E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva për vonesë pagash, avokatët akuza gjykatës



TIRANE - Bojkoti tre ditor i seancave gjyqësore nga avokatët e caktuar nga shteti, të njohur edhe si "avokatë kryesisht", për shkak të mosmarrjes së pagesave të tyre, nuk dha efekt. Deri ditën e djeshme, avokatët "protestues" nuk kishin marrë pagesat e munguara. Disa prej tyre, të kontaktuar nga "Panorama" thanë se në ditët në vijimin do të vendosin për vazhdimin apo jo të bojkotit me të tjera "raunde". Ata pranuan dje se pak muaj më parë Gjykata për Krimet e Rënda, kishte shlyer vetëm një pjesë të detyrimeve, por jo për të gjithë avokatët. Vetë kreu i Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj, në një deklaratë në media pak ditë më parë pohoi se nga dikasteri i drejtuar prej tij janë paguar të gjitha detyrimet, në përjashtim të një numri të caktuar avokatësh, të cilët nuk kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm. Avokatët e kontaktuar dje pretenduan edhe vështirësi dhe burokraci të procedurave, nga gjyqi deri tek marrja e pagesës. "Duhet të kontaktojmë gjyqtarin, më pas sekretaren, të dorëzojmë fatura tatimore dhe një 'mal' me shkresa derisa të marrim pagesën që na takon", u shpreh dje një prej tyre. Mbrojtësit ligjorë, të cilët caktohen kryesisht nga gjykata, u "rebeluan" në shenjë proteste për mospagesën e tyre që prej shtatorit 2009. Tre ditët e para të kësaj javë ata munguan në proceset gjyqësore në Shkallën e Parë dhe në Apelin e Gjykatës së Tiranës dhe të Krimeve të Rënda. Bojkoti u zbatua me përjashtim të disa seancave, si ajo për të akuzuarit si "banda e Cërrikut" tek Krimet e Rënda, për shkak të rëndësisë që paraqet ky proces. Ditët e bojkotit Kreu i shoqatës së Avokatëve Penalistë, avokati Sajmir Visha u shpreh, se në rast se nuk do të merreshin masat e duhura, bojkotit do t'i bashkohen edhe avokatët e tjerë. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›