BIJ FUSHATASH E RRETHIMESH
Shpallja e datës së zgjedhjeve të reja e ka futur vendin pothuaj zyrtarisht në fushatë elektorale. Nëse kjo situatë politike ruhet deri në qershor, si e parashikoni realitetin politik postzgjedhor?
Është një atmosferë që ndihet gjithandej. Por kjo nuk mendoj se ka lidhje me faktin e shpalljes së datës. Nuk është fare punë date. Ne gjithnjë jetojmë e punojmë në një lloj mobilizimi të përhershëm. Të jetuarit orë e çast si në fushatë është një tipar i dukshëm i sjelljes sonë shoqërore e politike. Dhe ky në fakt është një tipar i përbashkët i të gjitha shoqërive parademokratike. Të gjithë të përfshirë, jo si shtetas e si zgjedhës, por direkt si kandidatë për poste, mandate, favore apo thjesht si miq të afërt të atyre që i synojnë ato personalisht. Ne s’bëjmë dot pa një tension permanent. Jo më kot në ta kaluarën ne shpikëm të jetuarin si në rrethim. E kuptoj që na erdhi nga lart si ndonjë helmetë që ta rrasin në kokë pa të pyetur, por edhe ne s’është që u ndiem kushedi sa në siklet. Ndryshe ca vickla edhe do t’i kishim bërë. Si fjala vjen çekët apo hungarezët. Përkundrazi, duartrokitjet tona kanë qenë gjithnjë më shungullueset. Më të paparat. Ashtu janë edhe sot. Ne duartrokasim fort, si askush tjetër. Ne thurim këngë e bejte për udhëheqësit, si askush tjetër. Ne shkrihemi fare kur lideri hyn në sallë apo del në tribunë. Sytë na mbushen me lot e zemra na gufon me krenari të ligjshme. Kështu ka qenë historia jonë moderne. Asnjë minutë rehat, gjithnjë shtrënguar, gjithnjë nën kërcënim e presion, gjithmonë në gojë të ujkut. Tani që “goja e ujkut” është bërë Sezami i mbështetjeve politike dhe donacioneve ne përsëri nuk e humbëm kurajon. Shpikëm tensionin elektoral. Në 24 orët e ditë-natës shumica e banorëve të këtij vendi, ç’bëjnë thoni ju? Politikë e çfarë tjetër! Fushatë elektorale. Herë me gojë e herë me shkrim, pranë kafes a pranë plazhit, në autobus e në restorant, në dasma e deri edhe në hidhërime, tema jonë primare, ajo më e ëmbla më e dashura fare, ajo që tërheq me forcë magnetike sikur të ishte vetë poli i bisedave. S’më besoni? Afroni veshin tek tryeza pranë dhe të më shani po s’dëgjuat fjalët “partia e atij”, “koalicioni i këtij”, “zgjedhjet”, “marifeti”, “do e hajë”, “s’do e hajë”, “do ta mbajë edhe katër vjet” etj.
Derisa edhe ne populli jetojmë të përfshirë kokë e këmbë në një klimë të tillë fushate permanente, kuptohet pastaj se si është vetë politika: e zhytur deri në grykë në politizim absolut. Sa herë miraton një akt, një amendim ligji, një procedurë privatizimi, një tender energjie, një indeksim pagash e pensionesh, një korrigjim shifre në tarifa e ku di unë, madje edhe kur thjesht vjen nga një rrugë gjysmëturistike apo ngrihet nga një tryezë e thjeshtë takimesh rutinë, qeveria nuk le rast pa e bërë adetin. Zëdhënësi më i lartë del në skenë patjetër dhe shpjegon se ky amendim, udhëtim, takim a celebrim është patjetër ngjarja më e madhe që ka ndodhur ato ditë së paku në këtë hemisferë të globit dhe se pa këtë ndodhi jeta jonë do të kishte qenë patjetër... një ferr i vërtetë.
