E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shakaja e Saleo Stojanit në qelitë e 313-ës: “T’i bëj xhep ministrit”

TIRANE - "Të vjedhësh në xhepin e një ministri". Ky ishte humori më i fundit që tentoi të "demonstronte" Saleo Stojani, personazhi i njohur i qindra vjedhjeve në Tiranë dhe qytetet më të mëdha të vendit. 

Dhe për më tepër "shakaja" e 15-vjeçarit do të zhvillohej vetëm pak metra larg qelisë ku i mituri i "tmerrshëm" kalon ditët prej një viti. Gjithçka ndodhi paraditen e djeshme kur ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ndodhej në burgun 313 në ceremoninë e përurimit të ambienteve të reja për minorenët në këtë institucion. Në ceremoni ndodhej edhe kreu i burgjeve, Gazmend Dibra, si dhe funksionarë të paraburgimit 313. Pasi i përshëndeti të miturit e paraburgosur ministri vizitoi ambientet e brendshme të burgut, qelitë, sallën e kompjuterëve, klasën mësimore dhe bibliotekën, në të cilat 21 të miturit do të kalojnë pjesën më ta madhe të ditës. Pasi u përshëndet nga ministri, i mituri Stojani, i cili njihet si tmerri i vjedhjeve në kryeqytet, iu prezantua duke i thënë me humor se ishte autor i qindra vjedhjeve. "Uroj të mos bëhesh si Arsen Lupeni", ia ktheu me humor ministri, por ndërsa po vazhdonte të dilte nga salla e kompjuterëve Stojani duke vazhduar shakanë e nisur pak më parë pohoi me theks vlonjat në një moment që kamerat e shumta të televizioneve po regjistronin skenën: "T'i bëj xhep ministrit". Shakaja e tij për momentin u bë e besueshme, ndërsa Stojani nuk përtoi t'i afronte dy gishta të dorës së djathtë xhepit të xhaketës së ministrit, duke demonstruar një skenë të vërtetë vjedhje, ndoshta nga ato që ka kryer me dhjetëra nëpër autobusët urbanë para se të përfundonte në qeli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›