E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asetet kriminale, milionat e sekuestruara dhe të konfiskuara nga Krimet e Rënda



Prokurorët: Origjina e pronave të luajtshme dhe të paluajtshme e llogarive bankare, aktiviteti i paligjshëm kriminal

Miliona euro hyjnë në thesarin e shtetit shqiptar çdo vit nga sekuestrimi apo konfiskimi i aseteve kriminale të individëve të ndryshëm të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Ky vit llogarit më tepër hyrje në thesar se vitin e kaluar, teksa numërohen të paktën 13 çështje të përfunduara dhe prona e para “cash” të konfiskuara. Ndërkohë që viti 2008 u mbyll me një numër të konsiderueshëm çështjesh të përfunduara, pasi pronat e të pandehurve të ndryshëm që tashmë janë me vendim të formës së prerë apo në proces gjykimi kaluan për llogari të shtetit, për vitin 2009 janë të paktën 10 çështje të tjera të depozituara, 5 të sekuestruara dhe 3 në procesin e sekuestros paraprake. Nuk flasim për pasuri të bllokuara nga prokurori të zakonshme, por jemi përqendruar kryesisht në pronat që kishin në pronësi krerë bandash kriminale si Lulëzim Berisha apo Aldo Bare, pasuritë e të cilave kapin shifra marramendëse dhe që numërohen në miliona euro. Gjithçka është arritur falë provave të siguruara nga dy prokurorët që janë në këtë sektor të rëndësishëm në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kjo zyrë, funksion prej disa vitesh në organin e akuzës, funksionon prej fillimvitit 2004 dhe që heton krimet më të rënda dhe bandat më të rrezikshme kriminale që i kanë kryer ato. Ajo merret me sekuestrimin dhe më pas konfiskimin e pasurive të personave të ndryshëm të arrestuar, për të cilat dyshohet se janë siguruar përmes një aktiviteti të paligjshëm kriminal. Bëhet fjalë për milionë euro asete kriminale të cilat kanë kaluar për llogari të shtetit pas vendimit të konfiskimit apo janë ende në proces sekuestrimi. Bëhet fjalë për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, llogari bankare në emër të të arrestuarve apo të familjarëve të tyre. Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë dorëzuar për konfiskim pronash 19 kërkesa për persona të ndryshëm, nga të cilat janë përfunduar 13 çështje, ndërsa 6 janë ende në proces. Në listën e këtyre kërkesave për konfiskim pasurie ndodhen edhe pronat e Lulëzim Berishës i dyshuar si kreu i “Bandës së Durrësit”, i dyshuari si kreu i “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare, apo i dënuari Ilir Koçiaj etj. Gazeta “standard” publikon pjesën më të madhe të këtyre kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim, vlera e të cilave arrin në disa miliona euro.

Kërkesat

Kërkesat për sekuestrimin e pasurive datojnë që me fillimin e kësaj zyre. Qysh prej atij viti, numërohen një numër i madh kërkesash të pranuara dhe tashmë të konfiskuara. Sipas prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që merren me këtë proces, të gjitha sekuestrimet e kërkuara prej tyre dhe të sekuestruara më pas me vendim gjykate, janë kërkuar nga akuza me qëllim që të shmanget rreziku që personat zotërues t’i tjetërsonin apo t’i dëmtonin ato. Më pas është urdhëruar zyra e administrimit të pasurive të sekuestruara që t’i ketë nën kujdes këto asete të fituara në mënyrë kriminale. Sipas njerëzve të akuzës, gjatë vitit të kaluar, procesi i hetimit pasuror është zhvilluar në disa drejtime, si hetimi i aktiviteteve ekonomike dhe sipërmarrëse në zyrat e regjistrit tregtar dhe në zyrat e Tatim-Taksave, hetimi i llogarive bankare në bankat e niveleve të dyta, hetimi i pasurive të paluajtshme në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, hetimi i pasurive të luajtshme kryesisht autovetura dhe automjete në zyrat e shërbimit të transportit rrugor. Përveç kësaj, burimet shprehen se gjatë kësaj periudhe janë kërkuar të dhëna të karakterit operativ dhe në drejtim të institucioneve të tilla si Drejtoria e Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme si dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Sipas tyre, punohet mjaft për të vërtetuar origjinën e këtyre pronave për të ndarë atë që është fituar me djersë nga prindërit e tyre nga ato të fituara përmes drogës, prostitucionit apo veprave të tjera penale me rrezikshmëri të lartë.

