Dy “blackout” lënë në errësirë vendin
Dy “blackout” lënë pa energji disa zona të vendit. OST-ja njoftoi dje se ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, si pasojë e avarisë së ndodhur në linjën 220 kv Burrel-Tiranë. Sipas OST-së, ditën e enjte në orën 20:30 , si pasojë e motit të keq, ndodhi një avari e rëndë në linjën 220 kv Burrel-Elbasan. Avaria e ndodhur në këtë linjë ka solli stakimin e nënstacionit 220 kv dhe 400 kv të Elbasanit, duke lënë pa energji elektrike qytetin e Elbasanit, Jugun e vendit dhe pjesën më të madhe të Tiranës. Menjëherë pas kësaj situate, u morën masat për lokalizimin e avarisë dhe kthimin në normalitet të të gjithë sistemit energjetik. Në zonat, të cilat ngelën pa energji elektrike si pasojë e avarisë, energjia elektrike u rikthye pas 20-45 minutash. Në një pjesë të Tiranës, për shkak të një tjetër avarie të ndodhur në linjën Selitë–Sharrë, energjia elektrike në zonat që furnizohen nga kjo linjë u rikthye pas 2 orësh. Ndërkaq OST-ja njoftoi se dje në orën 09:15 minuta u stakua linja e interkonjeksionit Fierzë-Prizren si pasojë e mbingarkesës në rrjet.
Menjëherë pas kësaj u stakua edhe autotransformatori 400 kv i Elbasanit, si rrjedhojë, sistemi shqiptar shkëputet nga sistemi grek. OST-ja theksoi se pas avarisë së ndodhur mbrëmjen e ditës së enjte jashtë pune ishte linja 220 kv Burrel-Elbasan dhe një autotransformator në nënstacionin 400 kv të Elbasanit, për të cilët po punohet.
Avaria e ditës së premte, si rezultat i prishjes së balancës së fuqisë, stakoi agregatët në hidrocentralin e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Kjo ishte arsyeja që ndodhi rrëzimi i plotë i sistemit tonë energjitik. Për rivendosjen e gjendjes u morën masa të menjëhershme. Fillimisht brenda 30 minutave mori pjesërisht energji elektrike Tirana, pas 15 minutash i gjithë qyteti i Tiranës dhe një pjesë e vendit u furnizua me energji elektrike. Pas 90 minutash Operatori i Sistemit të Transmetimit ktheu në normalitet të plotë Sistemin Elektroenergjitik Shqiptar.