E Diel, 1 Nëntor 2026

“Aleanca për Qytetarin” fiton në shkallë kombëtare me 140 mijë vota më shumë se “Aleanca për të Ardhmen”

22-08-2011 / Gazeta 55

Me votimin në komunën Shalë, u mbyllën Vendoret, KQZ pritet të publikojë rezultatin përfundimtar

Komuna Shalë e qarkut të Shkodrës, ishte njësia e fundit vendore, në të cilën nuk ishte votuar që prej datës kushtetuese të 8 maj 2008. Mos zhvillimi i procesit të votimit në këtë komunë, por edhe në 9-të komunat e tjera, të cilat e përmbyllën votimin në 31 korrik, mbante peng rezultatin përfundimtar për zgjedhjet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apeloi disa herë për mos bllokimin e procesit, por rrethanat e ndryshme dhe mes tyre edhe motivet politike, çuan në zvarritjen e zgjedhjeve në plot 10 njësi vendore. Pasi u arrit finalizimi në kohë, pas rivotimit në 9 njësi vendore më 31 korrik, përsëri komuna Shalë në Shkodër, për të dytën herë radhazi s’kishte çelur Qendrat e Votimit. Do të duhej, përcaktimi i një tjetër date nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar komune dhe këshillin komunal në këtë njësi vendore. Zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli, dy ditë më parë shprehu shqetësimin e institucionit që administron zgjedhjet, për publikimin e raportit të ODIHR, pa përfunduar më parë procesi zgjedhor. Përgjegjësinë për zvarritjen e procesit ai ia ngarkon partive politike, të cilat në një apo disa raste, janë treguar mos bashkëpunuese dhe në rastin më të keq, kanë çuar në bllokimin e zhvillimit të procesit. Qëndrimi më i plotë nga KQZ për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe raportin e ODIHR, pritet të publikohet ditët në vijim. Kohë kur KQZ do të zyrtarizojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Aktualisht, mazhoranca dhe koalicioni i drejtuar prej saj, “Aleanca për Qytetarin”, është fituese në rang kombëtar me 140 mijë vota më shumë, ndaj koalicionit të majtë, “Aleanca për të Ardhmen”, i cili drejtohet nga Partia Socialiste.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›