E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumira e një ambasadori, diplomacia dhe mesazhi i tij



Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers, i cili përfaqësoi qeverinë e tij për mbi 3 vjet, i dha dje lamtumirën Shqipërisë, pasi përfundoi misionin e tij diplomatik. Në çastet e fundit të largimit nga Shqipëria dhe para se të hipte në avion, Withers vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, ndërsa gjithmonë ai ka vlerësuar energjinë e popullit shqiptar për të ndërtuar një Shqipëri të bazuar mbi vlerat e demokracisë dhe mirëqenies. Ambasadori Withers do të mbahet mend në Shqipëri si një aktor dhe faktor i rëndësishëm në politikën e brendshme të vendit, që ka folur hapur dhe prerë për çështje konkrete, duke sjellë reagime edhe të ashpra, veçanërisht nga drejtuesit e maxhorancës qeverisëse. Duke vlerësuar marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë, Withers tha se “pavarësisht se kemi shpeshherë opinione të ndryshme, lidhja midis dy popujve është shumë e veçantë”.
Vetëm pak ditë para se të largohej, Withers zhvilloi takime me drejtuesit e shtetit shqiptar. Gjatë takimit me presidentin Topi, mesazhi i ambasadorit Withers për Shqipërinë ishte se “populli shqiptar ka energjinë për të ndërtuar një Shqipëri të bazuar mbi vlerat e demokracisë dhe mirëqenies”.
Misioni
Gjatë tre viteve të Shqipëri, Withers ka treguar se është një ambasador që i thotë gjërat drejtpërsëdrejti, pavarësisht pakënaqësive që mund të krijojë. Dhe jo pak kanë qenë pakënaqësitë që ai ka krijuar në rrethin qeveritar. Kështu, Withers ka dalë kundër projektligjit të qeverisë për Shërbimin Informativ Shtetëror, ka pasur një qëndrim ndryshe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri, ka dënuar tragjedinë e Gërdecit, ka bërë thirrje për hetimin deri në fund të personave të lidhur me politikën, si dhe ka kritikuar qëndrimin e maxhorancës në lidhje me rrëzimin e dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të propozuar nga Presidenti i Republikës. Këto kanë qenë disa nga çështjet më të nxehta dhe përplasjet më të bujshme mes ambasadorit të SHBA-ve dhe maxhorancës aktuale.
Ambasadori John Withers është konsideruar si një prej diplomatëve jo vetëm më aktiv, por dhe mjaft popullor në Shqipëri. Nuk ka në historinë e diplomatëve të huaj në Shqipëri njeri më prezent se John Withers. Që në fillim ambasadori do të bëhej popullor me stilin e ndryshëm duke hyrë në zemrën e shumë njerëzve. Ai çdo ditë e më tepër i mahniste të gjithë me njohuritë që kishte për këtë vend, recitonte vjersha, tregonte pjesë nga Historia e Shqipërisë si një historian i vërtetë dhe fliste me fëmijët e kopshtit për fabula tërheqëse. Vitin e parë të mandatit, Withers ishte një avokat i vendosur i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe i shumë interesave të tjera. Për këtë arsye pati dhe një marrëdhënie mjaft të mirë me maxhorancën aktuale duke qenë ambasadori më i mirëpritur amerikan nga të djathtët shqiptarë. Me kalimin e muajve, sidomos me ngjarjen e rëndë në Gërdec, ky raport mes ambasadorit Withers dhe maxhorancës erdhi duke u zbehur deri në muajt e fundit, kur ambasadori amerikan kundërshtoi hapur një sërë nismash të maxhorancës, siç ishte dhe ligji i SHISH-it. John Withers u konfirmua nga Senati si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri më 28 qershor 2007, mision të cilin ai e përfundoi dje, më 16 gusht 2010.
Ambasadori i ri
Në mesin e vjeshtës pritet të vijë në Tiranë për të paraqitur letrat kredenciale, ambasadori i ri i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ai është diplomuar në fushën e shkencave, Shërbimi i Jashtëm, në Universitetin Georgetoen dhe bie në sy se nuk ka kryer shërbimin ushtarak, edhe pse ka lindur në bazën ushtarake amerikane “Amerikan Dree” prefektura Gumma, në Japoni, më 15 mars 1958. Një njohës i disa gjuhëve aziatike, si japonisht, koreançe, tajlandisht, apo edhe khmere, Arvizu iu bashkua Shërbimit të Jashtëm në vitin 1981 dhe do të zëvendësojë në detyrën e përfaqësuesit diplomatik në Tiranë, John Withers. Tërheq vëmendjen detyra aktuale e tij, drejtor i Karrierës për Nivelin e Hyrjes, Burimet Njerëzore, Zhvillimi i Karrierës dhe Emërimeve. Kjo nënkupton se ai ka një njohje të mirë të çështjeve administrative dhe problemeve diplomatike në tërësi. Po kështu, interes paraqesin edhe detyrat e mëparshme që pasqyrojnë një gjeografi shumë të gjerë, në vende që kanë rëndësi specifike për interesat amerikane. Phnom Penh, Kamboxhia, Seuli dhe Osaka-Kobe në Japoni janë disa prej pikave të spikatura në angazhimin diplomatik të Arvizut. Një karrierë të spikatur, ambasadori i ri e ka pasur edhe në Uashington, ku ka mbajtur postin e drejtorit të Çështjeve Aziatike në Këshillin Kombëtar të Sigurimit gjatë administrimit të dytë të ish-presidentit Bill Klinton. Po kështu ai ka qenë për 3 vjet zv.shef shërbimi në Bangkok të Tajlandës. Arvizu është i martuar me An Florens Kuningam dhe ka dy fëmijë, Yukiko dhe Helei.
Shkurt

