E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet eksperti i “ilqeve”, i mori 10 mijë euro ish-kryeplakut

 

VLORE - Çështja e “Ilqeve” të pyjeve të Vlorës vijon me arrestime të tjera. Kësaj radhe në prangat e policisë është vënë eksperti privat i pyjeve, Besnik Kuçi. Prej disa ditësh, policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij rrethi kishin mbajtur në përgjim e survejim 59-vjeçarin, i cili kishte nisur të bënte “pazare” me të akuzuarit për “shpërdorim të detyrës” dhe “shkatërrim të pronës” për çështjen e “Ilqeve”, drurë që mbrohen me ligj. Mësohet se Kuçi është arrestuar me akuzën e “vjedhjes me anë të korrupsionit pasiv”, dhe “ekspertim të rremë”. Sipas policisë, 59-vjeçari nga Vlora ishte eksperti i përcaktuar nga Prokuroria për vlerësimin e dëmit që i ka shkaktuar shtetit prerja e paligjshme e drurëve të ilqeve në pyjet e Vlorës. Nga ekspertimi i bërë rezultoi se dëmi i shkaktuar kap shifrën e rreth 36 milionë lekëve. Për këtë shkak, policia e Vlorës kreu rreth një vit më parë një operacion të kodur “ILQE 804”, ku në pranga ranë shtatë zyrtarë, disa prej të cilëve pranë Drejtorisë së Pyjeve, kryeplaku i fshatit Bolem etj. Pas disa seancave, gjykata e Vlorës u ndryshoi masën e sigurisë, nga arrest me burg në detyrim paraqitje, deri në dhënien e verdiktit përfundimtar. Por gjatë kësaj kohe duket se eksperti që vlerësoi dëmin kishte nisur të sajonte planet e tij se si të ndryshonte vlerën e dëmit, duke u marrë para vetë të dëmtuarve që rrezikonin burgun. Mësohet se Kuçi është takuar me ish-kryeplakun e fshatit Bolem, Haki Veshi. Ai i ka kërkuar këtij të fundit shumën e 10 mijë euro-ve në këmbim për t’i bërë atij një favor: të ndryshonte vlerën e dëmit. Pas bisedës së kryer, Veshi nuk ka ngurrur t’i drejtohet Prokurorisë, duke bashkëpunuar me këtë organ. Kështu, pas denoncimit të bërë, eksperti privat është vënë në përgjim. Prej disa ditësh ai është mbajtur në survejim për t’u arrestuar pikërisht pasditen e djeshme. Policia e Vlorës ndërhyri dhe vuri në pranga 59-vjeçarin në momentin që ai i mori paratë njërit prej të akuzuarve për çështjen e ilqeve. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale shumën që Veshi i kishte dorëzuar ekspertit. Sipas burimeve policore, ai i kishte premtuar ish-kryeplakut se kishte shumë akses në prokurori, që kërkesa e tij për të bërë një rivlerësim dëmi për ilqet do të merrej në konsideratë, e në këtë mënyrë përfitonin edhe vetë të akuzuarit. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›