Vështirësitë

Arritjet e seksionit të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive nga vit në vit janë të mëdha. Por, asgjë nuk është arritur lehtë. Sipas tyre, vështirësitë e hasura në rrugën e tyre kanë qenë të mëdha dhe në disa drejtime. Kështu, sipas burimeve, gjatë vitit të kaluar, ata kanë hasur vështirësi në grumbullimin e të dhënave për shkaqe objektive si në informalitetin dhe në pasaktësinë e regjistrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në informalitetin e lëvizjes së vlerave monetare, në mungesën e një baze të dhënash pranë Prokurorisë, në kohën e gjatë midis kërkesave dhe përgjigjeve të marra nga institucione të ndryshme, në mundësitë e marrjes së të dhënave të shpejta etj. Ndërsa, për sa i përket administrimit të pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, të njëjtat burime shprehen se gjatë vitit 2007-2008, nga ana e agjencisë së pasurisë të sekuestruara dhe të konfiskuara në Ministrinë e Financave, që është edhe organi përgjegjës i këtyre pasurive, nuk është bërë pothuajse asgjë në drejtim të marrjes dhe administrimit të pasurive të sekuestruara apo mënyrës së përdorimit të pasurive të konfiskuara. Diçka më ndryshe mendohet të ketë qenë drejtimi i kësaj zyre për 2008-ën, por shpresohet që të ketë një funksionim më të mirë në vazhdim.

Prona në proces sekuestrimi

Altin Sotomeni

Depozita bankare, të cilat dyshohet të jenë vënë në sajë të trafikut të heroinës, nga ana e të pandehurit Altin Sotomeni janë kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që të konfiskohen. Bëhet fjalë për 48 mijë euro, shumë kjo e cila është e ndarë në tri llogari të ndryshme bankare. Llogaria parë e të pandehurit Sotomeni është çelur më datën 8 nëntor të vitit 2005 pranë Bankës Kombëtare Tregtare, Korçë. Ajo mban numrin e llogarisë 65737 dhe ka të depozituar shumën prej 14 mijë euro. Llogaria e dytë, është në emrin e Vjollca Sotomenit, bashkëshortes së të pandehurit. Ajo mban numrin e llogarisë 82507 dhe është çelur më 26 qershor të vitit 2006 Bankës Kombëtare Tregtare, dega Korçë. Ndërsa është kërkuar edhe sekuestrimi i shumës prej 4.5 mijë euro.

Andrea Ajasllari

Apartamente, llogari bankare si dhe automjete janë kërkesat e depozituara nga prokuroria e krimeve të rënda ndaj të pandehurit Andrea Ajasllari. Sipas akuzës, i pandehuri i akuzuar për “trafik të femrave me qëllim prostitucioni” i ka përfituar këto pasuri në sajë të aktivitetit të tij të paligjshëm. Për këtë të pandehur prokuroria ka dorëzuar plot 10 kërkesa për konfiskim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në kërkesën e parë prokuroria i kërkon gjykatës një apartament me sipërfaqe 65 metra katrorë, i cili ndodhet në katin e shtatë, i identifikuar si tipi “E”, shkalla numër 1. Gjithashtu për të pandehurin Ajasllari, është kërkuar konfiskimi i llogarisë bankare me numër 12034421000015, në bankën NGB. Po ashtu është kërkuar konfiskimi i një llogaria bankare me numër 0104030780, me vlerë 37.000 lekë dhe 4.345 USD, e çelur kjo nga prokuroria e krimeve të rënda, pasi shuma i është sekuestruar të pandehurit ditën e arrestimit të tij. Akuza ka kërkuar konfiskimin e tre automjeteve, i pari tip “Land Rover” me ngjyrë të bardhë, pa dokumente të rregullta, me targa SI HH 2118 A, me numër shasie ALLJGMF8HA463383, e cila ka hyrë në doganë më datë 8 dhjetor të vitit 2004. Gjithashtu është kërkuar konfiskimi i automjetit tip “Land Cruiser”, me targa TR 2226 M, me numër shasie JT111GJ9500099982. Ndërsa mjeti i tretë i kërkuar për konfiskim nga prokuroria është tip traktor me ngjyrë të kuqe, pa dokumente, me numër shasie 52892, blerë më datë 28 tetor të vitit 2005 në shumën 396.000 lekë.

