E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi në Laprakë: Rrëzimi i buzhetit pengoi punën

Duke e konsideruar Laprakën si kurbanin e rrëzimit të buxhetit,Shalsi u ka bërë apel Partive që kundërshtuan,të heqin dorë nga politika mbi nevojat e qytetarëve."Lapraka do të ishte transformuar totalisht në rast se Buxheti do të ishte miratuar"-tha Shalsi. 

TIRANË - Nënkryetari i Bashkise së Tiranës, Eduart Shalsi ka vijuar edhe në ditën e sotme thirrjet drejtuar Berishës dhe Metës që të heqin dorë nga interesat personale të vendosura mbi ato qytetare, duke votuar kundër buxhetin e Tiranës.
Shalsi ka qenë sot në Laprakë ku projekti për rindertimin e kësaj zone u pezullua për shkak te rrezimit të buxhetit të Bashkisë.
Nënkryetari i Bashkisë ka thënë në një prononcim për mediat se Lapraka do të ishte transformuar totalisht në rast se Buxheti i bashkisë do të ishte miratuar.
“As fëmijët e të moshuarit e Laprakës nuk i kanë shpëtuar goditjes aspak të përgjegjshme të LSI-së dhe PD-së, që kundërshtuan miratimin e buxhetit të Bashkisë, duke i mohuar këtij komuniteti trotuaret dhe lulishtet që do të plotësonin dhe do të mbyllnin projektin tonë për transformimin e kësaj zone"- ka thënë Shalsi për gazetarët.
Duke e konsideruar Laprakën si kurbanin e rrëzimit të buxhetit, Shalsi u ka bërë apel Partive që kundërshtuan buxhetin e Bashkisë, të heqin dorë nga politika e vendosur mbi nevojat e qytetarëve.
Buxheti i Bashkisë së Tiranës u hodh poshtë disa ditë më parë për shkak të votave kundër, nga ana e antarëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për integrim.

(e.n/ Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›