E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët, paga mesatare referuese mohim i së drejtës së fituar



Ligji i 15 majit të vitit 2009, veç shumë të tjerave, realizoi një kthesë regresive përsa i përket trajtimit të ushtarakëve me sigurime shoqërore suplementare, veçanërisht në elementin thelbësor të tyre; pagën referuese. Pagën referuese të çastit të lindjes të së drejtës e zëvendësoi me pagën mesatare referuese që llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Me këtë u pajtua edhe Gjykata Kushtetuese, e cila, edhe pse thotë: “Gjykata thekson se nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion dhe shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më parë, vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive, konkretisht, trajtim më të mirë financiar për subjektet përfituese.”, në vendimin e saj Nr. 33, datë 24.06.2010, nuk e shfuqizoi atë si në papajtueshmëri me Kushtetutën. Me këtë akt antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, tashmë është bërë fakt i pamohueshëm ligjor që, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pensioni suplementar i pleqërisë do bazohet, jo më në pagën referuese të çastit të lindjes të së drejtës, por në pagën mesatare referuese që llogaritet mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion, siç përcaktohet në nenin 4 të ligjit Nr. 10142, datë 15.05.2009. Në këtë përcaktim ligjor dhe vistos Kushtetuese të tij nga Gjykata Kushtetuese, hasim aspektin që paga mesatare referuese nuk është thjeshtë paga bazë mujore për grade, dhe shtesat mbi pagë, ose paga bazë mujore për funksion dhe shtesat. Ajo është paga e cila llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Qëndrimi në atë gradë apo funksion përbën “thembrën e Akilit”, nga e cila varet masa e pagës referuese mbi të cilën do bazohen përfitimet nga ligji i 15 majit të vitit 2009. Pikërisht për këtë merr dhe ka rëndësi të sqarohet se, ç’kuptohet me qëndrim në atë gradë apo funksion. Qëndrimi në atë gradë, kupton qëndrimin në gradën që ka mbajtur ose funksionin që ka kryer ushtaraku në çastin e daljes në rezervë apo lirim. Në ndihmë, për këtë, na vjen ligji Nr. 9171, datë 22.1.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Ky ligj, në nenin 10, na jep të saktë kohën minimale të qëndrimit në një gradë, për fitimin e gradës pasardhëse, ku në tabelën përkatëse për secilën gradë fikson shprehjen “koha në gradë”, ndërsa në nenin 11, ku trajtohet koha maksimale e qëndrimit në shërbim, në një gradë, në tabelë, në vend të shprehjes: “kohës së qëndrimit në gradë”, vendos si kërkesë shprehjen: “koha në shërbim aktiv”. Këto ndryshime midis nenit 10 dhe 11 të ligjit na japin mundësinë të dallojmë atë që quhet “qëndrim në gradë” dhe “qëndrim në shërbim “. Sipas tyre ,”qëndrimi në gradë “, nuk është i njëjtë dhe i barabartë me qëndrimin në shërbim. Qëndrimi në gradë quhet qëndrimi në gradën që mban deri në çastin e marrjes së gradës pasardhëse dhe në pamundësi të saj, të daljes në rezervë ose lirim. Qëndrimi në shërbim nuk është qëndrim në gradë, por, ashtu siç thotë kolona e trete e tabelës se tij, “qëndrim në shërbim aktiv”, që në rast mosmarrje të gradës pasardhëse, pas një kohe të caktuar shërbimi brenda limitit ligjor, ndërpret karrierën ushtarakë dhe del në rezervë a lirim sipas rastit, mbi bazën e konceptit “rezervë” dhe “lirim”, të cilat gjenden të pasqyruara në nenin 9 të ligjit Nr. 9047, date 10.7.2003 “Për shërbimin ushtarak në RSH”. Sipas pikës 3 të tij, shërbimi i detyrueshëm ushtarak në rezerve kryhet nga shtetasit e moshës:
a) deri në 45 vjeç për ushtare dhe nënoficerë meshkuj;
b) deri në 35 vjeç për ushtarë dhe nënoficerë femra;
c) deri në 50 vjeç për oficerë meshkuj;
ç) deri në 40 vjeç për oficere femra.
Këto dy koncepte dhe përcaktime njëkohësisht nuk ka si të anashkalohen. Ai bën ndarje të qartë të asaj që quhet qëndrim në gradë dhe qëndrim në shërbim e nuk lejon që, dhe në vend të “qëndrimit në gradë”, ti jepet përparësi dhe të merret në vlerësim për përcaktimin e pagës referuese, për efekt të përfitimeve nga ligji asaj që quhet e përbën qëndrimin në shërbim. Shprehja: “Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.”, e ka ndarë përfundimisht shapin nga sheqeri. Ai, siç shihet, nuk thotë “sipas viteve të shërbimit”, por, sipas viteve të “qëndrimit në atë gradë apo funksion”. Shprehja “në atë gradë”, bënë fjalë për qëndrimin në gradën që ushtaraku mbante në çastin e daljes në rezervë a lirim. Ndërsa, shprehja “apo funksion”, flet për funksionin që mbante ushtaraku në çastin e daljes në rezervë a lirim. Këto hedhin dritë mbi atë se cili qëndrim merret në bazë të llogaritjes së pagës mesatare referuese. Ai qëndrim në gradë apo funksion ka të bëjë me qëndrimin në gradën dhe funksionin e fundit. Pra, paga mesatare referuese, nuk është tjetër veçse paga mesatare referuese e llogaritur si paga mesatare referuese e viteve që ushtaraku ka qenë sipas rastit në gradën e tetarit, rreshterit, kapterit, kryekapterit, kapitenit, majorit, nënkolonelit, kolonelit dhe gjeneralit. Kjo pagë i bie të jetë ajo mbi të cilën llogaritet masa e përfitimit të pensionit sipas rastit, pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi apo pensionit suplementar të pleqërisë.
