Mbyllen pa incidente votimet në komunën Shalë – përfundon saga e Vendoreve 2011

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm nisi procesi i votimit në komunën Shalë të Qarkut Shkodër. Votimi eci normalisht në të pesë qendrat e votimit ku u vendos nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të rivotohej, për shkak se në 8 maj, materialet zgjedhore mbërritën me 6 orë vonesë në Shalë. Emri i kryetarit të komunës do të dalë nga gara që u zhvillua mes përfaqësuesit të “Aleancës për Qytetarin” Dedë Tonaj dhe rivalit të tij Bal Vuksani nga koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”. Rezultatet pra pritet të komunikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë orëve të para të ditës së sotme. Deputetë të të dy partive kryesore kanë qenë prezentë gjatë gjithë ditës, për të ndjekur procesin.
Për zgjedhjen e kryekomunarit të Shalës, votuan 2820 zgjedhës. Votimi zgjati deri në orën 19:00, ndërsa më pas të gjitha Qendrat e Votimit u mbyllën, për të konkluduar me transportimin e kutive të votimit drejt KZAZ-së nr.43, në Shkodër.
Zgjedhjet e mbajtura më 8 maj në këtë komunë u shpallën të pavlefshme nga KQZ, e cila kërkoi përsëritjen e tyre më 31 korrik. Por, mosmarrëveshjet mes përfaqësuesve të dy partive, PD dhe PS, penguan zhvillimin e procesit, i cili u shty për më 21 gusht.
Zgjedhjet
Komuna Shalë votoi dje për herë të parë për kryetarin e komunës dhe këshillin komunal. Pasi kishte dështuar dy herë radhazi më 8 maj dhe 31 korrik, të dielën e 21 gushtit, komuna e “famshme” e qarkut të Shkodrës që i përket KZAZ-së nr.42, çoi deri në fund procesin e votimit, i cili kishte nisur në orën 08:00. Ora 19.00 e mbrëmjes shënoi mbylljen e procesit zgjedhor në këtë komunë dhe 1800 votuesit e kësaj komune votuan për kandidatët e dy forcave më të mëdha politike, Dedë Tonaj i PD-së dhe i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, i cili kandidon për një mandat të tretë dhe Bal Vuksani i PS-së dhe i mbështetur nga koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen”.
Që nga ora 08.00 e mëngjesit, kur nisi procesi i votimit në të pesë Qendrat e Votimit, ai u zhvillua normalisht dhe pa asnjë incident. I vetmi moment për t’u theksuar ka qenë ai i orës 09.30, kur për arsye teknike, procesi i votimit në qendrën e votimit që përfshin fshatin NënMavriç, u bllokua përkohësisht, për të rinisur mbas 30-të minutash, pas sqarimit të problemeve në KZAZ. Procesi i votimit është ndjekur nga afër edhe nga përfaqësuesit e të dy kampeve politike, ku nga krahu i djathtë ka qenë kryetari i Partisë Demokratike për Shkodrën dhe deputet i kësaj zone, Astrit Bushati, i shoqëruar nga kolegu i tij në Parlament, deputeti Gjok Uldedaj, ndërkohë që nga krahu i majtë, kanë qenë deputetët Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj. Pas orës 19:00 kur është mbyllur procesi i votimit, baza materiale e të pesë Qendrave të Votimit, e shoqëruar nga forcat e policisë është nisur drejt qytetit të Shkodrës, ku pasi u mor në dorëzim, nisi procesi i numërimit të votave, duke përcaktuar në orët e para të mëngjesit edhe fituesin e kësaj komune.
Deklarata e Policisë: Procesi i votimit në komunën Shalë, i qetë dhe pa incidente/Strukturat e Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Shkodrës vazhdojnë të jenë në gatishmëri të plotë për ruajtjen dhe sigurimin e rendit e qetësisë publike gjatë përsëritjes së procesit zgjedhor në komunën malore të Shalës, duke zbatuar me korrektësi ligjin për përmbushjen e detyrimeve në përputhje me Kodin Zgjedhor te Republikës së Shqipërisë. Zëdhënësja e policisë së Shkodrës, Fatbardha Çelepia, bëri të ditur se “gjatë gjithë ditës së sotme, procesi i votimit në 5 Qendrat e Votimit të komunës së Shalës, u zhvillua normalisht, duke mos u shënuar asnjë problem apo incident”.
Në njoftim thuhet se “në orën 19.00, me përfundimin e procesit të votimit, punonjësit e policisë janë të angazhuar në shoqërimin i materialeve zgjedhore për në KZAZ-në përkatëse”. Gjithashtu nga ana e shërbimeve policore të Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër janë marrë të gjitha masat konform ligjit, bazuar në Kodin Zgjedhor te Republikës së Shqipërisë, për ruajtjen dhe sigurimin e qendrës së numërimit të votave, ku mbërritën dhe materialet zgjedhore.