E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Fletët e votimit? Jo kompromis për tekat e Ramës

Qëndrimi Deputeti i Partisë Demokratike bën të qartë se deri ku mazhoranca do të tolerojë për hetimin

Para fillimit të negociatave palët nisin presionin ndaj njëra-tjetrës për të përfituar maksimumin dhe për të penguar atë cak që ata e cilësojnë “të paprekshme”. Kështu, mazhoranca i ka bërë të ditur se nuk do të lëshojë që të zhvillohet një procedurë e ndryshme me fletët e votimit nga ajo që përcaktohet në një nen të Kodit Zgjedhor, pra digjen nën mbikëqyrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht deputet aktiv i mazhorancës, Enkelejd Alibeaj, ka bërë të ditur se kjo pikë nuk ka nevojë për kompromis, sepse parashikohet në ligj. Duke folur për mediat, Alibeaj ka sulmuar kreun e opozitës, pikërisht për këtë pjesë që kërkojnë socialistët. “Në qoftë se PS ka një peng me të shkuarën, kryetari i saj ka një peng. Duke i treguar të vetëve se vërtet ai një kauzë e çon deri në fund, duhet ta dijë se kjo është çështje që deri në këtë farë mase ka degraduar”, u shpreh Alibeaj për “Alsat”. Unë, vijoi ai, besoj që teka të tilla nuk duhet të plotësohen, do të respektohet Kushtetuta, ligji, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Kodi Zgjedhor dhe ai nen, dhe brenda kësaj hapësire ligjore zoti Rama të gjejë mundësitë e veta për të kamufluar humbjen e vet në këtë proces negocimi. Sakaq, sipas mazhorancës, edhe në rast se realizohet një ndërhyrje e tillë në Kod, pra mund të anulohet djegia, mbetet ende në pikëpyetje nëse do ketë fuqi prapavepruese për zgjedhjet e 2009-s. Ndërkohë, një ofertë e përhershme e mazhorancës është komisioni hetimor parlamentar, i cili mund të ngrihet dhe në një format të ri.

“Nëse PS tashmë mendon se me anë të komisionit hetimor mund të bëhet transparencë, kjo është e sigurt, të ngrihet komisioni hetimor. Ligji aktual, jo ai që donin të ndryshonin ata, ua jep të drejtën dhe një deputeti të vetëm, ai ka të gjitha mundësitë të bëjë transparencë të gjerë, të gjatë, të thellë dhe çfarëdolloj dimensioni”, nënvizoi Alibeaj. Në fakt, opozita ka kërkuar ndryshimin e ligjit aktual për komisionet parlamentare, duke e vendosur në ligj çështjen e kutive, por rezistenca e mazhorancës ka qenë e fortë, që solli dhe prishjen e klimës së kompromisit dhe tërheqjen e nismave ligjore më 19 mars.

Kodi Zgjedhor në fakt ka vetëm një nen të tijin për ruajtjen e dokumentacionit zgjedhor. Bëhet fjalë për nenin 178, por nuk dihet se pse hartuesit e tij kanë vendosur këtë hapësirë të vogël për një gjë kapitale siç janë provat e votave të shqiptarëve. Në pikën 6 të nenit 178 jepet në mënyrë të shkurtër dhe ajo pikë për të cilën mazhoranca po reziston: “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”. Por mënyra sesi merren nga arkiva këto materiale zgjedhore apo sesi ato organizohen ende nuk përcaktohet në mënyrë të detajuar. Në këtë aspekt pritet të zhvillohet dhe beteja më e ashpër në mes ekspertëve të mazhorancës dhe opozitës. Shumica në pushtet, do të përpiqet që të “blindojë” mënyrën e përdorimit të materialeve në masë dhe pa përcaktim të detajuar, ku pritet të ketë mjaft kufizime.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›