Fatbardh Ajasllari

Për të pandehurin, Fatbardh Ajasllari, prokuroria ka kërkuar konfiskimin e një apartamenti, me sipërfaqe 105.5 m2, apartament i cili ndodhet në Rr.”Komuna e Parisit-Selitë” Tirane, godina L.2, objekti 2, shkalla 1, apartamenti nr. 15, kati I 5-të. Apartamenti përbëhet nga 2 dhoma, 1 kuzhinë e ambiente ndihmëse, 2 banjo, 1 ballkon, korridor. Ky apartament është blerë më datë 27 nëntor të vitit 2002. Shtetasi Avenir Kika ( me cilësinë e shitësit) i ka shitur të pandehurit Fatbardh Ajasllari ( me cilësinë e blerësit) një apartament banimi, me një çmim prej dy milionë lekë, i cili është likuiduar tërësisht jashtë zyrës noteriale. Prokuroria ka kërkuar për të edhe konfiskimin e dy automjeteve. Pikërisht bëhet fjalë për një fugon, me targa TR 5407 G, në emër të Fatbardh Ajasllarit, me numër shasie Sfavxxbbavmd71802, me ngjyrë të bardhë, prodhim i vitit 1991, si dhe një mjet tip “Mitsubishi-Pajero”, me numër shasie JMBL0436VFY406528, prodhim i vitit 1987, me ngjyrë gri e zezë, me targa BR 8261 A.

Prona në proces konfiskimi

Bledi Balliu

Apartament banimi 1 dhomë (a) e 1 kuzhinë me sipërfaqe 101.35 m2, në katin e 10-të me orientim nga lindja, së bashku me të gjitha pajisjet brenda këtij ambienti. Apartamenti ndodhet në rrugën “Sami Frashëri” Tiranë, dhe është ndërtuar nga shoqëria “VEGA”, sh.p.k e përfaqësuar nga administratori z. Aleksandër Gavoçi dhe Pjerin Fushaj, me lejen e ndërtimit nr. 13, datë 26.05.2001. Apartament banimi 1 + 1 + ambiente ndihmëse me sipërfaqe 75.3 m2, seksioni 5, tip C, i ndodhur në katin e dyte të banimit, së bashku me të gjitha pajisjet brenda këtij ambienti. Apartamenti është ndërtuar nga sipërmarrësi investitor me cilësinë e pronarit të truallit z. Arben Prrenjasi, dhe ndodhet në Golem, Kavajë në truallin-pronë të Xhuvi Sharxhit dhe Arben Prrenjasit, me leje ndërtimi nr. 14 datë 16.02.2003. Garazhi parking me nr. 5 në seksionin 5 të këtij objekti së bashku me të gjitha pajisjet brenda këtij ambienti. Garazhi është ndërtuar nga sipërmarrësi investitor me cilësinë e pronarit të truallit z. Arben Prrenjasi, dhe ndodhet në Golem, Kavajë në truallin pronë të Xhuvi Sharxhit dhe Arben Prrenjasit me leje ndërtimi nr. 14 datë 16.02.2003.

Lulëzim Berisha

I cilësuar si kreu i “Bandës së Durrësit”, Lulëzim Berisha ka në pronësi të tij një numër të madh pasurish, të cilat Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon konfiskimin dhe kalimin e tyre shtetit. Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së quajtur “Are” me sipërfaqe prej 6000 m2, e ndodhur në N. B. Frutore Durrës, e regjistruar në zonën kadastrale numër 1574. Kjo pasuri është blerë nga i pandehuri Lulëzim Berisha më datë 08 janar të vitit 2005 nga shtetasi Azem Dulla me vlerë prej njëqind mijë lekë. Po ashtu është kërkuar konfiskimi i një sipërfaqeje prej 9000 m2, po në “Are”, e blerë nga i pandehuri Lulëzim Berisha më datë 27 dhjetor 2003 nga shtetasi Arben Gojani në vlerën prej pesëqind mijë lekë. Po në këtë zonë prokuroria kërkon konfiskimin e sipërfaqes prej 4000 m2, e blerë nga Berisha më datë 26 dhjetor 2003 nga shtetasi Bajram Sukaj, me vlerën prej njëqind mijë lekë. Kreu i “Bandës së Durrësit” rrezikon të humbasë përfundimisht edhe një pasuri të quajtur “Ullishte”, me sipërfaqe prej 1500 m2, e ndodhur në fshatin Shkallnuer të rrethit Durrës, e blerë nga bashkëshortja e tij Valbona Berisha më datë 23 mars të vitit 2004 nga Leonard Koka në vlerën prej një milion lekë. Në pronësi të Berishës ndodhet një pasuri e quajtur “Truall”, e ndodhur në lagjen numër 17 të qytetit të Durrësit, me një sipërfaqe prej 3300 m2. Kjo pronë është e ndarë në dy pjesë, ku njëra është me sipërfaqe prej 2494 m2, ndërsa pjesa tjetër arrin sipërfaqen prej 806 m2. Jashtë pronave të familjes Berisha, akuza i kërkon gjykatës edhe një pasuri me sipërfaqe prej 234 m2 e dokumentuar, me emrin “Kaldaja”, e cila është në emër të motrës së të pandehurit, Luljeta Berishës. Ndërsa prona e fundit e kërkuar nga akuza është një automjet i llojit fuoristradë, e tipit “BMV X5”, me targa DR 4500 D.