Natyrisht që ka një ndryshim pas shpalljes së datës së zgjedhjes. Domethënë një “përshkallëzim” të frymës fushatore elektorale. Kjo duket në faktin që tani në podium nuk mjafton më zëri i zëdhënësve (sado që njëra syresh ka post ministri). Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, në skenë kemi orë e çast, minutë pas minute e ekran pas ekrani vetë dhe vetëm Kryeministrin! Ai nuk mjaftohet me vlerësim e miratim as me firmosje e me vulosje, madje as vetëm me prerjen e shiritit, siç bëjnë zakonisht shefat e lartë që qeverisin jo me tonalitet të zërit, por me zyra e me shkresa. Jo aspak. Tani ai la kaluar në një fazë të nxehtë: atë të udhëheqësit total. Kjo po që është një shenjë e fushatës dhe klimës fushatore që ju përmendni.
***
Kur pyesni për realitetin postzgjedhor nuk besoj se e keni fjalën që të parashikojmë “rezultatet e ndeshjes”. Domethënë kush do fitojë e sa pikë do marrë secila parti. Ato nuk mund t’i dimë që tani. Ajo që di të them unë qysh tani është se në masën dërmuese ato rezultate nuk do të varen dhe aq nga sofistikimi i programeve dhe skenografia fushatore sesa nga tri gjëra të tjera që sipas meje, janë: a. zbërthimi, identifikimi dhe shpalosja reale e arritjeve dhe mosarritjeve të mazhorancës aktuale. b. zotësia për të negociuar e bërë kompromise e koalicione, si dhe c. aftësia për “të luajtur” me gafat e defektet e kundërshtarit, që sot e tutje.
Presidenti i Republikës ka zgjedhur një rrugë të rrallë për dekretimin e ligjit të lustracionit pa firmën e tij. Si e komentoni këtë veprim të Presidentit. A mund të ketë ndikim në zbatimin apo zhvillime të tjera që lidhen me këtë ligj?
Ka qenë një zhvillim mjaft interesant ky që shoqëroi procesin e këtij ligji. Kësaj here po kufizohemi vetëm tek rrjedha e procesit miratues, sepse për përmbajtjen dhe mangësitë e vetë ligjit kemi folur aq gjatë herë të tjera. E quaj interesant për disa arsye. Së pari për shkak të befasisë që krijoi dhe vëmendjes së shtuar ndaj figurës së presidentit që krijon kjo lëvizje “origjinale”. Edhe nga media duket se kjo zgjedhje e Presidentit krijoi më shumë debat sesa do të kishte krijuar rruga tjetër e alternativës së thjeshtë: po apo jo. E dyta për precedentin e ri që futi në teknikën e miratim-mosmiratimit. Mosprononcimit. Kushtetuta jo më kot e ka renditur edhe këtë si një nga format dhe zoti Topi, e zgjodhi pikërisht atë si rrugën më të përshtatshme për pozitën e tij. Ne shpesh jemi robër të pavullnetshëm të precedentëve që krijojmë dhe vetë. Kemi frikë të përdorim atë që s’është përdorur më parë. E ka, e ka Kushtetuta dakord, por kjo formë nuk përdoret – është gjithë-gjithë shpjegimi që dëgjojmë me këtë rast. Se përse “nuk përdoret”, këtu askush nuk ndalet. E treta, dhe më e rëndësishmja pikë është: mesazhi që jep me këtë rast zoti Topi. Në fakt është më shumë sesa një mesazh. Është më shumë një shpjegim pozicioni që zoti Topi bën duke ofruar këtë alternativë. Heshtjen që nuk e pengon zyrtarisht hyrjen në fuqi të ligjit. Presidenti i Republikës thotë: “OK, bëjeni ligjin tuaj, hidheni edhe në zbatim puna juaj, por ama ..mua s’më keni atje. Nuk bëhem pjesë e trupës miratuese në këtë përmbajtje që ka ligji”.
