E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidë "magjike" në Londër, Arsenali trondit Barçën

LONDER-Për të parë ndeshje të tilla ndoshta do të duhet një kohë e gjatë. Përballja mes Arsenalit dhe Barcelonës, e zhvilluar mbrëmë në "Emirates Stadium" të Londrës, ka dhuruar spektakël, emocione, gola dhe veprime magjike të dy skuadrave që luajnë pa më të voglin dyshim futbollin më të bukur në Evropë në këto momente. Në fund, fitues kanë dalë "Topçinjtë" e Arsen Venger, të aftë të përmbysin rezultatin ndaj asaj që konsiderohet si skuadra më e mirë e botës. Takimi i mbrëmshëm ka pasur gjithçka brenda, por në fund ka triumfuar zemra e futbollistëve të Arsenalit. Në letër, askush nuk mund të krahasohet me këtë Barcelonë, por Venger dhe "djelmoshat" e tij kanë treguar se me një futboll të bukur dhe me guxim, mund të arrish ta mposhtësh. Humbja e mbrëmshme bën që shanset për kualifikim të mos jenë edhe aq shumë në favor të Barçës, ndonëse kjo e fundit mbetet një skuadër më shumë se e frikshme në "Kamp Nou".
Rastet e humbura
Nëse Barcelona ka humbur, ajo duhet ta gjejë shpjegimin pikërisht te rastet e shumta të humbura ndaj një skuadre që nuk di edhe aq të mbrohet. Lionel Mesi, por edhe Pedro, Dani Alvesh apo David Vija, kanë shpërdoruar pafund përballë portierit të ri Shezni, i cili nga një i panjohur, është kthyer në hero brenda një nate. Të shohësh Mesin të humbasë kaq shumë para portës është një rast i rrallë, por argjentinasi mbrëmë nuk ka qenë aspak në ditën e tij më të mirë, përpos prekjeve magjike me topin. Katalanasit kanë treguar edhe njëherë se dinë ta qarkullojnë më mirë se kushdo tjetër topin, por kur ky qarkullim është i tepruar, ekziston gjithnjë rreziku i pësimit.
Ndeshja
Takimi ka nisur më i mirë për Arsenalin, që në 10 minutat e para ka parë më shumë drejt portës së Barçës. I pari ishte Robin Van Persi që dha sinjalin, duke goditur bukur në zonë, por është ndalur nga Viktor Valdes. Më pas, Mesi del i vetëm me Sheznin dhe të gjithë krijojnë idenë e golit, por parabola e argjentinasit përfundon ngjitur me shtyllën. E megjithatë, në minutën e 27-të argjentinasi do të bëhet njeriu asist, duke dhënë një top të artë për David Vijën, që i vetëm arrin ta dërgojë topin mes këmbëve të portierit polak. 0-1 dhe në "Emirates" pllakos heshtja. Por, vetëm për pak minuta, pasi anglezët nuk janë mësuar të rrinë pa festuar. Mesi dhe Dani Alvesh kanë nga një tjetër mundësi për të dyfishuar, por e marrin me shumë modesti këtë gjë. Në pjesën e parë, Arsenali thuajse nuk ka prekur më asnjë top, pasi dominimi i spanjollëve ka qenë i dukshëm. Edhe në të dytën, ishte Barça ajo që kishte fjalën e parë në çdo aksion. Megjithatë, atë që nuk bëjnë sulmuesit katalanas, e bën Van Persi. Pasi merr një top nga Arshavin, holandezi del në pozicion të prirët dhe mposht Valdes me një goditje të kalibruar. Barça duket e kënaqur edhe me 1-1, por Arshavin, pasi merr një top nga Nasri, shënon qetësisht golin e dytë. Atë të festës së "Topçinjve".

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›