E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi letër Bashës: Të anullohet tenderi për blerjen e GIS

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së Eduard Shalsi përmes një letre drejtuar kryetarit të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i kërkon këtij të fundit anulimin e tenderit për blerjen dhe instalimin e sistemit GIS në funksion të Planit të Përgjithshëm Vendor.
"Kam ndjekur me shumë vëmendje shpalljen e tenderit nga ana e Bashkisë së Tiranës për blerjen dhe instalimin e sistemit GIS në funksion të Planit të Përgjithshëm Vendor. Më duket më shume se paradoksale, që ndërsa keni shpallur pak javë më parë përfundimin e hartimit të Planit Rregullues të Tiranës (për të cilin asgjë nuk është publikuar ende), tashmë njoftoni për blerje sistemi në funksion të Planit. Për cilindo specialist të fushës është e ditur se hartimi i një plani rregullues, pararendet nga ngritja e sistemit GIS dhe jo e anasjellta, siç kërkoni ta bëni dhe po e bëni ju. Por, jam thellësisht i befasuar, pasi duke iu referuar termave të referencës, që ju keni publikuar, është qartësisht e kuptueshme se gjithçka ju kërkoni të blini ekziston në sistemin që e keni tashmë në Bashki, çka e bën krejtësisht të pajustifikueshëm vendimin për shpalljen e tenderit” thekson Shalsi.
Ai ka theksuar më the se argumentat që ka parashtruar bashkia disa ditë më parë, në përgjigje të prezantimit tim mbi sistemin GIS, ishin sa të pasakta, aq edhe disinformuese.
“Do të mjaftonte vetëm një shikim i shpejtë i portalit të GIS-it për të parë se sa është sipërfaqja e përditësuar, që mbulon GIS-i që ju e keni në Bashki, e jo më pastaj t`i hidhej një sy raportit të përgatitur nga kompania e kontraktuar "IntaSpaceTurk", për të kuptuar se zona e mbulimit nuk ishte aspak ajo që deklaroi zëvendëskryetarja. E për të vazhduar më tej me pseudo-argumentin e një kontrate 200.000 eurosh me GTZ-në për sistemin GIS, që mund të gjëndet vetëm në imagjinatën e deklarueses, pasi nuk ka asnjë kontratë që të përmbajë një vlerë të tillë për këtë qëllim dhe për të cilën mund të konsultoheni edhe me GTZ-në. Pa folur më tej, për blerjen e licencave që citoni në deklaratë dhe për të cilat na paska qenë parashikuar, sipas jush, 7 deri në 10 mijë USD për person apo per shumën totale krejtësisht të pabazuar dhe të gënjeshtërt të 600 mijë USD që na paska kushtuar sistemi GIS!!! Për gjithçka është bërë ekzistojnë kontrata, të cilat ju ftoj ti lexoni personalisht. Janë aty dhe lehtësisht të verifikueshme” shton ai.
Në fund të letrës së tij, Shalsi kërkon anullimin sa më pare të tenderit të shpallur për blerjen e sistemit GIS dhe të rishqyrtohet edhe një herë specifikimet teknike të tenderit, në mënyrë që të arrihet në një produkt, i cili të plotësojë sa më mirë nevojat e kohës, gjithmonë duke marr në konsideratë mundin dhe paratë e shpenzuara në të kaluarën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›