E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfidë Kushtetueses, burgim përjetë "Mostrës së Kozarës"

BERAT -Luan Mara, autori i "Masakrës së Kozarës" është ridënuar dje pas rigjykimit me burgim përjetë nga Gjykata e Faktit në Berat, edhe pse Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendimin nr.14 datë 03.05, 2011 e quajti antikushtetues vendimin e parë të kësaj gjykate, por dhe të Gjykatës së Apelit në Vlorë e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke urdhëruar gjykim nga e para. Në bazë të këtij vendimi, 35-vjeçari Luan Mara, i arrestuar në vitin 2006 me akuzën e rëndë për vrasjen e vëllait të tij Shpëtim Mara 30 vjeç, kunatës Florie Mara 25 vjeç dhe djalit të tyre 2-vjeçar, Artiol Mara, do të kalojë jetën në burg. Dje, në seancën e parë të rigjykimit që u zhvillua nën masa të forta sigurie, ishte i pranishëm dhe i akuzuari Mara. Në përfundim të seancës, i akuzuari dhe mbrojtja kundërshtuan këtë vendim si të padrejtë dhe konfirmuan "se do të kërkojmë drejtësinë në shkallët e tjera të gjykimit".
RIGJYKIMI
Rigjykimi i 'mostrës' Mara me vendimin e Gjykatës Kushtetuese me argumentin se "vendimi i dhënë me burgim të përjetshëm në të tri shkallët e gjykimit, është antikushtetues", shënonte një rast tepër të rrallë dhe si i tillë kishte ngjallur interes të shumtë. Seanca që nisi në orën 10:00 të ditës së djeshme dhe vazhdoi më shumë se tre orë u zhvillua nën vëzhgimin e forcave të shumta të policisë. Gjithashtu, në seancë merrnin pjesë dhe familjarët. Trupi gjykues i përbërë nga Erjol Roshi kryetar, Margarita Buhali e Pëllumb Zaimi anëtarë ka dhënë të njëjtën masë dënim për Luan Marën, si edhe më 24 maj 2008, atë me "burgim të përjetshëm". Monstra Mara, edhe pse ishte vetë i pranishëm në sallë, gjatë debateve në seancë u përfaqësua nga avokati Alban Bengasi. Ky i fundit në nisje të procesit gjyqësor ka bërë mbrojtjen e të pandehurit me anë të një materiali që ishte paraqitur më parë. Megjithëse avokati kërkoi pafajësi për klientin e tij, duke mos e pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria për vrasje në rrethana të cilësuara, trupi gjykues vendosi burgim të përjetshëm.
DREJTËSIA
Ngjarja që cilësohet ndër ngjarjet më të rënda të 20 viteve të fundit ndodhi më 9 shkurt të vitit 2006 në fshatin Avaleas të Kozarës në Berat. Ai u akuzua për vrasjen me armë të vëllait të tij Shpëtim Marra, 35 vjeç, kunatës Florie Mara 30 vjeçe, shtatzënë dhe djalit të tyre Artiolit, 4 vjeç. Shkak i krimit brenda familjes ishte dyshimi i shoqëruar me konflikte për marrëdhënie intime(deri dhe qenien baba i fëmijës së palindur) me të kunatën. Me gjithë kërkimet arma e krimit nuk u gjet kurrë. Më 24 maj 2008, Gjykata e Faktit e Beratit e dënoi atë me burgim të përjetshëm për akuzën e "vrasjes në rrethana rënduese dhe të më shumë se një personi". Më 3 mars 2009, Gjykata e Apelit Vlorë e la në fuqi këtë vendim. Ndërsa më 21 shtator të vitit 2010, edhe Gjykata e Lartë e la në fuqi këtë vendim. Pikërisht këto tri vendime janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka urdhëruar "dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Beratit". Dje, togat e zeza të kësaj gjykate ridhanë masën e sigurisë "burgim të përjetshëm" për 35-vjeçarin Luan Mara.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›