"Sfida 2", arrestohen në Greqi 2 të kërkuarit e bandës

Nga një aksion ndërkombëtar janë arrestuar në Greqi dy të kërkuarit e bandës të rrezikshme të grabitësve, disa prej të cilët u arrestuan një ditë më parë në Vlorë.
Kështu në vijim të operacionit të koduar "Sfida 2", të ndërmarrë nga Policia e Vlorës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Interpoli janë arrestuar në Igumenicë të kërkuarit e bandës të grabitësve dhe përkatësisht shtetasit me inicialet B. Arapi dhe V. Mili.
Ditën e djelë, Policia e Vlorës nisi arrestimet për një grup të rrezikshëm grabitësish. Banda grabiste kazinotë, lojrat e fatit dhe pikat e karburantit. Deri më tani, uniformat blu kanë arrestuar 6 persona, ndërsa një person, pjesë e kësaj bande, është ende i lirë.
Policia shpërndau edhe një video të grabitësve në një kazino ku shihej qartë mënyra se si grabitësit hynin brenda kazinosë dhe me kërcënimet e armëve merrin shuma parash, duke ngjallur edhe panik tek punonjësitë e kazinosë.