Më shkoqur akoma pyetja është pse zoti Topi mes tri alternativave që i jep Kushtetuta zgjodhi pikërisht këtë? Sipas meje e ka zgjedhur atë si rruga më optimale që siguron njëherësh disa gjëra: edhe koherencën dhe profilin politik (së paku atë të pretenduarën) nga vetë zoti Topi, edhe marrëdhëniet e veta me Partinë mëmë, por edhe veprimin e një ligji që në aspiratën dhe thelbin e vet është aq i pritur dhe i kërkuar nga publiku në kuptimin më të gjerë kombëtar e ndërkombëtar. A mund të lexohet kjo zgjedhje si një refuzim i fshehur, i mbajtur brenda, thjesht për të mos prishur marrëdhëniet me partinë? Kjo edhe mundet, por ama jo për ato arsye që do të nxitonin të listonin shpejt e shpejt kundërshtarët dhe alergjikët ndaj sjelljes së zotit Topi. Pra aspak për arsye të tipit “dobësia ndaj ish-eksponentëve të diktaturës” apo ca më pak “implikim me lidhjet e vjetra” etj. shpifje të mundshme si këto. E them me bindje që Presidenti ynë nuk i ka këto. Gjithë sjellja e tij politike e kohëve të fundit është provë e kësaj. Ndryshe as që bëhet fjalë që ai të prishte kaq hapur humorin e lidershipit të PD-së. Do t’ia kishin kënduar letrat që në këmbë.
Hezitimi i zotit Topi mund të shpjegohet dy ndjeshmëri të tjera. Atë ndaj shtresës sociale me të cilën ai e identifikon dhe e ka identifikuar veten, të përndjekurit, ish-pronarët, shkurt atë që në Shqipëri thirret (jo saktësisht e qartësisht) “e djathtë autentike”. Dhe atë ndaj faktori ndërkombëtar, ndaj të cilit zoti President ka pozitën më komode për të rënë dakord. Pikërisht në këtë dyzim motivesh: “të djathtët” këtej e ndërkombëtarët andej, tek ne është ngritur edhe një debat mjaft konfuz që po shpjegojmë më poshtë.
***
Kritikët e ligjit shpesh ngatërrohen keqas. Duke dashur të nxjerrin në pah defektin kryesor të ligjit – marifetin e tij “përzgjedhës” ose thënë më troç marrjen në mbrojtje të një pjese shumë agresive të diktaturës deri edhe ministrat, kandidatët e KQ-së dhe sekretarët e Partisë, ata që i quajtëm të djathtët tanë, shpesh citojnë qëndrimin e faktorit ndërkombëtar. Ja, thonë ata, me ne është edhe faktori ndërkombëtar. Prandaj qeveria e mazhoranca t’i vënë gishtin kokës. Ndërkohë që këtu ka një lloj moskuptimi, pse jo edhe kontradikte. Sepse ajo që kërkojnë ndërkombëtarët është krejt tjetër gjë. Ata kanë kryesisht hallin e atyre që preken nga ky ligj këtej e tutje. Ata i shqetëson kryesisht përjashtimi që do zbatohet ndaj atyre njerëzve, një pjesë e të cilëve është fakt që kanë qenë gjakatarë. Po cili konkretisht? Se faji kolektiv s’para pranohet si parim juridik. Pastaj demokracia është pjesëmarrëse – thonë ata. Askush nuk ka të drejtë të përjashtojë askënd. Përjashtimi pra, përjashtohet edhe si fjalë në fjalor.
Mendoj se edhe ky konfuzion ndikoi fort në zgjedhjen konkrete që bëri zoti Topi. Dhe ky është një veprim pragmatik i zgjuar nga ana e tij. Me mosprononcimin ai i kënaqi të dy krahët e kritikës. Edhe ish-viktimat që e shkruan këtë si një mbështetje e rreshtim të zotit Topi me ta për të kërkuar një ligj më ndëshkues e përfshirës, por edhe ndërkombëtarët që e morën këtë si një bashkim në heshtje të zotit Topi me vërejtjen e tyre moderne: mosdiskriminimit të njerëzve në një shoqëri demokratike.
Me ratifikimin nga Greqia të MSA-së duket se integrimi në BE i Shqipërisë hyn në një fazë të re. Cilat mund të jenë përfitimet dhe sfidat e ardhme? Sa afër “ëndrrës” evropiane jemi realisht?
