Vetëbesimi i Jeratit
Njëherësh kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare e trajnerit gjerman Wolfgang Jerat, në krye të shtabit teknik të Prishtinës, skuadër kjo që sezonin vjeshtor e pati përmbyll si lider i tabelës nën udhëheqjen e Ramiz Krasniqit.
Jerat beson se djelmoshat e tij do ta nisin me fitore sezonin pranveror, derisa është optimist se pozita e parë e tabelës do t’i takojë ekipit të tij deri në fund të kampionatit. Gjermani është optimist se ekipi i tij do ta festojë 90 vjetorin e themelimit me titullin e kampionit.
Por, ai frikësohet vetëm nga gjyqtarët, për të cilët thotë se mund t’ia cenojnë pozitën e parë ekipit të tij. Mirëpo, Jerat pohon se është përgatitur për t’i mposhtur edhe gjyqtarët, nëse ata tentojnë t’ia dëmtojnë ekipin.
“Jemi përgatitur jashtëzakonisht shumë nga muaji dhjetor, pavarësisht dimrit të vështirë. Jam i vetëdijshëm se secili klub që do të luajë ndaj nesh, do të bëjë çmos që të na mposhtë. Por, jam i përgatitur mirë për ato sfida. Madje jam i përgatitur t’i mposhtim edhe gjyqtarët, nëse ata tentojnë t’u ndihmojnë kundërshtarëve duke na dëmtuar neve”, ka deklaruar Jerat.
Në anën tjetër, KEK-u ndaj Prishtinës do të paraqitet me shumë mungesa, pasi disa lojtarë janë të lënduar e disa të tjerë kanë probleme tjera shëndetësore. Andaj, ata janë shprehur të vetëdijshëm se nuk do ta kenë të lehtë t’i bëjnë ballë favoritit kryesor për titull.