Shagane, moj Shagane
Esenini është përfaqësuesi më i njohur dhe më popullor i letërsisë ruse të shekullit XX, është talenti poetik më i spikatur i asaj që është quajtur “poezia e argjendtë” e Rusisë. Duke u magjepsur nëpër vargjet e Eseninit na kujtohet thënia e njohur e Gëtes, se “atdheu i poezisë lirike është Persia”. Esenini të bukurën dhe të virtytshmen i ka konceptuar në një harmoni shumë poetike, të mrekullueshme; ai i pa ato të mëshiruara në atdheun e tij, që e deshi pa masë.
M.A. Anna Rykova (Rusi)
Esenini është përfaqësuesi më i njohur dhe më popullor i letërsisë ruse të shekullit XX, është talenti poetik më i spikatur i asaj që është quajtur “poezia e argjendtë” e Rusisë. Duke u magjepsur nëpër vargjet e Eseninit na kujtohet thënia e njohur e Gëtes, se “atdheu i poezisë lirike është Persia”.
Esenini të bukurën dhe të virtytshmen i ka konceptuar në një harmoni shumë poetike, të mrekullueshme; ai i pa ato të mëshiruara në atdheun e tij, që e deshi pa masë. Esenini i madh na la trashëgimi vetëm pesë vëllime me poezi, ku mjeshtëria artistike ka bërë të veçohen ato me karakter lirik, ku spikatin krijimet për dashurinë dhe natyrën, në të cilat Esenini ka derdhur vrullshëm e plot klas gjithë nektarin e mbledhur nga përvoja apo dhe ndikimi e krijimtaria oriente.
Në poezinë eseniniane bie në sy konceptimi disi i veçantë, origjinal, i motivit të dashurisë. Dashurinë ai e ka ndier poetikisht për së largu. Poetin e ka inspiruar për bëma të mëdha më shumë imazhi i dashurisë për dikë, ndjenja konkrete në gjirin e së dashurës.
Është ky një konceptim origjinal dhe mbresëlënës. E gjejmë në kryeveprën e tij, në poemën “Ana Snjegina”, por edhe në perlën poetike “Letër nënës” si dhe në shumë poezi të tjera.
Nuk është rastësi që poemat dhe poezitë e përmendura më lart të Eseninit janë përkthyer në shqip nga pena shumë të shquara të letërsisë shqipe, duke nisur me “dinozaurët” Agolli dhe Kadare, por edhe nga Jorgo Bllaci, Vangjush Ziko, Dhori Qirjazi, Harallamb Qesku, Esad Mekuli. Versionet e tyre, falë përsëri edhe një ndikimi oriental të futur thellë në muzën e vetë shqiptarëve, janë njëri më i arrirë se tjetri, por pa dyshim me një kreshendo marramendëse janë versionet e Dritëro Agollit dhe Jorgo Bllacit. Ato janë rast i pashoq në përkthimet shqiptare. Meritë e këtij shkëlqimi nuk është vetëm mrekullia e penës eseniniane, me një konsideratë të jashtëzakonshme për poetin rus, por edhe ndikimi i vërtetë khajamist oriental.
E pra, edhe në kryeveprën e tij, në poezinë “Ana Snjegina”, ashtu si në perlën e tij “Letër nënës”, Esenini rievokon kujtimet për të dyja këto qenie, më të dashurat të tij në botë, por ato lëkunden dhe përkëdhelen në djepin e një ndikimi persian në tërësinë e tyre jo vetëm të mendimit dhe idesë, por dhe të formës, muzikalitetit, ngarkesës artistike, që i jep një karakter fantastik dhe të arrirë në nivel shumë të lartë këtyre perlave.
