Cottbus interesohet për Kastratin

Energie Cottbus ka shfaqur interesim për sulmuesin e ri kosovar, Flamur Kastrati. Sipas ueb faqes gjermane transfermarkt.de, klubi nga Bundesliga 2 gjermane po e vëzhgonte talentin kosovar edhe para incidentit të tij, të cilin e pësoi fundjavën që shkoi.
“Trajneri i Cottbus, Claus-Dieter Wollitz, tashmë një kohë është i interesuar për sulmuesin, i cili ka realizuar tri gola këtë sezon. Edhe para incidentit, trajneri e kishte futbollistin norvegjez në listën e dëshirave të tij”, shkruan kjo ueb faqe.
Wollitz nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, duke konfirmuar se në listën e tij ka shumë sulmues për sezonin e ardhshëm. 19 vjeçari ishte huazuar nga klubi holandez Twente tek ai gjerman Osnabruck gjatë janarit.
Të dielën që shkoi, ai pësoi një goditje të rëndë në kokë nga një lojtar kundërshtar, për të qëndruar në tokë pa vetëdije afërsisht 12 minuta. Fatmirësisht, futbollisti me pasaportë norvegjeze shpëtoi mirë dhe ai u lëshua nga klinika ‘Carl-Thiem’ në Cottbus, ku u konstatua se kishte pësuar një tronditje në tru.
Futbollisti është kthyer në Osnabruck bashkë me familjen e tij, e cila kishte arritur nga Norvegjia. Koha e rikthimit të tij në fushë do të varet nga ekzaminimet e vazhdueshme mjekësore.