Përmbyllja e procesit të ratifikimit pa dyshim përbën një lajm që duhet festuar nga çdo qytetar i këtij vendi. Sepse në këtë miratim secili gjen veten e tij, kontributin e vet të vogël, sjelljen e tij, punën e përditshme. Sepse tashmë të gjithë e dimë (edhe ata që s’e dinin duhet ta kenë marrë vesh tashmë në kaq vite raportimesh) se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë është kompleks e gjithëpërfshirës. Ai nuk është as meritë ekskluzive e qeverive dhe as rezultat i simpative për këtë apo atë lider. Kjo ka marrë fund tashmë është sqaruar. Ai vjen për shkak të pjekjes graduale që po ndjehet në gjithë shoqërinë shqiptare, në sjelljen e saj, këndin e ri të vlerësimeve të gjërave, etikën e re që po hyn gradualisht, punën, ligjet, institucionet, respektimin e tyre, etj. Në përputhje me shkallën e progresit që kanë bërë këto tregues në tërësinë e tyre, ka përparuar edhe procesi i afrimit tonë në tryezën evropiane. Të gjitha vendet e BE-së e kanë shprehur këtë në procesin e tyre të ratifikimit të MSA me Shqipërinë. E bëjmë këtë sepse Shqipëria, ka këtë ecuri pozitive në gjithë frontin e zhvillimit të vet shoqëror – thonë pak a shumë ata.
Ndërsa Greqia me sjelljen e saj shfaq një veçori. Një veçori shqetësuese, që në fakt nuk ka se si të mos e vëmë në dukje. Nuk e kam fjalën për vonesën e tepruar të miratimit, për faktin që fqinji ynë më i afërt, me kaq lidhje e pleksje kombëtare e shoqërore, ekonomie e biznesi, vendi ku punojnë e kontribuojnë një e gjashta e popullsisë shqiptarëve, vendi nënshkrues i një “Traktati Miqësie” qysh nja një duzinë vitesh të shkuara, vendi diplomacie e të cilit nuk le rast pa përsëritur se do të jetë avokati ynë për integrimin evropian, pikërisht ky vend pra, që vetë mezi është futur pjerrtas (jashtë çdo kriteri të sotëm) në BE, votoi i fundit fare MSA-në e Shqipërisë. Nuk e kam as për indiferencën dhe tundjen rëndë-rëndë të kartës “MSA”, vend e pavend për dy vite rresht. As për ndërsimin e qarqeve ultranacionaliste brenda Shqipërisë që hungërijnë rrugëve e plazheve tona, pikërisht me kartën e “MSA”-së ndër dhëmbë. E kam fjalën se Greqia, ndryshe nga gjithë teknika e presionit pozitiv me të cilin e shoqëruan këtë proces vendet më civile, përdori një rrugë krejt tjetër, banale. Pazarin e hapur dhe fyes. Ajo e shndërroi procesin në një treg shitblerjeje të memorieve kombëtare. Deri dhe të provokimit të ndjeshmërive kombëtare. Një proces i ulët dhe fyes, por që qeveria aktuale e gëlltiti lisho, thuajse pa asnjë siklet. Në kurriz të historisë sonë të shkuar, por edhe asaj të ardhshme. Përse kjo kosto? E para sepse qeveritë tona ka kohë që janë bërë “të modës”. Janë bërë praktike e pragmatike. Nuk është si disa vjet më parë. Vendimmarrësit e tyre sot, kanë shumë interesa të ngushta për të mbrojtur.
Së dyti kjo erdhi edhe sepse mazhoranca u shtrëngua keqas. Gjithë vitin e shkuar katër zëdhënësit kryesorë të saj, dy ministrat, Kryeministri madje edhe kryeparlamentarja, ranë përmbys duke përsëritur se ratifikimi nga gjithë anëtarët e BE-së përfundonte patjetër në fund të 2008-ës. Fundi i vitit iku e shkoi, por Greqia nuk e bëri mbledhjen. Mendja e saj e levat e saj kishin vetëm një prioritet: sa më shumë varreza ushtarësh grekë në Shqipëri. Pa varreza të mëdha, nuk ka MSA. Si thoni – pyesnin ata? Qeveria jonë zgjodhi varrezat. Mes tyre edhe ratifikimin. Nuk them se është një vendim pa mend. As pa përfitime politike për liderët aktualë nuk them se është. Ama së paku të mos na shkruhet edhe si veprim patriotik e historik. Se i tillë nuk është.