Berisha merr mesazh falënderimi nga kryeministri i Çekisë

Kryeministri Berisha mori dje një mesazh falënderimi nga kryeministri i Republikës së Çekisë, Petr Necas, ku i shpreh mirënjohjen për mesazhin e urimit dërguar për marrjen e detyrës si kryeministër i Republikës së Çekisë. Në mesazhin e kryeministrit Necas drejtuar kryeministrit Berisha thuhet: “I dashur zoti Kryeministër, Dëshiroj t’Ju shpreh mirënjohjen time për urimet e përzemërta në marrjen e detyrës si Kryeministër i Republikës së Çekisë. Shpreh besimin se marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të shkojnë drejt thellimit të bashkëpunimit si dhe zhvillimit të mëtejshëm të lidhjeve tona të miqësisë”, - përfundon mesazhi i kryeministrit të Çekisë.

Kryeministri ngushëllon homologun e tij maltez

Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër ngushëllimi kryeministrit të Republikës së Maltës, Laurence Gonzi, për humbjen e ish-presidentit Guido de Marco. “Shkëlqesi, me hidhërim të thellë mësova lajmin për vdekjen e ish-presidentit Guido de Marco, burrit të shtetit, europianistit dhe diplomatit të shquar, personalitetit të rëndësishëm të botës së jurisprudencës dhe mendimit, një prej simboleve të historisë politike të Maltës. Te personaliteti i z. Guido de Marco, unë, qeveria ime dhe populli shqiptar kanë pasur një mik të madh dhe të shquar, të cilin do ta kujtojnë gjithmonë me respekt të madh. Më lejoni shkëlqesi, që në emër të qeverisë shqiptare dhe në emrin tim personal t’Ju shpreh ngushëllimet më të thella”, - shkruhet në letrën e Berishës.

Kreu i qeverisë, letër ngushëllimi kryeministrit të Kinës

Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër ngushëllimi kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, Wen Jibao, për përmbytjet në veriperëndim të Kinës, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën qindra persona dhe janë shkaktuar dëme të tjera njerëzore e materiale. Në letrën e dërguar kryeministri Berisha shpreh keqardhjen për fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga përmbytjet dhe shirat e dendura në kantonin Zhouqu. “Më lejoni që, në këto çaste dhimbjeje, t’Ju shpreh në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave. Shqiptarët ndajnë me Ju, qeverinë dhe popullin mik kinez hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore, ndaj, edhe në emër të tyre, më lejoni t’Ju ripohoj ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor”, - shkruhet në letër.

Topi e Rama, bashkë në ceremoninë e 90-vjetorit të ekipit të Tiranës

Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kanë marrë pjesë dje në ceremoninë e organizuar me rastin e 90-vjetorit të krijimit të ekipit të futbollit të Tiranës. Në këtë ceremoni të veçantë ishin të pranishëm shumë emra të së shkuarës së skuadrës së Tiranës, emra që janë në librin e madh të historisë së këtij klubi, por dhe tifozë të veçantë e me poste politike, ashtu sikurse ishte numri një i vendit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Për nder të këtij përvjetori dhe të atyre emrave që nuk jetojnë më, por që kanë kontribuar në rritjen e emrit të madh të këtij klubi, drejtuesit aktual organizuan një ndeshje miqësore mes Tiranës aktuale dhe një grupi ish-lojtarësh. Në fund të ndeshjes, të gjithë të pranishmit, tifozët dhe lojtarët, u falënderuan nga bashkëshortja e Selman Stermasit dhe më pas nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Por ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili prej disa kohësh i mungon skenës së politikës dhe sipas burimeve nga selia rozë ai ka qenë me pushime në Amerikë. Rama në këtë ceremoni ishte ulur pranë presidentit Topi. Nuk dihet nëse të dy politikanët kanë biseduar ose jo për çështje të rëndësishme të politikës.

17 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›