E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida Obama për Europën: lojtar apo spektator?



Midis miqve të mi evropianë (këtu përfshij edhe britanikët), detyra e Barack Obama-s përshkruhet thjesht. Së pari, duhet të mos luajë më me fuqinë e Amerikës; pastaj, duhet të dërgojë forcën ushtarake të pashoqe të vendit të tij për të zgjidhur problemet e gjithfarësojshme të botës. Po të këshillohet me kujdes, Z.Obama mund të jetë i sigurt se aleatët do t'i japin më të mirën e tyre: ata do ta brohorasin me sa u ha zëri duke ndenjur të sigurt në prapaskenë.

Shumë është folur kohët e fundit se bota, por Evropa, në veçanti, është e destinuar të zhgënjehet me Z. Obama. Për mendimin tim, do të ishte më e udhës të pritej të paktën deri sa ai të ketë bërë betimin, përpara se të humbasim besim tek ky politikan i shquar. Por, në rast se flasim për zhgënjim, është me vend të pyesim se në cilën anë të Atlantikut do të zbarkojë ai së pari.

Duke parë dobësinë e reagimit të Evropës ndaj ndërprerjes kohët e fundit të furnizimit me gaz nga Rusia, apo dërgimin në Lindjen e Mesme të delegacioneve që garojnë me njeri tjetrin, njeriu pyet veten se mos vallë Evropa po ia humb durimin Obamës shumë më përpara se administrata amerikane të akuzohet se po i lë në baltë miqtë saj.

Mesazhet në Evropë janë të përzierë përpara bujës së inaugurimit që do të mbahet javën tjetër. Publikisht, politikbërësit flasin për ripërtëritjen e Aleancës së vjetër transatlantike; privatisht merakosen se pritshmëritë për të janë kaq të larta, sa që me siguri do të shkërmoqen.

Udhëheqësve evropianë iu duhet ende të zgjidhin atë që me të drejtë Obama mund të presë prej aleatëve të tij. Përqasjen evropiane në dukje të njëjtë ndaj sigurisë së tepruar të Rusisë, vallë? Politikën ndaj konfliktit Izrael-Palestinë, i cili e kalon atë që Lord Pasten, ish komisioneri për punët e jashtme evropiane, dikur e ka quajtur një strategji solemne të "marrjes pjesë në mbledhjen e Katërshes"?

Prapa kësaj qëndron një ambivalencë më e thellë rreth rolit të Uashingtonit. Shumica e evropianëve duan që ShBA-ja të vazhdojë të ushtrojë udhëheqjen globale. Alternativat, në fund të fundit, nuk janë tërheqëse. Kundërthënia gjendet tek paralajmërimet: Uashingtoni nuk duhet t'i sfidojë ndjeshmëritë evropiane apo t'u kërkojë aleatëve më shumë seç duhet.

Pra, ndërkohë që vendimi i Obamës për t'u tërhequr nga Iraku fiton duartrokitje universale, vendosmëria e tij për të përforcuar përpjekjen e NATO-s në Afganistan është një shkak për paralajmërim. Një prej refreneve që kam dëgjuar shpesh gjatë javëve të fundit është se, presidenti i ri nuk mund të presë që Evropa të dërgojë më shumë trupa në Afganistan përderisa nuk ka ende një strategji të besueshme politike. Ky duket një kusht mjaft i arsyeshëm. Më shumë se gjashtë vjet pas rrëzimit të Talibanëve, Afganistani vazhdon të mbetet një katrahurë. Por, si do të përgjigjeshin, të themi Gjermania dhe Italia, në rast se Z.Obama e merr në dorë punën dhe del pikërisht me një plan të tillë strategjik?

Nuk dëshiroj të jem më shumë se duhet pesimist. Ka një vullnet të mirë në të dy anët. Hillary Clinton, në pritje të konfirmimit për postin e Sekretares së Shtetit, u paraqit me një qëndrim të sigurt gjatë seancës së konfirmimit në Senat këtë javë. Ndonëse ajo foli në përgjithësi, mendimi i mirëpritur në gjithë botën ishte se, ajo më shumë kërkon të fitojë për Amerikën miq, se sa armiq.

Pavarësisht kundërthënieve që përmenda më sipër, në një konferencë të shkëlqyer të organizuar në Uashington nga Aspen Italia munda të kap të njëjtin ton entuziast. Udhëheqësit evropianë dëshirojnë të marrin pak prej hirit të Z.Obama. Edhe në brendësi të tyre, ata e pranojnë se, në rast se duan që t'i marrin seriozisht në Shtëpinë e Bardhë, duhet të paguajnë për biletën e hyrjes aty. Popullariteti i Z. Obama midis elektoratit evropian, duhet t'ua bëjë të lehtë punën qeverive që t'i gjejnë ato para.

