E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shakespeare n’Kanun

Regjisori Bekim Lumi, gjatë qëndrimit katërmujor në Vjenë të Austrisë, ka bërë një studim komparativ, duke e mbarështruar dhe krahasuar tragjedinë ‘Makbethi’ të dramaturgut anglez William Shakespeare në kontekst me Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Vitin e kaluar regjisori Bekim Lumi dha premierën e shfaqjes ‘Këmisha e gjakut’, në të cilën eksploronte pikëtakimet ndërmjet Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe veprave të dramaturgut të njohur anglez William Shakespeare. Kjo shfaqje pati sukses dhe si duket ndikoi që regjisori të mos ndalet me kaq por të vazhdojë përqasjen dhe krahasimin në mes të kryeveprave të dramaturgut anglez dhe traditës zakonore shqiptare.

Lumi, gjatë kësaj vere, ka qëndruar në Vjenë të Austrisë me qëllim të realizimit të një studimi me karakter shkencor. ‘Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit’ është një studim krahasues i tragjedisë ‘Makbethi’ të William Shakespeare-it në kontekst me kodin zakonor shqiptar, Kanuni i Lekë Dukagjinit.

“Ky studim është rezultat i një pune intensive kërkimore dhe studimore në kuadër të qëndrimit tim katërmujor në Universitetin e Vjenës me mbështetjen financiare të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, përkatësisht të një burse me karakter studimor”, tregon Lumi.

Gjatë qëndrimit në Universitetin e Vjenës, ai ka gjurmuar një literaturë të gjithanshme në fushën e shakespeareologjisë, të cilën, në një këndvështrim komparativ, gjithnjë duke marrë për bazë tragjedinë ‘Makbethi’ të Shakespeare-it, e ka mbarështruar dhe krahasuar në kontekst me Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Gjatë realizimit të këtij punimi, Lumi ka zbuluar se pikëtakimet ndërmjet botës shakespeareiane dhe botës kanunore shqiptare janë shumë më të thella dhe më të gjera.

“Rezultatet kanë qenë të mahnitshme, sepse, në rreth 60 faqe të këtij studimi shkencor, unë, praktikisht, kam zbuluar dhe evidentuar një mori përkimesh, përmes të cilave del në pah se vepra dramatike e Shakespeare-it, jo vetëm që komunikon dhe korrespondon lirshëm me Kanunin e Lekë Dukagjinit, por, përmes krahasimit, ajo edhe mund të lexohet, komentohet, analizohet, studiohet dhe interpretohet e, në raste të caktuara, në kontekst me traditën zakonore shqiptare, edhe të kuptohet e të perceptohet më ndryshe”, shprehet Lumi.

Në studimin e tij krahasues janë piketuar të gjitha situatat e mundshme në tragjedinë ‘Makbethi’, të cilat, çuditërisht, mund të kuptohen dhe shpjegohen shumë qartë përmes kaptinave dhe fragmenteve të ndryshme të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Lumi thotë se disa nga konceptet themelore kanunore shqiptare, sidomos koncepti mbi mikun dhe koncepti i nderit, mund të shpjegohen dhe kuptohen në kontekst me disa nga ngjarjet ‘kthesë’ të kësaj tragjedie.

“E këtillë, bie fjala, është vrasja e Mbretit Dunkan në shtëpinë e Makbethëve, e cila, gjithnjë në kontekst krahasues, mund të interpretohet pikërisht përmes kaptinës kanunore mbi Mikun. Në njëfarë mënyre, disa nga sekuencat kryesore makbethiane, apo, më saktë, sekuencat që ndërlidhen me ardhjen e Mbretit Dunkan në Kështjellën e Makbethëve, me mikpritjen dhe, më pas, me vrasjen e tij e me disa vrasje apo ngjarje të tjera, mund të kontekstualizohen dhe interpretohen përmes kodit zakonor shqiptar, përkatësisht konotacionit etik të këtij kodi mbi mikun”, thekson Lumi.

Ai tregon se një prej arsyeve të këtij studimi ka qenë mungesa e theksuar e studimeve komparative të veprës dramatike të Shakespeare-it në kontekst me etnokulturën shqiptare. Përkundër karakterit shumështresor dhe mjaft të gjerë të studimeve shakespeareiane në rrafshin botëror, në të cilat, veç tjerash, vepra dramatike e Shakespeare-it është interpretuar dhe trajtuar në kontekst me aspekte nga më të ndryshmet, kur jemi te përkimet apo krahasimet ndërmjet saj dhe traditës kulturore shqiptare, kjo çështje, të paktën me gjendjen e gjertanishme, në studimet albanologjike, të autorëve shqiptarë apo të huaj, sipas Lumit, nuk është prekur pothuajse fare. Një përjashtim në këtë kontekst bën sprova e shkrimtarit Ismail Kadare me librin e tij eseistik ‘Hamleti, princi i vështirë’.

Përmes studimit ‘Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit’, Lumi është përpjekur të japë një kontribut modest në fushën e shakespeareologjisë, të albanologjisë dhe, përgjithësisht, të studimeve komparative.

Sipas tij, krahasimi ndërmjet veprës dramatike të Shakespeare-it dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit është një çështje jashtëzakonisht provokative.

“Për aq sa unë kam arritur të eksploroj me punën time të gjertanishme krijuese dhe studimore, fillimisht për një vjet me shfaqjen time ‘Këmisha e gjakut’ dhe tani për katër muaj edhe me këtë studim komparativ, mund të them se disa nga tragjeditë antologjike të Shakespeare-it mund dhe duhet të krahasohen në kontekst me traditën zakonore shqiptare”, thotë Lumi. Ai është i bindur se, përveç në tragjedinë ‘Makbethi’, këto përkime dhe pikëtakime shumë interesante janë të dukshme edhe në disa nga tragjeditë tjera apo dramat historike të Shakespeare-it, që tashmë konsiderohen kryevepra të literaturës botërore.

Studimi i Lumit është shkruar në shqip dhe në gjermanisht. Ai tregon se së shpejti do ta përkthejë edhe në anglisht. Atë fillimisht Lumi do ta botojë në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërkaq, përmes kontakteve të ndryshme, ai tregon se do të përpiqet që ta botojë edhe në revistat teatrore apo shkencore të vendeve të ndryshme perëndimore.

Thotë se mund të zgjojë kureshtjen dhe interesimin e lexuesit të huaj.

“Për shkak të vlerave të jashtëzakonshme e monumentale të veprës dramatike të Shakespeare-it, por edhe të origjinalitetit, unikalitetit dhe monumentalitetit të Kanunit të Lekë Dukagjinit, jam i bindur që ky studim mund të jetë tërheqës dhe provokativ edhe për vëmendjen dhe interesimin e lexuesve të huaj”, shprehet Lumi. Sipas tij, botimi i këtij studimi në ndonjërën nga gjuhët e mëdha perëndimore i shërben jo vetëm zbërthimit dhe interpretimit të mëtutjeshëm të veprës dramatike të Shakespeare-it në kontekst krahasues me traditat kulturore të kombeve dhe vendeve të ndryshme, por, gjithashtu, edhe promovimit ndërkombëtar të traditës kulturore dhe zakonore shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›