E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni më interesant

Njohësit e futbollit kosovar paralajmërojnë se sezoni pranveror i Superligës do të jetë ndoshta më interesanti në periudhën e pasluftës. Kjo, posaçërisht për faktin se sivjet shumë skuadra pritet të luftojnë rreptësisht për titullin e kampionit, kurse shumë të tjera për mbijetesë. Ata e shohin Prishtinën si më favorite për ta rrëmbyer titullin e më të mirit, derisa KEK-un, Gjilanin, Lepencin e Lirinë i konsiderojnë si ekipet më të rrezikuara për të rënë nga elita.

Të premten nis sezoni pranveror i garave të Superligës së Kosovës në futboll, me takimin mes Prishtinës e KEK-ut.

Ky sezon pritet të jetë shumë interesant, ndoshta si asnjëherë më parë, shkaku i shumë arsyeve, e posaçërisht për faktin se sivjet shumë skuadra janë në luftë të rreptë për titullin e kampionit, kurse shumë të tjera objektiv e kanë mbijetesën në elitë.

Kështu thonë njohësit e mirë të futbollit kosovar. Sipas tyre, ky fakt do të ndikojë që sivjet ‘manipulimet’ me ndeshje të jenë minimale, pasi viteve të kaluara përflitej me të madhe rreth kurdisjes së rezultateve, ngase numri i ekipeve që luftonin për titull të kampionit ishte simbolik, derisa shumë ekipe herët e siguronin mbijetesën, me ç’rast shumë ndeshje kampionale etiketoheshin si të kurdisura.

Strategët kosovarë paralajmërojnë se pesë skuadrat që aktualisht prijnë në tabelën e klasifikimit - Prishtina, Drita, Trepça ‘89, Vëllaznimi e Hysi - do të bëjnë luftë të madhe për titull të kampionit. Por, si më favorit, ata e konsiderojnë Prishtinën, sipas të cilëve do të ndiqet hap pas hapi nga Trepça ’89.

Ndërkohë, ata thonë se prej Besës, që aktualisht gjendet në vendin e gjashtë të renditjes tabelore, e gjitha ekipet tjera do të luftojnë deri në fund për ta siguruar mbetjen në Superligë. Por, si ekipe më të rrezikuara ata i konsiderojnë KEK-un, Lirinë, Gjilanin e Lepencin.

“Garat e pranverës gjithmonë janë më interesante sesa ato të vjeshtës, pasi janë ndeshjet e fundit. Sivjet do të jetë më interesant, shkaku i luftës së madhe për titull e mbijetesë. Unë mendoj se Prishtina është favoriti kryesor për titull, por do të ketë konkurrencë të fortë nga Trepça ’89, Drita, Hysi e Vëllaznimi. Kurse mbijetesën do ta sigurojnë ekipet që kanë organizim të brendshëm më të mirëfilltë”, deklaroi për Express trajneri i njohur, aktualisht i lirë, Hysni Maxhuni.

Njëjtë shprehet edhe trajneri prizrenas Erdogan Celina. “Do të jetë një sezon interesant. Prishtinën e shoh favoriten kryesore. Por, përvoja e Trepçës ’89, e udhëhequr nga Rafet Prekazi, dhe ajo e Hysit, më bën t’i favorizoj këto dyja më tepër sesa Dritën e Vëllaznimin. Kurse për mbijetesë ekipet më të rrezikuara i konsideroj KEK-un, Gjilanin, e Lepencin, por edhe Lirinë”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, Gani Sejdiu heziton ta favorizojë Prishtinën për titullin e kampionit, pasi nuk është i sigurt nëse trajneri i saj, Wolfgang Jerat, do të mund të gjendet siç duhet në mentalitetin e futbollit kosovar.

“Prishtina me Ramiz Krasniqin ishte favorite. E tillë do të jetë edhe me gjermanin Wolfgang Jerat, megjithëse mbetet të shihet se si do të reagojë ai me ekipin e tij në futbollin kosovar, ani pse është trajner shumë cilësor që vjen prej një shteti me futboll shumë të zhvilluar. Por, Prishtina do të ndiqet seriozisht nga Trepça ’89, Drita, Vëllaznimi dhe Hysi”, theksoi trajneri i njohur mitrovicas.

“Skuadrat më të rrezikuara i shoh KEK-un, Lirinë e Gjilanin, pastaj vjen Lepenci, kurse Besa, Drenica e Trepça, me përforcimet e bëra dhe me organizimin e bërë, mendoj se nuk do ta kenë aq problem për të mbijetuar për dallim prej atyre ekipeve tjera”, përfundoi ai.

Ata besojnë se sivjet edhe niveli i cilësisë së ekipeve do të jetë më i lartë dhe më i baraspeshuar, pasi që një kohë bukur të gjatë kanë zhvilluar përgatitje dhe ndeshje miqësore për këtë sezon, e po ashtu janë përforcuar me numër të mëdhenj të futbollistëve kualitativë. Në ngritjen e cilësisë, ata besojnë se do të ndikojnë edhe disa trajnerë të dëshmuar, që gjatë dimrit u angazhuan nëpër ekipe të ndryshme të elitës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›