Shahin kthehet ne Dortmund

Një kthim në shtëpi vështirë se të bën keq. Madje, në rastin e Nuri Shahinit, duket një kurë e domosdoshme. Mesfushori turk vendosi ta luajë me Dortmundin gjysmën e dytë të sezonit dhe shkak për këtë u bënë problemet që kaloi tek Reali i Madridit dhe tek Liverpuli.
Gjatë vjeshtës dhe fillimit të dimrit, Shahin u huazua nga madrilenët për në Angli, por edhe aty nuk “i ndezi”. Trajneri Roxhers i dha disa mundësi, por forma jo aq e mirë dhe mungesa e rezultateve bënë që të ndërronte mendje.
Futbollisti 24-vjeçar ka ende kontratë me Realin, marrëveshje që vlen deri në 2017, ndërsa kartoni i tij kushtoi 10 milionë euro. Gjithsesi, nuk dihet nëse sezonin tjetër do të kthehet në “Bernabeu”. Gjithçka do të varet nga ajo që do të tregojë tek kampionët e Gjermanisë dhe tek qëndrimi apo jo i Murinjos në stolin “merenges”.
Është keqardhje e vërtetë ta shikosh këtë talent të shkëlqyer që të vuajë, veçse ai u godit nga një dëmtim në mbyllje të sezonit të fundit në Bundesligë, gjë që e pengoi për shumë kohë që të luante me madrilenët.
Shpresohet shumë që ai të rinisë të shkëlqejë, ashtu si 3 sezone më parë kur u shpall Lojtari më i mirë në Bundesligën gjermane.