E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizata mafioze e shqiptarëve kontrollonte 30 shtëpi publike në Athinë

Shtëpi publike, foto arkivi

Skandali me shtëpitë publike të paligjshme dhe me femrat e punësuara në to, të cilat janë të infektuara nga virusi HIV, duke vënë në rrezik edhe jetën e klientëve të tyre, është në qendër të vëmendjes në Athinë. Nga hetimet të mëtejshme në këtë çështje janë përfshirë edhe shqiptarët.

Nga kontrollet e njëpasnjëshme të policisë, del se të paktën 30 shtëpi publike në qendër të Athinës kontrolloheshin nga mafia shqiptare.

Gazeta greke Kathimerini zbulon një pjesë të raportit policor, ku anëtarë të këtij grupi shqiptarësh kërcënonin pronaret e shtëpive publike:

Do të bësh çfarë të themi ne, do të na paguash ne dhe rojet dhe nuk na interesojnë shpenzimet e tua. Po të lë një ditë ta mendosh, ishin fjalët kërcënuese të një shqiptari 44-vjeçar me inicialet K.L ndaj një pronareje të një shtëpie publike.

Sipas të dhënave që mblodhën në rajonin e policisë Omonia, gjatë 7 viteve të fundit, ky grup shqiptarësh nën kërcënime ushtronte kontroll në 30 shtëpi publike, duke kërkuar prej secilës 60 euro në ditë, pra 1.800 euro në ditë nga të gjitha. Xhiroja vjetore e tyre ishte 600.000 euro, citon gazeta.

Si truri i bandës, gazeta thotë se është një 49-vjeçar, i cili kishte një kafene, me të cilën justifikonte pastrimin e parave.

Gjithçka filloi në shkurt 2011, kur pronarja e shtëpisë publike mori një telefonatë nga një person i prezantuar si Andrea, i cili i kërkoi 60 euro çdo ditë për mbrojtje dhe e kërcënoi se nëse kundërshtonte, atëherë do tju vras dhe do tju vë zjarrin.

Në 27 shkurt 2011, dita kur kjo shtëpi publike filloi të funksiononte 6 persona u shfaqën dhe i kërkuan gruas që punonte si ndihmëse e personelit, ta mbyllte këtë biznes, pasi siç thanë ata, kishin disa hesape me pronaren e shtëpisë. Ditën tjetër, meqenëse nuk morën shumën që kërkonin, dy veta hynë brenda, i lyen dyshekët me benzinë dhe i vunë zjarrin.

Pronarja e kësaj shtëpie publike bëri denoncim në polici, duke thënë se pas kësaj bande fshihet një person me emrin Andrea. Pas hetimeve të bëra, policët u përpoqën të vinin në kontakt edhe me pronarë të tjerë shtëpish publike, por panë se ata ishin të frikësuar dhe nuk guxonin të flisnin, citon gazeta. Por në mënyrë jozyrtare qarkullonin fjalët se pas këtyre kërcënimeve fshihej një organizatë mafioze dhe truprojat shqiptarë që ofronin mbrojtje, njiheshin si anëtarë të Adus Mamuta, organizata e tyre e quajtur kështu si bashkim inicialesh emrash të krerëve të saj.

Shqiptarët janë të dhunshëm, kemi frikë pas nuk llogarisin asgjë, thonë pronaret e shtëpive publike, duke shtuar se kur dalim për punë, duam të mbyllim patjetër dy me tre takime, me qëllim që të nxjerrim shpenzimet e shqiptarëve. /albobserver/

Përgatiti: E.L

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›