe tjetri për ndryshimet në statut kanë vijuar punën edhe gjatë muajit gusht për të hartuar atë që cilësohet si projekti që do sjellë Partinë Socialiste në pushtet. Detajet e para të këtij projekti pritet të zbulohen në fund të shtatorit.
Por veç klasës politike shqiptare surpriza në muajin shtator rezervon edhe OSBE. Në fillim të muajit shtator do të jetë ambasadori i OSBE në Tiranë Eugen Ëollfarth i cili pritet të raportojë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë për zhvillimet politike në Shqipëri. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore të 8 majit, vlerësoi kompetivitetin e procesit, ndërsa shtroi si domosdoshmëri për faktorin politik, hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Reforma Zgjedhore dhe mjaft ligje e projektligje të rëndësishme pritet të jenë në axhendën e politikës me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Mbetet për t’u parë roli i Partisë Socialiste. Mazhoranca reagoi jo më larg se dy ditë më parë, përmes Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke i bërë thirrje opozitës të ulet në tryezën e diskutimit. Sipas mazhorancës, pjesëmarrja konstruktive veçanërisht e opozitës, është treguesi më i mirë për angazhimin e çdo force për të realizuar standardet zgjedhore. Reforma Zgjedhore dhe bashkëpunimi politik, për të janë element të rëndësishëm të vendimmarrjes së BE-së, për dhënien e statusit kandidat të vendit në vjeshtë të këtij viti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›