Pronat e konfiskuara, tashmë pronë e shtetit

Besnik Çoba

Lokal “bar-bufe” në lagjen nr. 3 të qytetit të Laçit, me sipërfaqe 49.2 m2, depozitë kursimi në emër të nënës së tij me afat 3-mujor, pranë Agjencisë Bankare Laç, Dega Rajonale Lezhë, në shumën prej 300.000 (treqind mijë) lekë, shuma prej 5350 (pesë mijë e treqind e pesëdhjetë) euro.

Ilir Koçiaj

Apartament banimi 3/1 (1+1) me sipërfaqe prej 73.35 m2 nr. 3 në katin e parë teknik, së bashku me të gjitha pajisjet brenda këtij ambienti. Apartamenti ndodhet në “Rrugën e Elbasanit” (rruga “Dervish Hima”) Tiranë, në objektin e banimit 8, 9 e 11-katësh, ndërtuar nga shoqëria e ndërtimit “Daniela”, sh.p.k me sipërmarrës Isuf Çelaj, e ndërtuar me leje ndërtimi nr. 193 datë 09.05.2003. Apartament banimi 7/5 (2+1) me sipërfaqe prej 104.75 m2 nr. 7 në katin e pestë teknik, së bashku me të gjitha pajisjet brenda këtij ambienti. Apartamenti ndodhet në “Rrugën e Elbasanit” (rruga “Dervish Hima”) Tiranë, në objektin e banimit 8, 9 e 11-katësh, ndërtuar nga shoqëria e ndërtimit “Leskova”, sh.p.k me sipërmarrës Isuf Çelaj, e ndërtuar me leje ndërtimi nr. 351 datë 16.07.2003. Dy garazhe parking me nr. 3 dhe nr. 4 të ndodhura në “Rrugën e Elbasanit” (rruga “Dervish Hima”) Tiranë, në objektin e banimit 8,9 e 11-katësh, ndërtuar nga shoqëria e ndërtimit “Leskova”, sh.p.k me sipërmarrës Isuf Çelaj, e ndërtuar me leje ndërtimi nr. 351 datë 16.07.2003. Garazhet ndodhen në godinën e ndërtimit ku ndodhet apartamenti i banimit 7/5 (2+1). Autovetura e tipit “Mercedes-Benz” ngjyrë blu, E 280, me targa TR 7592 L, me numër shasie WDB2110231A728721, në emër të shtetasit Jetmir Shermadhi.

Dy llogari bankare në emër të shtetases Teuta Koçiaj në Bankën Kombëtare Tregtare, dega Elbasan ku në njërën llogari me numër 405000950, çelur në datë 11.06.2001, është depozituar shuma prej 4.299,99 lekësh, ndërsa në llogarinë tjetër me numër 405069139, çelur më datë 18.05.2005, është depozituar shuma prej 500.000 (pesëqind mijë) lekësh.

Jani Tafa

Autoveturë “Benz-Mercedez” të tipit 320, me targa CM 641 SE, me numër shasie WDB 2201281A261131, ngjyrë gri metalizato.

