E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parakushtet e Ramës duhen miratuar prej ODIHR-it, para diskutimit në parlament

10-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha ka detajuar përgjigjen e tij zyrtare, lidhur me Paktin prej 10 pikash të Edi Ramës, që po mban peng statusin e Shqipërisë. Shefi i mazhorancës kujton se është ODIHR-i institucioni që certifikon propozime që prekin kushtetutën apo kodin zgjedhor, dhe pas këtij miratimi, politika mund të nisë të shqyrtojë një paketë propozimesh, që vijnë si shantazh për aspiratën e shqiptarëve për integrimin e plotë në BE

Kryeministri Sali Berisha i përgjigjet opozitës për 10 pikat e paktit kombëtar për integrimin. Për kreun e Qeverisë, Rama duhet t’ia dërgojë të 10-a amendamentet ODIHR-it dhe në rast se ato pranohen, atëherë mazhoranca është e gatshme të ulet në një tryezë me opozitën. Qëndrimi i kryeministrit Berisha u bë dje, gjatë inaugurimit të dy segmenteve rrugore në Qarkun e Korçës, Lapidari - Koritë dhe Koritë-Liqenas.
Kryeministri përsëriti akuzat për socialistët, duke theksuar se bllokimi i ligjeve me 84 vota në parlament pengon integrimin e vendit.
Sipas Berishës, opozita po luan Don Kishotin, duke mos votuar ligjet me 3/5 në Kuvend. “Sot, drejtues të opozitë, në një rast unik në Shqipëri, në një rast unik në Ballkan, në një rast unik në Europë, kanë vendosur të përdorin pushtetin që ju kanë dhënë zgjedhësit për të dëmtuar interesa personale, interesat e çdo shqiptari, interesat e çdo zgjedhësi në Shqipëri. Ju jeni vetë dëshmitarë dhe i ndiqni televizionet, sesi këta shokë konsiderojnë provokacion kërkesën për të votuar ligjet me 3/5. As në kohërat më të vështira po të kish pasur pluralizëm, kjo nuk mund të imagjinohej. Votimi i ligjeve me 3/5 është detyrim që buron nga përgjegjësia e çdo të zgjedhuri para zgjedhësit të tij, është detyrë që buron nga interesi jetik i çdo qytetari shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij politike, i majtë, i qendrës, apo i djathtë, por që ka projekt kryesor, ëndërr kryesore integrimin e Shqipërisë në Europë. Më duhet t’u them këtyre zotërinjve se kjo praktikë bllokuese nuk u bën nder aspak, por, në qoftë se mendoni se kjo ju krijon mbështetje, bëni thjesht Don Kishotin, sepse e provuat në 8 maj se cili ishte verdikti i qytetarëve shqiptarë, 140 mijë vota më shumë për koalicionin qeverisës, për koalicionin e integrimit, për koalicionin e progresit dhe zhvillimit. E provuat zotërinj më datën 8 maj, 10907 vota më pak në Tiranë. Për kohë e kohë të tëra, ju e deklaruat Partinë Demokratike si parti fshatare. Dua t’ju garantoj se unë krenohem me secilin prej jush e me çdo fshatar e fshatare të këtij vendi, kudo që ndodhet dhe askush nuk më komplekson dot mua. Origjina ime është fshatare. Unë njoh shumë mirë lumenjtë e djersës e të mundit që ju derdhni çdo ditë, për të mbajtur familjet tuaja. Më duhet t’u them këtyre shokëve se këtë radhë, në qytetet e këtij vendi keni marrë 43 mijë vota më pak. Mos i ndani qytetarët! Qytetarët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë, që kanë meritën e madhe të lumenjve të djersës, me të cilat e kanë ndryshuar këtë vend, e kanë marrë mbi supe atë, nga një prej vendeve më të shkatërruara në botë dhe po e ndërtojnë  me shpejtësinë më të madhe. Unë jam i bindur se duke shkelmuar mbi ëndrrën e tyre europiane, ju nuk do të mundni kurrë të pengoni shndërrimin e saj në realitet. Ju do mund ta ngadalësoni, por edhe shqiptarët do t’u japin juve atë që meritoni”, u shpreh Berisha.
