SONDAZHET, SINDROMI YNË I VJETËR I “PËRQINDJEVE”
Selim Belortaja
Në këtë javë, temë qendrore e debatit politik u bënë dy sondazhe të opinionit publik në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Cili është komenti juaj?¬
E di çfarë më shqetëson mua, më shumë se çdo gjë në këtë mesele? Vetë fakti që “sondazhet” u bënë përnjëherësh tema kryesore dhe zunë pa problem kryet e vendit (headlines – siç kanë qejf t’i thonë sot ca analistë-monopolistë). Më shqetëson pra shpejtësia me të cilin ato gllabëruan vëmendjen dhe llogjet e përditshme të publikut. Duket irreale të shohësh se si masivisht, kokat e gati një shoqërie të tërë, një pjesë e të cilës nuk ka as shtëpi, as punë e as perspektivë, kthehen si me buton andej nga erdhi “lajmi”. Sikur të kishte rënë një meteorit nga qielli. E morët vesh? Dolën sondazhet! Eh ç’vete, ç’vete! ǒgallatë do të jetë sivjet!
Kjo për mua tregon se punët nuk i kemi hiç mirë. Nuk ka se si të mos pyesim veten: ǒe kemi këtë mjedis kështu? Mirë disa krerë të politikës, të cilëve u intereson direkt të luajnë e të vallëzojnë me opinionin e lodhur e të shushatur publik, duke hedhur shashka e ndezur llambushka përqindjesh të qena e të paqena. Duke porositur e katranosur kësi lloj spektaklesh, këta krerë janë fundja-fundit “në zanatin e tyre”. Synimi madhor i tyre s’mund të jetë veçse po ai që ka qenë në këta 15-20 vjet. Ata të pushtetit synojnë t’i hedhin opinionit ca gjëra që të rrëmbejnë gjithë vëmendjen e tij, disa gjëra që të ndiqen me më shumë joshje edhe sesa telenovelat meksikane, disa gjëra që të mbushin gjithë ditën e njerëzve, që të anashkalojnë gjithë dertet e tyre, t’i hapin disa vrima e “valvola” nga ku ai të shkarkojë në erë gjithë mllefin e pakënaqësitë e mbledhura.
Ndërsa ata të opozitës, synojnë që me sa shifra e fat-thënie, (jo me rrugëzgjidhje dhe ngjalljen e një besimi real mbi ofertën e tyre politike reale), të sugjestionojnë miletin dhe krijojnë psikozën e nevojshme që ai, jo me vetëdije, por thjesht me instinktin e zebrës dhe antilopës afrikane, t’i futet pellgut më të parë, pa menduar fare se atje, vërtet i shpëton për një çast luanit, por të pret gojëhapur vetë... krokodili.
I kuptueshëm është edhe ekzaltimi dhe tollovia e pashoqe e një pjese të medias shqiptare, kënaqësia me të cilën ajo nis e zhgërryhet në këtë llucën ngjitëse që krijon debati i cekët për sondazhet. Edhe ata në zanatin e tyre janë. Fat i madh që në dorë u ka ardhur një temë sa e lehtë për të luajtur e manipuluar aq edhe pikante e djegëse për të mbajtur ndezur kureshtjen e opinionit tonë publik. Le që ky ndizet vetiu edhe pa shumë piper e kripë. Pa le pastaj që për disa prej “yjeve” tona mediatikë kjo krijon një rast të artë edhe në një aspekt tjetër: i rrit ata mjaft, madje i mistifikon në sytë e politikanëve e vendimmarrësve. I përfshin në klube të larta. Se sondazhet janë shifra pushteti. Interpretimi i tyre është gati njësoj si të luash në piano “valsin e pushtetit”. Krerët tanë vërtet janë shollë për nga veshi i muzikës, po këto nota i ndiejnë me qindra kilometra larg. Kështu që “pianistët” më të mirë për ta, këto ditë janë pikërisht ata dy-tre moderatorët e njohur të mediave të mëdha elektronike. Ata që me shifrat e Gani Bobit a Zogbit në dorë, marrin poza e japin “sihariqe”: Ti fiton, ti ke probleme. Me ty do të merremi më vonë. Po u solle mirë, edhe për ty mund të bëjmë diçka.
