E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg përjetë tutorit, vrau për grabitje berberin

 

TIRANE – Vranë berberin pasi e joshën për seks, Prokuroria kërkon 109 vjet burg për tutorin dhe prostitutën e akuzuar si autorë të ngjarjes. Prokurori i çështjes, kërkoi dje deklarimin fajtor të 40-vjeçarit Lazaj për veprën penale të “vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm, ndërsa për bashkëpunëtoren e tij në këtë krim, Albana Zenelaj 38 vjeçe, u kërkuan 9 vjet burg, ndaj të cilës rëndon edhe akuza e “ushtrimit të prostitucionit”, vepër penale për të cilën është dënuar edhe më parë. Seancën e kaluar, pasi të pandehurit pranuan akuzën, gjykata u pranoi atyre kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në këtë proces, çka do të thotë se përfitojnë ulje të një të tretës së dënimit. E thënë ndryshe dënimi për Lazajn ulet në 25 vite burg, kurse për Zenelajn në 6 vite. Seancën e ardhshme pritet që të pandehurit të paraqesin konkluzionet e tyre dhe gjykata të shpallë vendimin. Sipas Prokurorisë ngjarja e rëndë për të cilën u prangosën Lazaj dhe Zenelaj ndodhi mesnatën e 3 marsit, kur kalimtarët gjetën në një rrugicë pas ish-ambasadës jugosllave në rrugën e Durrësit kufomën e berberit nga Durrësi, Gëzim Shullani 50 vjeç. Viktima ishte goditur me një send të fortë në kokë dhe pas vdekjes i ishin grabitur rreth 50 mijë lekë të vjetra dhe celulari që kishte në xhep. Për pak ditë ngjarja mbeti pa autor, derisa policia mori në pyetje dy të pandehurit që bënin jetë endacaku në zonën përreth. Ata e pranuan krimin, madje dhanë detaje për të. Sipas tyre, pasi e kishin pikasur faktin se viktima kishte para në xhep, Zenelaj e kishte joshur berberin Shullani, duke i ofruar seks në këmbim të një shume prej 10 mijë lekësh të vjetra.               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›