Kryeministri solli në vëmendje të qytetarëve të Korçës se Edi Rama pasi humbi zgjedhjet vendore të 8 majit, tha se do rikthente deputetët në Kuvend për të votuar ligjet dhe mbështetur integrim, por në të vërtetë prej më shumë se 1 muaj s’kanë votuar asnjë ligj dhe asnjë reformë. 
“Pas disfatës së 8 majit, kreu i opozitës ju deklaroi zgjedhësve të tij se tani do të votojmë ligjet në parlament, se do të bëjmë gjithçka për integrimin, se nuk do ta pengojmë më integrimin e do të ndjekim politikë konstruktive. Por, të dashur qytetarë të Korçës e Shqipërisë, nuk kanë votuar asnjë ligj, kanë të njëjtin qëndrim me atë që kanë mbajtur më parë, sepse nisen nga një parim, sipas të cilit, e keqja juaj, e keqja e gjithsecilit, e mira e tyre. Kjo përbën një problem, por ju garantoj se kjo mund ta ngadalësojë, por nuk mund ta pengojë kurrë procesin e integrimit. Procesi i integrimit bazohet në mundin, djersën përkushtimin, vlerat që ne mbrojmë e zhvillojmë. Shqipëria është, do të mbetet e do zhvillohet si në vend demokratik, vend i shtetit ligjor”, tha kryeministri.
 Duke u ndalur te paketa e Ramës me 10 pika, Kryeministri tha se mazhoranca është plotësisht dakord të nisë bashkëpunimin me opozitën në funksion të reformës zgjedhore. “Zotëria i tij ka paraqitur paktin e quajtur të 10 pikave. Po, ne jemi plotësisht dakord për reformën zgjedhore, sepse ne e respektojmë opozitën. I themi të shkruajë të gjitha amendamentet, për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHIR-it dhe ne i votojmë në parlament, pasi të marrë mendimin  tyre, ose ejani të ulemi e t’i bëjmë bashkë, me konsensus, siç kemi punuar më përpara, me ekspertë ndërkombëtarë e t’i votojmë ato. Ai pretendon për rregulloren e parlamentit, por nëse do rregullore për të bllokuar parlamentin, harroje se kthehet më ajo kohë. Parlamenti është tempulli i demokracisë dhe ka detyrë të bëjë ligjet dhe ligjet më të mira për qytetarët shqiptarë. Askush nuk do mund ta bllokojë atë. Por nëse mendon se janë prekur të drejtat e liritë tuaja, merr rregulloren e Parlamentit Europian ta ballafaqojmë dhe unë ju them se jam i vendosur në çdo nen ta ndryshojmë atë, në rast se ka mungesa. Por ai  nuk e ka hallin te këto, sepse këto nuk i duhen, se do të humbasë dhe zgjedhjet e vitit 2013, nuk ka çfarë t’u thotë e do të thotë se nuk kishim bërë reformën. Ai nuk do reformën. Ai është anti-reformë, sepse e ka atë si mënyrë mbijetese. I vetmi politikan në Europë e në botë që kalon nga disfata në disfatë dhe disfatë jo partiake, por personale, sepse është tjetër kur të humbet partia dhe je i detyruar të ikësh, por është tjetër kur humb vetë dhe nuk ikën. Por ti qofsh! Ne nuk mund ta bëjmë rregulloren e parlamentit dhe ligjet e vendit si statutin e Partisë Socialiste. Jo miqtë e mi! Ne, duke filluar nga kryeministri dhe tek çdonjëri prej nesh, jemi të detyruar t’i përmbahemi Kushtetues dhe ligjeve të vendit, si kush i të gjitha kushteve, për të qenë qytetarë të lirë të këtij vendi”, theksoi Berisha, duke theksuar rolin destruktiv të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
Por kryeministri garantoi se pavarësisht ndasive të opozitës, mazhoranca mbetet e përkushtuar për realizimin e projektit kombëtar, Shqipëria vend i Bashkimit Evropian. “Me reforma të thella e serioze, ne ia dolëm të heqim vizat e sot, ju lëvizni të lirë në mbarë Europën. Përpara kemi një projekt tjetër dhe ky është projekti i integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, garantoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›