E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida me Bjellorusinë, vendimtare

Josip Kuze e konsideron vendimtare ndeshjen me Bjellorusinë. Trajneri kroat thotë se fati i Shqipërisë në eliminatoret për Euro 2012 varet nga takimi i 26 marsit. Ai kërkon fitore në këtë ballafaqim, pas të cilit thotë se do të ndryshonin objektivat e Kuqezinjve. Nga Express më 18 mars 2011 në ora 11:38

Selektori i Kombëtares shqiptare, Josip Kuze, ka filluar të mendojë seriozisht për ndeshjen e radhës së ekipit të tij. Trajneri kroat ballafaqimin me Bjellorusinë, në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Euro 2012, e vlerëson vendimtar për kampanjën kuqezi.

Kuze ka arritur në Shqipëri për t’i nisur përgatitjet për këtë ndeshje, ndërsa ai po i shikon me vëmendje DVD-të e kundërshtarit, për ta studiuar lojën e bjellorusëve dhe për ta shikuar mundësinë që t’i mposhtë ata. Ai i ka idetë e qarta se si t’i kundërvihet kundërshtarit. Natyrisht, synim i tij është rezultati pozitiv, për ta kapur një vend sa më të mirë në tabelë.

“Ndeshja me Bjellorusinë është mjaft e rëndësishme për Shqipërinë. Kjo ndeshje vendos fatin e këtyre eliminatoreve për Shqipërinë. Ne do ta kërkojmë fitoren dhe nëse e realizojmë atë, atëherë mund të flasim për objektiva të tjerë”, theksoi trajneri kroat për Sportin Shqiptar.

Natyrisht, një fitore eventuale ndaj bjellorusëve do t’i ndryshonte synimet e Shqipërisë për ndeshjen e radhës me Bosnje e Hercegovinën, mendon Kuze. Kroati bën të ditur se në listën e të ftuarve nuk do të ketë ndryshime. Kryesisht do të ftohen lojtarët e njëjtë nga ndeshjet e kaluara.

Veteranët e mesfushës, Lala e Skela, i konsideron mjaft të rëndësishëm për ekipin momental, ndërsa e gëzon fakti se sulmuesit Bogdani e Salihi po gëzojnë formë të mirë. Kuze është i shqetësuar për lojtarët që aktivizohen rrallë me skuadrat e tyre. Mirëpo, pasi nuk ka shumë zgjidhje, ai është i detyruar të llogaritë edhe te këta lojtarë.

Fundi i edicionit nuk është shumë larg. Mirëpo, Kuze nuk po mendon ende nëse do të vazhdojë të udhëheqë Shqipërinë edhe pas këtyre eliminatoreve apo jo, pasi konsideron se është herët të flitet për këtë punë tani . Ai e pëlqen Shqipërinë, por aktualisht është i fokusuar vetëm në ndeshjet eliminatore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›