Shalsi, letër Gjanës: E keni shndërruar Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në aneks të qeverisë

Nje mbledhje e Komisionit te Veprimtarive Prodhuese
Pas përplasjes në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese katër ditë më parë, deputeti socialist, Eduard Shalsi, i dërgon një letër të hapur kryetarit Jemin Gjana, përmes të cilës kërkon që komisioni në fjalë të mos shndërrohet në një instrument të qeverisë, por ti garantojë opozitës të drejtën për të ushtruar detyrimet e veta parlamentare.
Letra e deputetit Shalsi
Fillimisht në pozicionin të një anëtari të komisionit, e më pas në atë të nënkryetarit, kam vërejtur, jo pa keqardhje, se puna e këtij komisioni dhe roli i tij janë larg standardeve dhe përgjegjësive që ne, si të zgjedhur, kemi në ushtrimin e detyrimeve përpara atyre që na kanë votuar.
Duke menduar se gjërat do të përmirësoheshin me kalimin e kohës, qoftë në thelb, qoftë në aspektin etik të komunikimit, kam pritur prej jush një reflektim serioz, që do të përmirësonte punën në drejtimin e këtij komisionin te rëndësishëm, gjë që, jo vetëm nuk ka ndodhur por, fatkeqësisht është përkeqësuar ndjeshëm me kalimin e kohës, duke kulmuar me mbledhjet gjatë diskutimeve për ligjin mbi Albpetrolin dhe raportimin e Autoritetit Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe sidomos në mbledhjen e fundit.
Do të mjaftonte një shikim i shpejtë i procesverbaleve të mbledhjeve, për të kuptuar lehtësisht nivelin e ulët në të cilin ka rënë puna e këtij komisioni, që ju kërkoni dhe e keni shndërruar në një aneks të qeverisë. Ndërkohë që, sipas standardeve me të mira të vendeve të zhvilluara të BE-së, të cilave do të doja tu referohesha, detyra e këtij komisioni parlamentar është, ndër të tjera, të kërkojë informacion të plotë për propozimet që sjell qeveria si dhe të monitorojë, kontrollojë dhe kërkojë llogari në punën e ekzekutivit.
Është bërë tashmë e papranueshme që pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve të opozitës ti përgjigjeni ju dhe jo njerëzit përgjegjës të cilëve ne u jemi drejtuar. Dhe u referohem disa rasteve ku ndër më flagrantët është ai i në lidhje me privatizimin e Albpetrolit. Ministria e Ekonomisë, megjithë premtimin e përfaqësuesit të saj se do ti jepte me shkrim, regjistruar ky edhe në procesverbal, nuk iu përgjigj kurrë pyetjeve që ne i adresuam.
E në këtë rast nuk mund të lë pa përmendur sjelljen tuaj, e cila, ne vend që ti shërbente moderimit të diskutimit në komision, thjesht sa nxiti përfaqësuesit e ministrisë të neglizhonin dhe anashkalonin kërkesat tona.
Gjithashtu, i konsideroj aspak normale ndërhyrjet tuaja penguese dhe gjoja shpjeguese gjatë kohës që në kërkonim nga titullari i AKEP-it tu përgjigjej disa pyetjeve per funksionimin e sektorit edhe në lidhje me një raport monitorimi shqetësues që një kompani (Cullen International) e përzgjedhur nga Komisioni Europian kishte bërë për Shqipërinë.
Nuk mendoj se komisioni duhet të shndërrohet në një instrument të qeverisë, me gjithë përkatësinë tuaj partiake. Përkundrazi, mendoj se, përpara se të jemi besnikë partie, duhet të jemi besnike të atyre qe na kanë zgjedhur dhe na kanë mandatuar për të kërkuar llogari, si dhe për të ushtruar kontroll mbi ekzekutivin.
E kuptoj pozicionin tuaj të vështirë, në të cilin gjendeni shpeshherë, për të mbështetur propozime të qeverisë edhe kur për to mungojnë transparenca apo argumentet, por e kam të pamundur, në të njëjtën kohë, të pranoj se një gjë të tillë mund ta bëni duke mos lejuar opozitën të ushtrojë të drejtat dhe detyrimet e veta parlamentare.
Opozita është një komponente sa e nevojshme, aq edhe e domosdoshme në demokraci, dhe deputetët e saj, ashtu sikundër dhe ata të maxhorancës, duhet të kenë të njëjtën mundësi në informacion për të përmbushur misionin e tyre, ndaj dhe çdo pengesë do të cenonte rëndë parimet e demokracisë.
Do të ishte e papranueshme që në cilësinë e kryetarit të komisionit të mos krijonit të gjitha mundësitë, për çdo deputet të opozitës që të informohej siç duhej mbi gjithçka kërkon në lidhje me vendimet që duhet të marrë.
Jam i bindur se anshmëria e skajshme në drejtimin e komisionit do të sillte pasoja të cilat do të dëmtonin rëndë jo vetëm rolin dhe efikasitetin e punës tonë dhe atë të Parlamentit në tërësi, por që do të cenonin dhe rrezikonin seriozisht edhe plotësimin e kriterit të Komisionit Europian për një funksionim siç duhet të Parlamentit.
Kemi qenë dhe mbetemi thellësisht të angazhuar për një rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm dhe është në bindjen tonë se në demokraci, jeta politike dhe parlamentare pasurohet në sajë të pikëpamjeve të ndryshme, të cilat janë vazhdimisht nën vëzhgimin dhë gjykimin e opinionit publik.
Qëndrimet dhe sjelljet e mia në asnjë rast nuk janë udhëhequr nga motive të tjera përveçse të mbrojtjes dhe përfaqësimit të interesave të larta të atyre që na kanë votuar dhe për të cilat nuk do të rresht kurrë së përpjekuri dhe luftuari.
Për gjithçka shpreha më sipër jam dhe mbetem, si gjithmonë, i hapur, i gatshëm dhe i vendosur për të diskutuar, gjetur dhe vendosur bashkërisht zgjidhje, të cilat ti shërbejnë qëllimit për të cilin jemi zgjedhur dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë”.