Esenini i ka kënduar me ashk zemre më tepër mallit të dashurisë sesa vetë ndjenjës konkrete të dashurisë dhe këtë veçori ia ka bërë të lehtë vetë njohja e letërsisë orientale, sepse, siç thonë kritikët dhe biografët e Eseninit, edhe dashuria për Ana Snjeginën (me këtë emër është quajtur e dashura reale e Seriozhkës, që banonte në Riazan) ka qenë e ndërsjellë, e madhe, kurse për përgjërimin përpara së ëmës as që mund të bëhet fjalë. Por çfarë e pengonte të bashkëjetonte? Asgjë. Ishte largësia nga burimet e dashurisë ajo që ia amplifikonte ndjenjën poetit dhe që realisht e bënte të bashkëjetonte me jetën, të dashurat, nënën, Rusinë, ëndrrën.
U ndalëm jo rastësisht në këtë intermexo për lirikën dashurore të Sergei Eseninit. Pas kësaj, më së miri arrijmë që ta kuptojmë thelbin specifik të ciklit të mahnitshëm poetik “Motive persiane”, në analizën e të cilit do të përqendrohemi më gjatë.
Ciklin e shkroi në fund të vitit 1924 dhe në fillim të 1925-s, pra, në muajt e fundit të jetës në Kaukaz. Përbëhet prej poezive shumë të njohura, gjithsej 15, ndër të cilat:
”Shagane, moj Shagane”
“Plaga ime e vjetër aq sfilitëse”
“Shtjermë çaj të fortë, mejhanxhi”
“Pyeta sot sarafin që me natë”
“Ti më thua se Saadiu...”
“Asnjëherë s’e kam parë Bosforin” etj.
Larmia tematike e krijimtarisë së Eseninit është e madhe, por nuk ka asnjë dyshim që motivet e dashurisë mbushin vjershat më të mira të krijuara prej saj, të cilat së bashku me poemën “Ana Snjegina” janë më të mirat, më ekspresivet, më emocionueset, më meliodiozet dhe më të arrirat në letërsinë botërore.
Normalisht që në veshjen e tyre artistike manteli oriental dhe pers i ka dhënë luksin jo vetëm theksor, por edhe përmbajtjesor dhe muzikaliteti i tyre të bën të dridhesh e njëherazi të sjellësh në kujtesë poezinë perse.
Esenini iku në atë botë me një ëndërr të madhe të parealizuar, ajo për të vizituar Iranin, Turqinë dhe vende të tjera të Orientit, dhe kjo ishte një plagë e madhe, sepse ai ëndërronte të prekte, shijonte apo të bëhej njësh me ato që kishte përjetuar dhe të cilat e kishin mbrujtur thellë në shpirt, pra me ndikimin e poetëve persë.
Fakti që nuk i pa Teherenin dhe Stambollin i doli për mbarë, sepse dëshira e paplotësuar ia ndezi, ia larushoi së tepërmi fantazinë, tek iu vu rikrijimit të imazhit për jetën pasionante të këtyre vendeve, sidomos për figurat e nxehta dhe sensuale për çka me shumë mjeshtëri poetike këndohet në lirikat erotike të pashoqe të poetëve të mëdhenj si Firdeusi, Saadiu, Omar Khajami, me të cilat Esenini ishte njohur nga përkthimet e mrekullueshme të akademikut rus Korsha. Zgjodhi paralelizmin poetik, duke krijuar imazhin për Shaganenë dhe për bukuroshen e dashur të veriut, që poeti e kishte lënë në vendlindje e tani e kujtonte me mall.
Shagane, moj Shagane,
Në veri larg një vajzë kam lënë,
Porsi të ishte yll a hënë,
Mbase zgjohet gjumi sezë,
Shagane, moj Shagane...
Përsëri nxjerr kryet esenineja, që është malli dashuror, është kujtimi për të dashurën, ai që e shtyn poetin ta ndiejë aq fort dashurinë.
Po përse iu drejtua motiveve persiane Esenini? Përse nuk rievokoi imazhe femrash perëndimore, kur dihet që në Perëndim ai udhëtoi shumë dhe dashuroi shumë?