Ka një mori arsyesh të mira përse Evropa dhe ShBA-ja duhet të përpiqen të ndërtojnë një aleancë të re. E vërteta thelbësore gjeopolitike e viteve të ardhshme do të jetë erozioni në rritje i hegjemonisë së kollajshme që perëndimi ka ushtruar mbi çështjet globale gjatë dy shekujve të shkuar. Nuk mund të ketë një kohë më të rëndësishme për të propaganduar vlerat që ai ka mishëruar në rendin e tanishëm multilateral.

Ajo që Amerika dhe Evropa nuk mund të bëjnë, gjithsesi, është që ta nisin aty ku e lanë tetë vjet më parë. Një komunitet i bashkuar transatlantik duhet ndërtuar mbi tre shtylla.

E para është përulja. Në rastin e Amerikës, kjo do to thotë të pranojë faktin se pushteti i saj është i pamjaftueshëm, por edhe i domosdoshëm në përpjekjet për të krijuar një rend të qëndrueshëm botëror. Aleatët janë një burim i qenësishëm legjitimiteti.

Nga Evropa kërkohet që të pranojë se bota post-moderne e multilateralizmit të butë, që disa pandehnin se do të kalonte pas rënies së murit të Berlinit, nuk mundi të materializohet. Lufta amerikane në Irak duhet ta ketë vënë në provë deri në shkatërrim efikasitetin e forcës ushtarake të njëanshme. Por, që nga 1998, ngjarjet kanë treguar gjithashtu se pushteti normativ, apo i butë, është një përgjigje e papërshtatshme ndaj konflikteve dhe trazirave. Evropa duhet të pranojë të marrë një pjesë më të madhe të barrës së veprimit.

Shtylla e dytë është realizmi – një marrëdhënie e fortë mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e një vlerësimi të ndershëm të së mundshmes. Aleanca e vjetër e luftës së ftohtë nuk mund të ringjallet. Pa rrezikun ekzistencialist të Bashkimit Sovjetik, aleanca e re është shumë më tepër një aleancë zgjedhjeje, se sa dëshire. Interesat amerikane të sigurisë, siç shkroi Zbgniew Breziznski, në këtë gazetë në fillim të javës, kanë kaluar në Azi dhe në Lindjen e Mesme. Evropianët, nga ana e tyre, ndihen më pak të detyruar të strehohen nën ombrellën bërthamore amerikane. Kështu që, do të ketë raste të shumta kur perspektivat strategjike do të ndryshojnë midis tyre.

E megjithatë, pothuaj në çdo listë kërcënimesh dhe sfidash – që nga ndryshimi i klimës dhe përhapja e armëve, deri tek konflikti në Lindjen e Mesme, nga Afganistani dhe al-Qaeda, deri tek qëndrimi armiqësor i Rusisë - ka një përkim të çuditshëm interesash. Ajo që kërkohet është vullneti politik për ta mbajtur këtë mirëkuptim në qendër të marrëdhënieve.

Parakushti i tretë është imagjinata. Instinkti i politikanëve dhe politikbërësve është që çështjet t'i vendosin në kullën e silosit: këtë javë është Lindja e Mesme, Rusia javën tjetër, Irani për javën e ardhshme; ndryshimi i klimës dhe mospërhapja e armëve mund të presë një ose dy muaj. Këtu sfida është të pranohen kompleksitetet dhe të bëhen lidhjet. Dhe jo vetëm ato të dukshmet, si ajo midis ekstremizmit islamik në Pakistan dhe luftës në Afganistan, por përgjatë një harku më të gjerë gjeopolitik. Çfarë stimuli do të kishte, të themi Kina, për të luajtur rolin e aktorit të interesuar të përgjegjshëm në përpjekjet për të parandaluar Iranin bërthamor, kur ShBA-ja dhe Evropa refuzojnë të marrin pjesë në ndarjen e pushtetit në institucionet globale?

Aleanca e vjetër nuk ka qenë kurrë aq e përsosur sa na duket ndonjëherë kur e shohim në retrospektivë: kurse realitetet e pakëndshme në një botë ku pushteti po shkon drejt Lindjes, tregojnë se gjërat nuk mund të jenë më kurrë siç kanë qenë. Kjo nuk është një arsye që të mos shfrytëzohet një mundësi si kjo e tanishmja.

Shqipëroi Engjellushe Shqarri

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›