Shevçenko mund ti bashkohet Salihit
Sulmuesi i shquar ukrainas, Andri Shevçenko, pritet të vazhdojë karrierën në kampionatin amerikan të futbollit (MLS). Lajmi bëhet i ditur nga mediat në SHBA dhe Ukrainë, teksa ylli i Dinamos së Kievit ka vendosur që të shkojë në Amerikë gjatë sezonit të ardhshëm. E veçanta është se Shevçenko mund të bëhet pjesë e skuadrës DC Junaitid, ku aktivizohet aktualisht sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi. Klubi me më shumë trofe në futbollin amerikan synon ish-lojtarin e Milanit, por më parë duhet të fitojë garën me skuadrat e tjera të MSL-së. Përveç DC Junaitid, interes konkret për Shevçenkon kanë shfaqur edhe klube të tjera, si Los Angeles Galaksi dhe Red Bulls. Te këto skuadra aktivizohen yje të futbollit europian, si David Bekam dhe Tieri Henri. Megjithatë, ekzistojnë mundësi që DC Junaitid të bindë ukrainasin, i cili do të formonte dyshen e sulmit me Salihin. Ky i fundit ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare për 3 milionë euro. Zyrtarisht, Salihi do të debutojë me DC Junaitid nesër, pikërisht në përballjen ndaj Sporting Kansas, që luhet në 03:00 të mëngjesit. Ndërkohë, në turneun “Korlina” të zhvilluar pak ditë më parë, Salihi shënoi dy gola, duke ndihmuar ekipin të fitojë.