Pa dyshim që ndihet ndikimi i poezisë orientale, e cila është poezia që ai ndjeu e krijoi kaq shumë pika takimi me erotikën orientale. Theksojmë se Esenini nuk ishte i vetmi që u ndikua prej saj. Janë të shumta personalitetet e mëdha poetike evropiane që kanë adhuruar dhe janë ndikuar nga letërsia perse. Gëtja është shprehur se atdheu i poezisë lirike është Persia. Në imitim të saj Gëte shkroi ciklin poetik “Divan” që mbahet ndër më të frymëzuarit në krijimtarinë e poetit të madh. Motivet orientale tingëllojnë mrekullisht ëmbël edhe në poezitë e Bajronit e deri tek Naimi apo Fan Noli me atë përkthim, madje rikrijim të përsosur të “Rubairave”.
Në “Motivet perse” Esenini ka ngjizur në një të tërë poetikë përfytyrimin e vet për botën ideale, të harmonisë dhe të bukurisë, të përshkruar edhe nga qëndrimet patriarkale karakteristike nga nostalgjia vetjake dhe nga adhurimi deri në përulje ndaj gjithçkaje kombëtare ruse, të zhveshur nga prozaizmi vrastar dhe nga vulgarizmi katastrofik.
Për transferimin e ëndrrës së mrekullueshme të qetësisë së amshuar dhe të dashurisë së paanë, poeti iu drejtua mjeteve të sprovuara poetike, një figure, një figuracioni sa të qartë dhe të goditur, aq edhe të thjeshtë e të ngulitshëm në kujtesë:
Plagët e dikurshme m’u përthanë,
S’dua më të dehem, si gjer dje.
Me të kaltra lule Teherani,
Shpirtin po shëroj në çajhane.
Por asaj, që derdh aq bukur shtatin,
Që fytyra si agim i ndrit,
Një qilim Shirazi për dhuratë,
Dhe një shall ia fal në çast me shpirt.
Po ndalemi shkurtimisht në analizën e poezisë më të goditur të ciklit “Motive persiane”, atë me titullin e njohur: “Shagane, moj Shagane”.
Duke iu drejtuar Sashës që ia ka robëruar shpirtin poetit, syzezës, vetullzezës, lëkurëfarfurisë, me nur princeshe, poeti, që në strofën e parë, nuk harron t’ia kujtojë se:
“...Nga veriu unë jam, të kam thënë...”
dhe në strofën e dytë Shirazi i Orientit u kundërvihet fushave të pamata të Riazanit, kur ai thotë se:
“...hapësira riazian ia kalon bukurisë shiraze...”
dhe nuk vonon shpjegimi:
“...Sepse jam nga veriu
flokët i kam me thekër ....” etj.
Dhe:
“Ndaj këndo, moj mikja ime
Veç një herë rron mbi dhe!”
Në këtë poezi secila strofë është mbyllur me një unazë, që natyrisht të kujton shaminë e kokës që përdorin persianet të stolisura me rupa dhe tamina (“Një persian, që këngës keq ia thotë /Kurrë nga Shirazi s’mund të jetë”). Në të njëjtën kohë, motivet poetike, duke u gërshetuar dhe bashkërendur të ndërmendin qilimat persianë me motive të spikatura që qëndrojnë veçmas, por njëherazi shkrihen në një të tërë të harmonishme.
“...Po kur shterr kjo vlagë krejt, dhe zemra,
Mbetet si një shkëmb floriri i shkretë,
Vetëm hënë e Teheranit këngës
S’mund t’i japë ngrohtësi dhe jetë….”
Cikli poetik “Motive persiane” për koloritin e gjallë, për adhurimin e bukurisë së qetë veriore, shquhet për kuptimin e dashurisë si një dhuratë që nuk ka të çmuar si vlerë më e madhe që na ofron jeta, por shquhet edhe për shpalosjen aq mjeshtërore të ndjenjës së shenjtë që përjeton heroi lirik, sa të pasionueshme, po aq edhe të thjeshtë, kurdoherë thellësisht njerëzore. Dhe tërë kjo begati poetike eseniniane është e dhënë përmes një forme poetike të pashoqe, përmes një gërshetimi ngjyrash si ato të qilimave persianë.