E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Bijtë e diktaturës nuk mund të prekin demokracinë



“Çdokush që mund të mendojë se mund të cenojë ligjin, gabohet rëndë”. Ky ishte reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, pas përfundimit të protestës së opozitës. Topalli deklaroi se bijtë e ish-drejtuesve të sistemit komunist nuk do mundin dot të prekin demokracinë shqiptare, 20 vjet pasi ka rënë Muri i Berlinit. “Kushdo që mund të mendojë se mund të sulmojë apo të përpiqet, me instrumente të paligjshme të cenojë ligjshmërinë, natyrisht që gabohet rëndë. Sot jemi në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit dhe për ne shqiptarët e në mënyrë të veçantë për Partinë Demokratike që ishte forca që rrëzoi komunistët, byronë politike, sigurimsat e shtetit. Natyrisht që askurrkush, as bijtë, as ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit, as ministri i fundit i Ramiz Alisë, as emrat e Xhelilëve apo të Hamidve apo të të tjerëve, nuk mund të guxojnë që të cenojnë ligjshmërinë dhe punën e Parlamentit, të qeverisë dhe institucioneve. Për ne s’ka gjë më të rëndësishme dhe gjë më të bukur, sesa të shohim demokracinë shqiptare, funksionale, është një demokraci e pakthyeshme ndaj dhe shteti ligjor është gjëja më e rëndësishme për ne, është gjëja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë për ne dhe askush nuk mund të guxojë që të prekë këtë sistem të demokracisë”, - deklaroi Topalli. Ajo tha më tej se zgjedhjet e 28 qershorit janë të certifikuara dhe sipas Topallit, vendimi i 16 nëntorit për pranimin e kërkesës së Shqipërisë ishte mesazhi më i qartë. Kryetarja e Kuvendit dha këtë deklaratë në përkujtimin e 20-vjetorit të miratimit të Konventës së Fëmijëve. “Detyra jonë është që, së bashku me prindërit e këtyre fëmijëve të vazhdojmë në rrugën tonë. Pas pak ditësh ne do të votojmë buxhetin, që është programi i qeverisë i përkthyer në ligj në Parlament, i cili është shtuar me 600 milionë dollarë të tjerë dhe të gjithë këto para, janë për ekonominë shqiptare janë për ekonominë familjare, janë për shkollat e fëmijëve, janë për spitalet e fëmijëve, janë për ekonominë e prindërve, dhe janë për rritjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare”, - tha më tej kryetarja e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›