Celulat radikale, e vetmja rrugë mbijetese e Edvinit
S’ka më pikëpyetje për sjelljen politike të opozitës gjatë sezonit të vjeshtës. Protagonizmi i klanit radikal, i atyre njerëzve që po kërkojnë që kongresi i 5 nëntorit të kthehet në një kasaphanë partiake po konfirmohet si e vetmja rrugë që mund ta mbajë Edi Ramën në krye të PS-së, të paktën deri në 2013-n. Deri në zgjedhjet e tjera, duket e pamundur që me këto celula të ketë dialog apo edhe që të miratohen reformat që kërkohen nga BE-ja
Radikalizmi është streha e fundit e Edi Ramës për të mbijetuar në politikë. Mos kapërdija e humbjes së shumëfishtë elektorale më 8 maj të këtij viti, si dhe aktivizimi i përplasjeve të brendshme në PS, e kanë kthyer të majtën politike në një gangrenë sherri. E gjitha në PS i ngjan një ngrehine të pashpresë dhe që nga momenti në moment mund të shërbejë si “bombë me sahat”. Nga njëra anë një pjesë e mirë e kryesisë socialiste dhe anëtarë të rëndësishëm të saj si Arben Malaj, Andis Harasani dhe Kastriot Islami, janë zërat e fuqishëm që paralajmërojnë shkatërrimin e Partisë Socialiste nga diktatura “Rama”. Por njëherazi përfaqësuesit e “mendimit kritik” shprehin rezerva për qëndrimin e mbajtur nga kryesocialisti, i cili në dy palo-editoriale është shprehur me tone të larta konfliktualiteti, duke kërcënuar rendin demokratik dhe ligjor në vend. Zanafilla e të gjithë kësaj, është e kuptueshme, vjen nga mbizotërimi i frymës përçarëse dhe konfliktuale që, Edi Rama vazhdon të përhapë në opinionin e gjerë politik dhe mediatik. Në brendi të vapës përvëluese të gushtit, Edi Rama mësyn drejt gjetjes së celulave të konfliktit dhe trazirave, me qëllim zëvendësimin e huliganizmit të Londrës dhe lagjeve të saj me atë të Tiranës dhe periferisë. Gjetja ishte e kuptueshme në letër-editorialin e fundit, ku Edi Rama, me natyrën e tij maskiliste dhe harbute, derdhte lot krokodili për shëndetin socialekonomik të minatorëve si dhe ‘ngriti’ në krye të platformës së objektivave kundër pushtetit, reprezaljen për të drejtat e mohuara të minatorëve dhe shtresës tjetër të punëtorëve. Në sens krejt të kundërt me sistemin demokratik dhe ekonominë e tregut. Dukshëm kuptohet mungesa e aftësive të komunikimit si dhe dashakeqësia për të shkatërruar çdo sistem politik apo ekonomik që nuk kënaq interesat e kleptokratëve të trashëguar nga sistemi i kalbur komunist. Lidershipi socialist bën gafën e madhe kur tenton të përligjë në mënyrë mafioze ndërhyrjen e qeverive në jetën ekonomike të vendit, veçanërisht në tregun e gjallë, prodhues dhe punësues të qindra e mijëra qytetarëve të këtij vendi. Por, ky është një hap kërcënues i qëllimshëm që synon të krijojë dis-eficencën e prodhimit ekonomik si dhe shtrydhjen e tregut, në mënyrë që ekonomia më e shëndetshme e Evropës të bjerë në kolapsin e zhvatësve ‘enveristë’. Fryma radikale sigurisht që do tentojë fillimisht përmes konflikteve reale në sallën e Kuvendit dhe më gjerë, për të zbritur në udhën e rrugëve dhe rrugicave. Lançimi i trazirave dhe kërcënimi i kryesisë socialiste me frymë radikale, edhe pse s’gëzon mbështetjen e gjerë brenda Partisë Socialiste, përsëri Edi Rama ka shpresa të gjalla te çetnikët e tipit Tahiri, Ruçi, Bushati apo edhe të tipit të 99-shave të Veliajt. Platforma e radikalizmit, sigurisht që synon dhe tenton me çdo kusht të zvarrisë procesin e integrimit si dhe të cenojë standardin ekonomik dhe social të qytetarëve shqiptarë. Edi Rama këtë uron dhe shpreson. Një Shqipëri e vonuar në kursin e integrimit Evropian, është gjithnjë e më e lakmuar nga pinjollët e diktaturës komuniste nën veprimin e platformës Leniniste, si përgjakje rrugësh, falimentim të sistemit ekonomik, të atij bankar dhe social si dhe instalimin e diktaturës së kriminelëve që urojnë anarshi