E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidon më të mirët

Nga Express më 06 janar 2011 në ora 12:22

Majlinda Kelmendi do të marrë pjesë në turneun prestigjioz të xhudos, ‘Masters-The best of the best’, i cili mbahet nga 13 deri më 16 janar në Baku të Azerbajxhanit. Në këtë turne, përveç xhudistes së njohur kosovare, do të marrin pjesë edhe xhudistë nga 30 shtete, prej 202 vendeve anëtare të Federatës Botërore të Xhudos.

“Nga 202 shtete - anëtare të Federatës Botërore të Xhudos - në Masters janë kualifikuar rreth 30 prej tyre, e kjo tregon që FXHK-ja është në mesin e shteteve me buxhetet qindra-milionëshe në Masters”, thuhet në komunikatën e Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK).

Kjo turne ka një fond shpërblyes prej rreth 200 mijë dollarëve, por kjo garë do të jetë një sfidë e vështirë për Majlinda Kelmendin, e cila në Baku do të shoqërohet nga trajneri i saj, Driton Kuka.

“Në Masters, në kategorinë 52 kg, ku garon Kelmendi, favorite janë dy xhudistet japoneze, Nakamura dhe Nishida, të cilat shpresojmë që të mos jenë kundërshtare të Kelmendit në fillim të kësaj gare”, thuhet në kumtesë.

Aktualisht, Kelmendi me reprezentacionin kosovar të xhudos gjendet në Itali, në një kamp stërvitor.

Kelmendi është kandidatja më serioze nga sportistët e tjerë kosovarë për t’u kualifikuar në Olimpiadën Londra 2012. Por, sipas FXHK-së, 18 vjeçarja ka nevojë për mbështetje më të madhe financiare nga institucionet shtetërore të Kosovës, sepse në të kundërtën, shteti më i ri në botë mund ta humbasë këtë sportiste, të cilën shumë vende të tjera dëshirojnë ta neutralizojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›