Besnik Braka

Autoveturë tip “Benz”, me targë “TR 1900 F”, prodhim i vitit 1998, kokë tërheqëse marka “MAN”, prodhim i vitit 1996 me targë “TR 5529 J, trailer rimorkio, marka “SCHWARIZMULLER” prodhim i vitit 1984, me targa “TR-6123 J”, fuoristradë e tipit “JEEP”, marka CHEROKEE, , me targë “EL 2619 A”, prodhim i vitit 1988, fuoristradë e tipit “Nisan Patrol”, me targë “EL 4047 A”, prodhim i vitit 1994, rimorkio e tipit “Barteli” 4 B1/75 N, me targë “EL 6473 A”, prodhim i vitit 1980, autoveturë tip “Benz” me targë “TR 0550 J”, prodhim i vitit 1997, llogari bankare me nr. 740192351, e çelur pranë Bankës Amerikane të Shqipërisë në shumën 209.36 USD.

Aldo Bare

Shoqërinë “Laguna Karavasta” sh.p.k, me një sipërfaqe toke prej 11 792 m2 në Divjakë, Lushnjë, së bashku me 1216 m2 ndërtesa dhe pajisjet brenda ndërtesave së bashku me barkat e peshkimit, rrjetat, dajlanët. Më konkretisht pasuria me nr. 1396/1, zona kadastrale nr. 1492 (sip. 540 m2 truall); pasuria me nr. 1078/3, zona kadastrale nr. 1492 (sip. 4900 m2 truall + ndërtesë 400 m2); pasuria me nr. 1397, zona kadastrale nr. 1492 (sip. 540 m2 truall+ ndërtesë 36 m2); pasuria me nr. 1089/6, zona kadastrale nr. 1492 (sip. 1456 m2 truall+ ndërtesë 166 m2 dhe 36 m2); pasuria me nr. 1089/9, zona kadastrale nr. 1492 (sip. 2900 m2 truall+ndërtesë sip. 375 dhe 105 m2); pasuria me nr. 1089/1 zona kadastrale nr. 1492 (sip. 1456m2 truall+ndërtesë me sip. 42, 28 dhe 74 m2); sipërfaqja prej 470 m2, e ndodhur në lagjen “Çlirimi”, Lushnjë me nr. 4/32, pasurie, zona kadastrale 8571, volumi 15, faqe 238. Këtu përfshihen sipërfaqja prej 24 m2 garazh si edhe sipërfaqja prej 48 m2 magazinë së bashku me të gjitha pajisjet të ndodhura brenda tyre.

Baftjar Gjana

Një automjet tip “Peugeout” me targa TR 3466 J, e blerë në shumën prej 1.200.000 lekëve, si dhe shuma prej 1000 eurove.

Aleksandër Bojko

Objekt për qëllime hotelerie me sipërfaqe ndërtimi 470 m2, duke përfshirë truallin dhe gjithë pajisjet brenda tij, i cili ndodhet në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, Vlorë. Hoteli ka pesë kate ndërtimi.

Xhevdet Troplini

Objekt që ka të bëjë me aktivitetin e rritjes së peshkut ndodhur në qytetin e Durrësit, me një sipërfaqe prej 9900 m2 ndër të cilat 1850 m2 janë nën objekt. Trualli i lirë me sipërfaqe prej 8050 m2.

Albeti Veshi

Një autoveturë e tipit “Benz” të llojit Sel me targa TR 1671 i blerë në shumën prej 900.000 lekë, si dhe një objekt me sip. 48.5 m2, i destinuar për garazh, blerë në shumën prej 5.300.000 (pesë milionë e treqind mijë) lekë

Bardhi Nanollari

Një kamion tip “Volvo” F/12, vlerë monetare në shumën 100.000 lekë, një autoveturë e tipi “Benz” 200D, dy llogari bankare me një shumë prej 1.200.000 (një milionë e dyqind mijë) lekë.

Almir Llupo

Një bar-lokal në qytetin e Tiranës me sipërfaqe 142 m2, blerë në shumën prej 5.800.000 (pesë milionë e tetëqind mijë) lekë. Një llogari bankare në shumën prej 20 396 dollarë amerikanë. Një autoveturë e tipit “Benz” e prodhimit të vitit 1996, blerë në shumën prej 500.000 (pesëqind mijë) lekë

Arian Kane

Autoveturë e tipit “Benz”, 220, viti i prodhimit 2001.

Avni Avduli

Autoveturë tip “Benz” 220 CDI- Clasic, i prodhimit 2001, autoveturë tip “Golf-3” e prodhimit 1992. Një shumë prej 6.000.000 (gjashtë milionë) lekë në emër të nënës së personit të sipërpërmendur, shtetases Ruzhdie Avduli, pranë Bankës Tregtare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›