E Diel, 1 Nëntor 2026

Me fjalorin e Enverit, opozita po përsërit alternativën “edhe bar hamë dhe n’Evropë s’do hyjmë”

22-08-2011 / Gazeta 55

Reagon Partia Demokratike ndaj përpjekjes së fundit të lakuriqit politik Edi Rama për të keqpërdorur grevën e minatorëve të Bulqizës, për të nxjerrë prej kësaj situate të vështirë, një fatkeqësi që mund t’i prodhojë kapital politik

Partia Demokratike e konsideron një turp të vërtetë praktikën e re të Edi Ramës, atë të “pseudo-editorialeve nga larg”, fjalori i të cilave është identik me mentalitetin e etërve të tij. Zëdhënësja e selisë blu Albana Mustafaraj, tha dje përmes një deklarate për shtyp se Edi Rama ka organizuar prej disa ditësh një sulm të bajatshëm, të mbushur me vrer, fjalë kazani dhe urrejtje ndaj kundërshtarëve politik dhe qytetarëve të vendit. Sipas zëdhënëses së PD, Rama kërkon të mbulojë disfatën e katërfishtë në Tiranë, ndërsa as kjo shuplakë që i dhanë qytetarët s’e ka bindur atë të heqë dorë nga praktika e brezit të parë të nomenklaturës komuniste. “Në një letër tjetër të hapur, z. Edi Rama, shpalos sërish fjalorin dhe mentalitetin e tij identik me të etërve të tij, duke faktuar se as disfata e radhës në zgjedhjet lokale të 8 majit në tërësi, as disfata personale e katërfishtë e z. Rama në Tiranë në këto zgjedhje, nuk e kanë bindur atë të lërë mbrapa të shkuarën. Në pamfletin e tij bajat, të mbushur me vrer dhe fjalë kazani, ndaj kundërshtarit të tij, z. Rama, kryetari i partisë më të madhe opozitare nuk sjell as edhe një propozim të vetëm në interes të jetës së grupit të minatorëve në grevë, duke dëshmuar se ai ka përçmim për qytetarët e këtij vendi” - u shpreh zëdhënësja e PD-së. Ajo vijoi më tej duke shtuar se Edi Rama kërkon të manipulojë vuajtjen dhe dhimbjen e minatorëve si dhe t’i përdorë ata për qëllime politike. “Ai, njëlloj si ata që për llogari të Z. Rama dhe karriges së tij, manipulojnë çdo ditë me vuajtjen dhe dhimbjen e minatorëve, aludon dhe shpreson se do të mundë të përjetojë gëzimin e lajmit të fatkeqësisë së minatorëve dha ta shpallë atë si fitore të madhe të tijën e të Partisë Socialiste” - tha Mustafaraj.
Partia Demokratike i kujton edhe një herë z. Rama se fjalori i tij plot shpifje, sharje e trillime, i huaj për moralin e çdo qytetari, mori më datë 8 maj përgjigjen më të merituar nga qytetarët shqiptarë në tërësi, dhe ata të Tiranës në veçanti, që i rezervuan z. Rama, humbjen personale të katërfishtë më të hidhur të jetës së tij dhe humbjen e radhës më të thellë në shkallë vendi, rrugën e vetmisë së z. Edi Rama. Kryesocialisti Edi Rama s’ndodhet në Shqipëri prej më shumë se 2 muajsh. Pas korrikut të nxehtë në plazhet e Sardenjës, Rama ka zgjedhur të pushojë edhe gjatë muajit gusht, në detërat e nxehtë të Mesdheut, ndërsa mësohet se edhe në këto plazhe hakmarrjen ndaj diellit përvëlues e bën lakuriq. Jo më kot, muaji gusht konsiderohet si muaji i lakuriqësisë së Edi Ramës. Pafytyrësia e këtij të paudhi s’njeh limit, nivel dhe balancë. Në mënyrë të turpshme, në dy javë njëra pas tjetrës, i është drejtuar shqiptarëve me një paçavure - editorial, ku derdh lot krokodili dhe shtiret sikur është pranë qytetarëve dhe “vuajtjes” së tyre. Turpin e madh, ky i pabesë e arriti me pseudo-shkrimin e botuar në disa prej mediave të kontrolluara nga selia rozë, por jo vetëm, ku tentonte të manipulonte mungesën e tij në realitetin shqiptar, duke iu bashkuar dhimbjes së minatorëve. Dokrra dhe mashtrime të paskrupullta që vijnë nga ekzistenca e një nekro-politikani në të majtën politike. Pikë së pari, Edi Rama duhet t’i shpjegojë minatorëve se pse u kujtua për ta atëherë kur greva e urisë kishte marrë fund dhe kur parashikohej arritja e kompromisit me kompaninë që i ka pajtuar si punëdhënës? Zotëria në fjalë, lidershipi i të majtës politike dhe kryetari i Partisë Socialiste jo vetëm që s’është i denjë për të përjetuar hallet dhe shqetësimet e qytetarëve, por në rastin më të zi tenton t’i përdorë ato që qëllime të ngushta politike. Të njëjtën praktikë ndoqi edhe për raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR. Editoriali i tij i famshëm s’ishte gjë tjetër veçse një trakt kundër misionit të vëzhguesve dhe përfaqësive ndërkombëtare në Tiranë.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›