Një konceptim dhe realizim i tillë, i përcaktimit të dispozitës ligjore të nenit 4, pika 2 paragrafi 2, shmang diskriminimin e ushtarakëve që u takon e drejta e përfitimit të këtyre pensioneve nga data 27.06.2007 kur ka hyrë në fuqi ligji i fundit i Sigurimit Shoqëror Suplementar e në vazhdim. Kjo bënë të mundur respektimin e parimit të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimin e tyre në raport me ata që kanë përfituar me ligje të mëparshme. Kështu, kapiteni me funksionin organik të përputhur me gradën me vjetërsi shërbimi 18 dhe pagë referuese 12400 lekë, me rritjet dhe indeksimin nga 01.01.1999 deri më 27.06.2009, i takon si pension përfundimtar 44526.95 lekë. Homologu i tij me vjetërsi shërbimi 18 vjet dhe pagë mesatare referuese për 4 vitet e qëndrimit në grade, pagë mesatare referuese 45077.5 lekë që del në pension të parakohshëm nga data 27.06.2009 deri më 01.07.2010, merr si masë përfundimtare pension shumën 25243.40 lekë. Majori me funksion organik, të përputhur me gradën, me pagë referuese 13660 lekë me 22 vjet vjetërsi shërbimi që pension e ka përfituar më 01.01.1999, në datën 27.06.2009 me rritjet dhe indeksimin e përvitshëm, ka si masë përfundimtare pensioni masën 56648.79 lekë. Homologu që këtë pension e përfiton nga data 27.06.2009 deri më 01.07.2010 dhe ka vjetërsinë e shërbimit 22 vjet, pagën mesatare referuese 51284 për 5 vitet e qëndrimit në gradë, i rezulton si masë përfundimtare pensioni shuma 32581.76 lekë. Nënkoloneli, me funksion organik të përputhur me gradën që pensionin e ka fituar më 01.01.1999 dhe vjetërsinë e ka pasur 27 vjet me pagë referuese 14500 lekë, masa e pensionit e rritur dhe indeksuar nga 01.01.1999 deri më 27.06.2009, arrin në 64064.38 lekë. Homologu, me vjetërsi 27 vjet , pagë mesatare referuese 69650 lekë për 4 vitet e qëndrimit në këtë gradë, masa e pensionit që i përket nga data 27.06.2009 deri më 01.07.2010 është 51541 lekë. E tillë paraqitet situate edhe për gradat e tjera ato kolonel e gjeneral. Një situatë e tillë në respektim të parimit të barazisë dhe atij të mosdiskriminimit për kushte të njëjta që interpreton edhe vendimi Nr. 9, datë 26.02.2007 dhe ai Nr. 33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të nenit 18 të Kushtetutës , vetiu del se paga mesatare referuese i përket të jetë paga që rezulton nga paga mesatare referuese e viteve të qëndrimit në gradën e fundit të shërbimit ushtarak, kur ndërpret karrierën në shërbim të FA. Çdo qëndrim tjetër, pra, llogaritja e pagës mesatare referuese si shuma e pagave të kohës së qëndrimit në shërbimin ushtarak aktiv, nuk bën tjetër veçse, atyre që kanë dalë në rezervë dhe janë trajtuar e trajtohen me pension pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit të 15 majit 2009, të marrin pension më të vogël, edhe pse kanë pasur pagën më të lartë dhe kanë derdhur sigurime shoqërore më shumë.
Përveç këtyre, është e nevojshme të jetë e qartë se paga mesatare referuese është e vlefshme vetëm për ushtarakët që përfitojnë pension të parakohshëm apo pension suplementar pleqërie nga data e hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 10142, datë 15.05.2009. Për ushtarakët e tjerë, që këto pensione i kanë përfituar para datës 27.06.2009, ajo është e pavlefshme. Të tillë e bënë atë vendimi Nr. 33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim, prerazi thotë: “….kjo rillogaritje (rillogaritja sipas pikës 2 të nenit 29 të ligjit) e këtyre të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme ose dhe të vendimeve të gjykatave, do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve.”. Faktikisht, kurrën e kurrës përfitimi i bazuar në pagën mesatare referuese, nuk përmirëson situatën për ta, dhe si e tillë ajo që mbetet të bëhet këtu është vetëm që, masa e pensionit e garantuar nga ligji mbi të cilin u është lidhur pensioni të indeksohet me përqindjet e rritjes dhe koeficientin e indeksimit për çdo vit deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të ri, dhe ajo të konfirmohet si masë përfundimtare për ta. Përballë këtij realiteti të pa diskutueshëm, të pacenueshëm, por edhe të pa mohueshëm, alternative e vetme lidhur me pagën referuese që shprehet te pika 2, e nenit 4 e ligji Nr. 10142, datë 15.05.2009, për efekt të përfitimeve nga ky ligj, mbetet të caktohet paga mesatare referuese e llogaritur mbi bazën e pagave mesatare referuese të viteve të qëndrimit në gradën e fundit të shërbimit ushtarak, para nxjerrjes në rezervë a lirim të ushtarakut. Edhe kjo, për hir të së vërtetës, nuk respekton parimin e barazisë e të mos diskriminimit, por, të paktën e zbutë atë brenda mundësive të ligjit, lënë në fuqi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kjo zgjidhje është optimalja e cila shmang e mund të shmangë adresimin e ushtarakëve në organet e drejtësisë në kërkim të së drejtës për të cilën Kushtetuta e Republikës në nenin 4 pika 1 thotë: “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme”.

19 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›