Dakord, gjithashtu edhe me kompanitë që na ushqejnë me këtë produkt të kohëve moderne: sondazhet. A mund të shahen ato për këtë? Në asnjë mënyrë. Përse t’i shash? Që kanë zgjedhur pikërisht këtë zanat e “sektor të ekonomisë?” Është krejt e drejta e tyre që nga të gjitha fushat që ofron jeta rreth e rrotull, ata kanë vendosur ta shërbejnë shoqërinë pikërisht në këtë mënyrë. Dhe në vend që të na japin, fjala vjen, fruta e perime, kompjutera a makina, zgjidhje apo formula zhvillimi, rrugë apo aeroporte, na furnizojnë me... sondazhe. Pra, shesin shifra. Shifra, të cilat në fakt tentojnë të “masin” mendjen tonë, gjykimet tona. Por ndryshe nga unë e ti e gjithë mileti, që ia themi hapur njëri-tjetrit mendimet tona, kompanitë e sondazhit s’japin asgjë pa lek. Mendimet tona pra ato i mbledhin dhe pastaj i shesin. Zakonisht me valutë të huaj. Natyrisht pasi u bëjnë disa nomatisje e paketime. S’është zanat i keq apo jo. Të bësh lekë me mendimet e tjetrit... Po as që bëhet fjalë që dikush “t’i shajë” ato për këtë. As që bëhet fjalë. Kjo është shoqëria ku kemi hyrë dhe sondazhet janë pjesë e lojës sonë të madhe globale.
Shumë komente ka pasur ditët e fundit, tehu i të cilave drejtohet kryesisht ndaj këtyre shoqërive. Si puna e Zogbit e Gani Bobit. Nuk jam dakord me këto komente. Jo se në parim përjashtohet që “produkt fals” e marifete klienteliste të bëjë edhe Zogbi e Gani Bobi, apo jo. Të gjithë mund të bëjnë hile në këtë botë. Por ama më dëgjoni mirë. Ne që nuk zemërohemi aspak me lulëzimin e qindra bingove e ruletave që çojnë njerëzit përditë në vese e vetëvrasje, ne që përkulemi me nderim para kazinove që gllabërojnë përditë kursimet e njerëzve, ne që i heqim kapelen lloj-lloj ngrehinave mediatike, pseudo-universiteteve e deri dhe “studiove” të shitura kokë e këmbë tek politika e pse jo edhe tek segmentet më të errëta të biznesit e shoqërisë, ne që pranojmë p.sh. furnizimin me një naftë më të keqe, thjesht sepse dikush nuk fiton sa duhet po të hyjë nafta e mirë, ne pra, nuk duhet të çuditemi që ka edhe shoqëri sondazhesh të manipulueshme. Edhe ka, edhe mund të ketë, sigurisht.
Po e keqja nuk qëndron këtu. E keqja në këtë rast qëndron tek porositësit. Tek ata burrat e gratë e sferës që përshkruam më lart. Tek liderët që blejnë e mobilizojnë gjithçka për të marrë e mbajtur çelësat e shtetit. Ndryshe nga tregu i armëve apo i drogës, ku “porositësit” zakonisht janë viktima të industrive përkatëse, të cilat angazhohen fort që të krijojnë veset dhe dipendencën tek njerëzit, tregu i sondazheve e ka të keqen në krahun tjetër. Janë porositësit ata që të marrin më qafë. Që i shtyjnë edhe vetë kompanitë më të kujdesshme e më skrupuloze të sondazheve ta shkelin nganjëherë. Dikush tha se ato janë private e nuk “e shkelin”, sepse ruajnë reputacionin. Dakord, por privatët gjithmonë janë mes dilemash. Mes etikës dhe fitimit. Jo rrallë atyre u duhet të mbyllin kundrejt kësaj të fundit për hir të së parës. Veçanërisht në kohë krizash ndërkombëtare si kjo e sotme, bizneset nuk e kanë dhe aq lehtë të refuzojnë paranë. Derisa bëhet fjalë për aktivitet të ligjshëm. Për më tepër që tregu i tyre në Shqipëri është “fushë me lule”. Nuk ka absolutisht asnjë ent mbikëqyrjeje e verifikimi të cilësisë dhe besueshmërisë. Njëlloj si me fallxhorët. Me shpikësit e feve të reja apo sharlatanët popullorë. Do të gënjesh njerëzit, t’i trullosësh e krijosh iluzione të rreme? Jepi s’të mban kush.
