Thaçi dhe Sejdiu, letër shteteve të OKB-së për të njohur Kosovën
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi janë angazhuar ditët e fundit me dërgimin e disa letrave drejtuar krerëve të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar njohjen e Kosovës. Presidenca e Kosovës përmes një njoftimi për media bëri të ditur se letra i është dërguar edhe organizatave si Konferenca Islamike, Liga Arabe, Caricom-i, Organizata e Shteteve Amerikane, OSBE-ja, Këshilli i Europës etj. Një letër i është dërguar edhe Kethrin Eshton, përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Siguri.
Letra, bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë. Po ashtu, u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së që ta refuzojnë dhe të votojnë kundër rezolutës së sponsorizuar nga ana e Serbisë, e cila pritet të hidhet në votim më 14 shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Serbia me këtë rezolutë synon kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila u shpreh në favor të shpalljes së pavarësisë. Në letrën e Prishtinës zyrtare, me të cilën kërkohet që të kundërshtohet kjo rezolutë, thuhet se rezoluta e sponsorizuar nga Serbia është një veprim krejtësisht i panevojshëm dhe një kritikë e papranueshme ndaj GJND-së. Të angazhuar me njohjen e pavarësisë së shtetit të ri nuk kanë qenë vetëm autoritetet kosovare, por edhe shtetet më të fuqishme të BE-së, me në krye Britaninë e Madhe dhe më gjerë SHBA-të. Bëhet e ditur se këto vende i kanë kërkuar që në fillim Beogradit që ta tërheqë projektrezolutën e vet për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe ndërkohë në tryezë në Nju Jork është parashtruar oferta që Beogradi të ndërmarrë nismën që ta zbatojë vetë Planin e Ahtisarit për veriun e Kosovës ose këtë gjë do ta bëjnë vetë këto shtete, gjë që do të ishte një opsion jo i mirë për Serbinë, bën të ditur gazeta e përditshme serbe “Blic”. Ndërkohë që ambasadorët e Pesëshes (SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia), të akredituar në vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, u transmetojnë autoriteteve të larta të këtyre vendeve që ta njohin Kosovën, sidomos pas vendimit të GJND-së së Hagës në favor të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së saj, diplomatët në misionin e Serbisë në OKB në Nju Jork bëjnë pikërisht të kundërtën e asaj që bëjnë përfaqësuesit e lartë të Pesëshes. Kështu, në luftën diplomatike që po zhvillohet aktualisht në tryezë, nga njëra anë, ndodhet karrigia e OKB-së për Kosovën, ndërsa, nga ana tjetër, e ardhmja europiane e Serbisë dhe fati i serbëve në Kosovë.
Daçiç shpreson se Serbia do të ndryshojë rezolutën në OKB
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëkohësisht ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, gjatë një vizite në Kosovë mbështeti zhvillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, la të hapur mundësinë për modifikimin e draft-rezolutës serbe dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por tha se nuk do të lejohen ndryshime që do të nënkuptonin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, veturat zyrtare të zëvendëskryeministrit të Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiç, iu afruan Manastirit të Graçanicës, ku përfaqësuesi i shtetit serb u prit nga peshkopi Teodosjie dhe duartrokitjet e dhjetëra banorëve lokalë serbë.
Ai kërkoi implementimin e pjesës së Rezolutës 1244, që parasheh kthimin e forcave serbe në Kosovë- të cilat, sipas tij, do të duhej të mbikëqyrnin manastiret serbe në Kosovë.
Maqedoni, tërhiqet libri plot gabime i historisë
Ministria e Arsimit në Maqedoni ka tërhequr librin e historisë, i cili u kundërshtua ashpër prej shqiptarëve pasi e paraqiste Kosovën si pjesë të Serbisë edhe pse Shkupi zyrtar ka njohur pavarësinë e Kosovës. Tërheqja ka ardhur pas kundërshtimit të opinionit publik dhe atij politik shqiptar në Shkup, ku u kërkua korrigjimi i tekstit dhe hartave të tij. Ministria e Arsimit maqedonase tërhoqi tekstin dhe justifikoi daljen e tij në treg me mospërgatitjen e teksteve të reja. Ministri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni, Nikolla Todorov ka shpejtuar të ndreqë gabimin e bërë nga hartuesit e librit “Shoqëria” në të cilin injorohet kultura dhe arti shqiptar në Maqedoni, por edhe nuk përfillen ndryshimet e statusit dhe flamurit në Kosovë. Todorov është takuar dje pasdite me ekipin e hartuesve të librit, për të vendosur nëse vetëm duhet korrigjuar librin për klasat e pesta fillore të destinuar edhe për nxënësit shqiptarë apo nëse ai duhet që të tërhiqet krejtësisht dhe të bëhet një tjetër.
Kosovë
AAK: Ideja për Veriun si njësi politike, e rrezikshme
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala ka vlerësuar se nëse Veriu bëhet njësi e veçantë politike, do të rrezikohet tërësia territoriale e Kosovës. Në një intervistë për të përditshmen “Koha Ditore”, Shala ka vlerësuar se nëse serbëve që jetojnë në veri të Kosovës u jepet një e drejtë më shumë sesa u është ofruar me Pakon e Ahtisarit, Kosova do të jetë shtet jofunksional. Shala duke folur për proceset në vend, theksoi se edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri Fatmir Limaj duhet të japin dorëheqje pas aksioneve të EULEX-it.
Greqi
Kryeministri i Izraelit, Netanjahu viziton Athinën
Me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu ka zhvilluar ditën e djeshme një vizitë në Athinë. Vizita vjen në kohën kur Izraeli po kërkon partnerë të tjerë në Mesdhe, pas përkeqësimit të lidhjeve të forta të Izraelit me Turqinë, e cila nga ana tjetër, për një kohë të gjatë është rivale e Greqisë. Zyrtarë të Izraelit dhe Greqisë thonë se synojnë shqyrtimin e mundësive për përmirësim të lidhjeve tregtare dhe të mbrojtjes.
17 Gusht 2010