E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal me fondet e të varfërve, qeveria u ndryshon destinacionin



Ervin KOÇI

“Qeveria shqiptare i ngop fukarenjtë me lugë të zbrazur”. Ky konkluzion vjen po të shikosh statistikat e Ministrisë së Financave, e cila, edhe pse duket sikur jep një fond të konsiderueshëm për familjet dhe shtresat në nevojë çdo vit, në realitet nuk harxhon as çerekun e këtyre parave për t’ua dhënë të varfërve. Sipas të dhënave të MF-së, çdo vit qeveria shqiptare shpenzon rreth 150 milionë euro për të ndihmuar familjet që jetojnë në kushtet e varfërisë. Të paktën një shumë e tillë figuron si fond në buxhetin e shtetit për shtresat në nevojë, të cilat duhet të trajtohen çdo vit me ndihma nga shteti. Por, kufizimet e ndryshme ligjore (filtrat) që synojnë “shmangien e abuzimeve”, si dhe ndryshimi i herëpashershëm që u bëhet këtyre fondeve nga MF-ja, bëjnë që vetëm 22 për qind e shqiptarëve të identifikuar si të varfër të përfitojnë nga këto fonde. Këto të dhëna zbardhen nga një studim i fundit i publikuar nga Banka Botërore, i prezantuar javën e kaluar në Tiranë. Për më tepër, sipas studimit të përgatitur nga ekspertja Ufuk Guven, pjesa më e madhe e shpenzimeve për ndihmë ekonomike duket se po shkon për pagesën e ndihmës së paaftësisë për punë, dhe jo për të ndihmuar të varfrit.

Statistikat
Nga 122 mijë shqiptarë që jetojnë në zonat urbane dhe janë identifikuar si të varfër, shumica dërrmuese janë të përjashtuar nga mundësia për të përfituar ndihmë ekonomike për shkak të filtrave që ka vendosur qeveria për të kufizuar sa më shumë numrin e përfituesve. Në fakt, studimi i BB-së nxjerr në pah se filtrat, të cilat janë kufizime ligjore, nëse zbatohen me rigorozitet, mund të përjashtojnë nga skema 82 për qind të të varfërve. Një i varfër që ka një anëtar të familjes të punësuar, sipas rregullave të qeverisë, nuk mund të përfitojë ndihmë ekonomike pavarësisht nëse paga e anëtarit të familjes mjafton për të jetuar apo jo. Ky është edhe filtri ligjor që përjashton shumicën dërrmuese të të varfërve nga skema. Por, problemi më i madh i vërejtur nga analiza e BB-së nxjerr në pah faktin se skema e shpërndarjes së ndihmës ekonomike duket se nuk jep shumë shpresa se ajo do të mbërrijë te të varfrit.

Skema e qeverisë
Skema e mbrojtjes sociale në Shqipëri, në shumë raste, është konsideruar si një keqpërdorim fondesh publike. Sipas skemës ekzistuese, qeveria i shpërndan fondet e ndihmës ekonomike për bashkitë dhe komunat bazuar jo aq shumë te numri i të varfërve, apo sasia e fondeve të nevojshme, por mbi baza gjeografike. Pushteti vendor, i cili mbledh kërkesat për ndihmë ekonomike dhe administron dokumentet, shpërndan ndihmën ekonomike me kritere shumë të paqarta. Në disa raste, politika luan rol thelbësor, gjë që i bën fondet e ndihmës ekonomike një mënyrë pagese për vota. Por, në shumicën dërrmuese të rasteve, problemi duket se qëndron te mungesa e metodave të verifikimit për të parë nëse përfituesit janë me të vërtetë të varfër apo jo. BB sugjeron që qeveria të investojë për krijimin e një databaze kombëtare të të ardhurave, si dhe përfituesve nga skema e ndihmës ekonomike, me qëllim që kjo skemë të funksionojë siç duhet në funksion të lehtësimit të varfërisë. Qeveria vazhdimisht gjatë viteve të fundit ka shtuar pengesat ligjore me qëllim uljen e numrit të familjeve që e përfitojnë, si dhe ka vendosur kontrolle periodike që kërkojnë paraqitjen në zyrat e pushtetit vendor të një mali me dokumente. Mali me dokumente që kërkohet për ndihmën ekonomike ngarkon me punë një sërë zyrash administrative, duke ulur eficiencën e shërbimeve publike në tërësi.

Borxhi i jashtëm, rritje 4.2% në tre muaj

Në fund të vitit 2009, borxhi i jashtëm afatgjatë i Shqipërisë llogaritej në afro 1.94 miliardë euro. Brenda 90 ditëve, nga 1 janari 2010, deri më 31 mars të po këtij viti, sasia e këtij borxhi ka kaluar në afro 2.02 miliardë euro. Kështu, në tre muaj detyrimet afatgjata të vendit kanë shënuar një rritje në masën 4.2 për qind. Kjo del nga statistikat e borxhit të Ministrisë së Financave. Me sa duket, brenda apo jashtë vendit, gjithnjë e më shumë politika financiare e qeverisë po orientohet në marrjen e huave për të zgjidhur problemet, të cilat normalisht duhej të zgjidheshin me fonde, që burojnë kryesisht nga të ardhurat fiskale. Por, në mungesë të grumbullimit të sasisë së planifikuar nga taksat, e vetmja rrugë për të siguruar fondet aktualisht mbetet ajo e borxhit. Një rrugë e tillë është krejtësisht e ligjshme dhe çdo qeveri, në ekonominë e tregut, është e lirë të bëjë llogaritë e veta në këtë drejtim. Problemi i vetëm që lind në këtë mes është ai i kostos-shtesë, që vjen nga marrja e parave hua, të cilat nuk t’i fal njeri.

16 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›