Deri këtu jemi vetëm në parim, se s’dimë kurrgjë për cilësinë e sondazheve në fjalë. Ajo që dimë me siguri, është vetëm një gjë: profili i ulët i porositësve të këtij malli. Dihet se cilët janë “porositësit”. Të qarta janë besoj edhe pyetjet e tjera si, përse ju duhet atyre ky “mall”? Përse tani? Dhe përse kanë mobilizuar gjithë industrinë mediatike e cila po bën çmos që këto dardha të papjekura t’i shesë për reçel. Të kishim një arsye të shëndoshë për këtë, kjo do të ishte vërtetuar. Si? Po ja, më e pakta që mund të bëhej është që në vend të dërgonin radhë debatues e gladiatorë nëpër studiot mediatike, në vend të valëvisnin paradhënie nëpër fshatra e lugina “flamuj të fitores”, partitë ambicioze të spektrit tonë do të duhej të bënin reflektimin më normal në këto raste. Të shqyrtonin shkaqet e dobësitë e të rishikonin programet dhe imazhin e tyre. Së paku, dy partitë e mëdha as që kanë ndërmend të merren me këtë punë.
***
Ja pra i mirëkuptuam që të gjithë. Edhe lidershipet–porositëse të sondazhit, edhe masmediat e apasionuara mbas shifrave që prodhojnë pushtete, edhe vetë bizneset që siç thamë, janë në zanat të tyre. Ajo që nuk po kuptojmë kësaj here dhe për të cilën as që kemi një përgjigje, lidhet me një tjetër kategori njerëzish. Me atë më të pastrën e më të nderuarën moralisht. Me atë që rëndom e quajnë “publiku i gjerë”. Me njerëzit e thjeshtë të punës dhe papunësisë së përditshme, hallexhinjtë dhe nëpunësit, pensionistë e studentë, emigrantë e fermerë. I ndjek ata nëpër biseda tryezash e intervista rrugësh, nëpër kafene e radhë sportelesh, dhe të them të drejtën nuk kuptoj. Si bien edhe ata kështu në këtë lloj debati-kurth? Mirë ata që kurdisin punët e përfitojnë prej tyre, po publiku ynë ç’të ketë vallë që kënaqet e zhgërryhet kaq shumë mbi shifra të papjekura sondazhesh? Që zgurdullon ethshëm sytë andej-këtej nëpër grafikë dhe përqindje, qofshin ato në formë kolonash apo si punë byreku në thela blu, të kuqe a portokall. Si është e mundur që ky publik, goxha i shkolluar që në kohën e diktaturës, që flet edhe gjuhë të huaja me bollëk dhe kryesisht... me guxim (se tamam fare asnjërën nuk e flet), që ka dhe mundohet që atje mes kolonash a copash të “tortës” elektorale të supozuar nga dikush që ka gjetur punë këtej nga mendjet tona, të gjejë të ardhmen e vet?(!) Kjo sigurisht që mbetet një çudi për mua.
Kryeministri Berisha ishte Kryeministri i parë në botë që takoi Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton. Takimi u zhvillua vetëm pak orë pasi Klintoni u takua me ministrat e jashtëm të dy vendeve aleate, David Miliband dhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer. Cili është komenti juaj mbi hapësirat që i krijohen Shqipërisë nga një vëmendje e tillë prej administratës së re “Obama”?
