E Hënë, 2 Nëntor 2026

A po shkon Kosova drejt ndarjes?

Pas vizitës së parë të “treshes” në përbërje Frank Wisner, Wolfang Ishinger dhe Aleksandar Harçenko të caktuar nga Grupi i Kontaktit në përbërje SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia, Beogradit dhe Prishtinës nisi faza e re e negociatave 120 ditore në të cilin sipas deklarimeve të “treshes” do të kërkohet një kompromis i mundshëm i pranueshëm për të dyja palët për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës. Pas refuzimit të pakosë Ahtisari nga Serbia dhe Rusia në Këshillin e Sigurimit, dhe pranimit të këtij plani nga Kosova, ky plan përfundimisht ka dështuar dhe se as që do të gjendet në tryezat e bisedimeve të parapara 120 ditore. Si kompromis i mundshëm për të dyja palët, Beogradin e Prishtinën, në të cilin insistojnë faktorët ndërkombëtar, mbesin vetëm 2 opsione në lojë në tryezat e bisedimeve.

Opsioni i parë, që tani përflitet vetëm në kuluaret politike, për të para përgatitur opinionin e gjerë publik për më tutje, është plani i përgatitur për ndarje të Kosovës. E ky plan konsiston në atë, që gjatë 120 ditëve të negociatave, në kohën dhe momentin e duhur do të bëhet trusja e “butonit” për realizimin e këtij plani të paraparë për ndarjen e Kosovës. Do të inskenohet një sulm në pjesën veriore të Kosovës, gjegjësisht në sektorin e KFOR-it francez, matanë lumit Ibër, nga grupe të përgatitura më parë, me ç’rast do të shkaktohen edhe viktima në njerëz, ashtu që në atë moment ushtria dhe policia serbe me pararoje të saja të grupeve paramilitare do të marrin nën kontroll këtë hapësirë gjer te lumi Ibër, me ç’rast edhe de jure do të ndajnë këtë pjesë të Kosovës, e cila de fakto është jashtë kontrollit të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës dhe të UNMIK-ut që nga viti 1999, falë tolerimit dhe mbylljes” sy” të KFOR-it francez si akt i kryer që më parë. Serbia do të arsyetoj veten në opinionin publik me deklarimet e saja pompoze se këtë akt të veprimit të saj e ka bërë për mbrojtjen e popullsisë serbe, kinse në pamundësi të mbrojtjes së popullatës nga KFOR-i francez. Pas këtij veprimi diplomacia ndërkombëtare, gjegjësisht Grupi i Kontaktit, do të bëjë trusni politike palëve negocuese Beograd-Prishtinë të pranojnë këtë ndarje si akt i kryer dhe si kompromis i vetëm i mundshëm, në të cilin thirren dhe insistohet që të jetë i pranueshëm për të dyja palët si dhe për faktorin ndërkombëtar. Pa kësaj do të pasojë pranimi dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha faktorët relevant vendimmarrës si SHBA-ja, BE-ja dhe Rusia, si dhe do të bëhet përshpejtimi i pranimit të Serbisë ne BE, si kundërvlerë për pajtimin e saj, krahas përvetësimit të pjesës veriore të Kosovës.

Opsioni i dytë i mundshëm është që pas 120 ditësh negociatash të dështojnë bisedimet, pa arritur kurrfarë pajtimi apo kompromisi të dyanshëm, me ç’rast as njëra e as tjetra palë, si Beogradi ashtu edhe Prishtina, nuk do të lëshojnë pe edhe përkundër trysnive të mëdha të faktorëve relevant ndërkombëtar vendimmarrës. Kosova do të mbetet e palëkundur në qëndrimin e mbrojtjes së pavarësisë së Kosovës dhe moslejimit të ndarjes së saj, ndërsa Serbia në asnjë mënyrë nuk do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës dhe ndarjen edhe de jure të saj nga Serbia. Pas kësaj do të pasojë shpallja unilaterale e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga disa shtetet e caktuara, por pas këtij hapi do të pasojë reagimi i ashpër i Serbisë dhe Rusisë, me ç’rast automatikisht edhe pjesa veriore e Kosovës, matanë Ibrit, do të shpall pavarësinë e saj nga Kosova, ashtu që prapë do të kemi ndarje të Kosovës, por për dallim nga opsioni i sipërmendur, pa pajtim të palëve të përfshira në konflikt Beograd- Prishtinë, si dhe pa bekimin e faktorit relevant ndërkombëtar, pas së cilit do të kemi si rezultat destabilitet të përhershëm në Kosovë dhe rajon, pas zgjidhjes parciale dhe me dhunë të imponuar, pasojat e së cilës më së shumti do ta ndiejnë në kurrizin e vet populli i Kosovës.

Muajt në vijim do të tregojnë dhe do të qartësojnë se cili nga dy opsionet e mundshme do të realizohet dhe imponohet Kosovës. Por sido që të jetë, cilido opsion që të realizohet, për Kosovën dhe popullin shqiptar është humbës, ndërsa për Ekipin e Unitetit dështim i politikës së saj vasale, të të dëgjuarit dhe të nënshtruarit të vazhdueshëm ndaj çdo presioni ndërkombëtar që nga fillimi i negociatave të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›