Gjithnjë të vjen mirë kur funksionarë të lartë të vendit tënd përshëndeten e tokin duart me ata të vendeve të zhvilluara, madje edhe të pazhvilluara qofshin. Por do të më vinte edhe më mirë akoma nëse shihja që shtysa dhe motivet e njeriut tonë të ishin të larta, të pastra e në shërbim të vendit të vet. Pra, jo thjesht për t’u shtyrë në kuadratura fotosh e mbledhur material për dosjen e vet të propagandës personale. Në rastin konkret i kemi të dyja këto frute. Të dukshme e të qarta sa një mal. Edhe pse pa një axhendë të parapërcaktuar, edhe pse një bisedë-anekse e zhvilluar si dhjetëra takime të tjera sekondare që ndodhnin ato ditë nëpër cepat e ambientit ku zhvillohej një ceremoni kryesore, ky sërish është një lajm i mirë. Është i mirë se tregon një vëmendje konstante për Shqipërinë. Sa për koncesionet personale, këtu edhe zoti Berisha do të bënte mirë të ishte pak më i rezervuar. Sepse ne nuk mund ta dimë me siguri nëse zonja Klinton do të donte që në krye të delegacionit shqiptar të shihte këtë apo atë person konkret të veçantë. Këto gjëra nuk i shfaq njeriu.
***
Dhe këtu më vjen një tjetër koment që lidhet me ngjyrat dhe tonet me të cilat e vishni ju këtë ndodhi. E kam pra me vetë pyetjen tuaj. Të më falni po a nuk ju duket se ka shumë patetizëm brenda saj? ǒdo të thotë kjo që ky yni qenka “Kryeministri i parë në botë” që takoi zonjën Klinton? Kështu si e shtroni ju, duket sikur të gjithë kryeministrat e botës e lanë Presidentin Obama dhe zunë të gjithë radhë kush e kudh të takonte zonjën Sekretare Klinton. Mirëpo nuk ishte ky rasti. Kryeministrat me protokoll tamam-tamam për homolog kanë zotin Obama dhe jo ndonjë nga Sekretarët e Shtetit, qoftë ky edhe aq i fortë e i rëndësishëm sa zonja Klinton. Në këtë protokoll, kur një kryeministër i një vendi sado të vogël, i kërkon me ngulm (merret me mend ngulmi dhe energjitë që janë mobilizuar nga gjithë ekipi ynë për atë takim të shpejtë), një ministri të një vendi tjetër (sado të madh) ky i fundit ndihet i nderuar dhe zor ta refuzojë. Ja p.sh. shumë vite më parë, unë asokohe në cilësinë e ministrit, u ndodha në sulltanatin e Bruneit. Nuk bëj shaka, isha atje dhe ndihesha mirë. Sulltani i atjeshëm më priti edhe mua dhe doemos më zgjati dorën. ǒtë them unë tani? Që “Sulltani i Bruneit ishte i pari sulltan në botë që më takoi mua si ministër?” Apo mos duhet që gazetat vendase atje të shkruanin me të madhe se sovrani i tyre ishte “sulltani i parë në botë” që takoi një ministër nga Shqipëria?
Pastaj i pari në botë për çfarë? Që i ka zgjatur dorën zonjës Klinton? Dhe që ajo pastaj i është përgjigjur dhe nuk ia ka lënë dorën në hava Kryeministrit tonë? Po kjo është normale edhe për kryeministrin më të ri të botës nëse do të përballej me Sekretaren Klinton në të njëjtin holl ku bëhet një ceremoni e përbashkët ndërkombëtare dhe ku ajo është mikpritëse, ndërsa ne miqtë. E jo më pastaj kur është fjala për një kryeministër ish-president i cili s’i ndahet udhëheqjes së një vendi prej gati 20 vitesh.
Cili është komenti juaj për faktin që vendi ynë shumë shpejt bëhet pjesëtar me të drejta të plota në NATO dhe tashmë bëhet pjesë e klubit të shteteve me standarde demokratike më të larta në botë? Sa duhet t’i gëzohen shqiptarët këtij fakti dhe sa kredite duhet që elektorati t’i japë qeverisë aktuale?
Ngjarje e gëzueshme, pa dyshim. Por, siç e kemi thënë disa herë më parë, nuk është punë kreditesh. Vendimi për zgjerimin e NATO-s është çështje shumë komplekse. Në radhë të parë është punë balancash globale. Kryesisht balancash force e territoresh. Dhe ky vendim as që merret prej nesh. Dhe as që lidhet medoemos me një leverdi më të madhe apo më të vogël në termat e komfortit tonë të ardhshëm si njerëz e si qytetarë. Ajo që kemi në dorë të bëjmë ne tani, është vetëm që t’i gëzohemi pa masë kësaj ngjarjeje.