E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, pallati me 21 familje rrezikon shembjen, grup specialistësh nga bashkia

>Një pallat në qytetin e Fierit ka pësuar plasaritje të mëdha duke rrezikuar kështu shembjen nga momenti në moment. Sipas banorëve, këta të fundit janë të vendosur në lagjen Apollonia prej shumë vitesh dhe kësisoj nuk kanë pasur problem me ndërtesën e tyre.I vetmi problem, banorëve u është shfaqur tre vitet e fundit. Janë ndërtimet e bëra aty pranë që kanë sjellë problem dhe erozion të tokës së pallatit. Banorët disa herë kanë kërkuar ndihmë, por mesa duket asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje pozitive. Ndërkaq, objekti ku jetojnë 21 familje në një pallat pesëkatësh në këtë lagje po rrënohet përditë e më tepër duke rrezikuar kështu jetën e 100 personave. Jemi në rrezik. Kur do të na ndihmojnë, kur të shembet pallati. Kemi shkuar në shumë dyer dhe na i kanë mbyllur. Kush mund të na japë zgjidhje nuk e dimë. Do na ndodhë si më pallatin e Gjirokastrës, shprehen banorët, të cilët çdo ditë enden në dyert të institucioneve për të kërkuar ndihmë. Ky shqetësim është bërë prezent edhe në Zyrën e Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe këta të fundit pritet të ngrenë një grup me specialistë, i cili do të verifikojë të gjitha rrethanat si dhe kushtet e sigurisë teknike në hyrjet e pallatit. Ndërkaq këtë problem të mprehtë e njeh edhe prefekti i Fieritm, Shahin Bejdaj, i cili tregon se do të ndërhyjë me të gjitha mënyrat për të bërë diçka në lidhje me problemin e banorëve. Bejdaj ka deklaraur se në raste ndërtimesh të gjithë ata që ndërhyjnë do të kenë përgjegjësi ligjore, pasi duhet që patjetër të respektohen disa rregulla me parametra teknikë që në këtë rast mund të mos ketë ndodhur. Më tej Bejdaj deklaron se do të jetë në pritje të një relacioni të saktë. E njoh problemin e banorëve të pallatit që rrezikon shembjen dhe kam marrë takim me një përfaqësi të komunitetit që jeton aty. Sipas informacionit që unë kam, ky pallat ka probleme serioze, të cilat mund të kenë ndodhur edhe për shkak të ndërtimit të bërë pranë tij, pa respektuar parametrat teknikë dhe distancat përkatëse. Do të krijohet menjëherë një komisioni i posaçëm me specialistë për të verifikuar gjendjen e për të nxjerrë një relacion shumë të saktë lidhur me shkaqet e çarjes së këtij pallati", është shprehur Bejdaj, sipas të cilit nëse pas verifikimeve që do të bëhen dhe nxjerrjes së raportit përkatës do të vërtetohet se përgjegjëse për këtë çarje është firma ndërtuese, atëherë kjo e fundit do të marrë edhe masat përkatëse. "Nëse vërtetohet se është firma ndërtuese shkaktare e gjendjes së krijuar, atëherë unë dhe institucioni që drejtoj do ta detyrojë firmën, duke përdorur gjithë mekanizmat ligjorë, që të marrë masa të menjëhershme për të shmangur katastrofa si ajo e Gjirokastrës. Do të verifikohen gjithë kushtet dhe largësitë që janë bërë ndërtimet në këtë zonë, e nëse janë shkelur rregullat atëherë do të ketë masa ndëshkuese edhe për zyrat që janë marrë me këtë projekt, ka vijuar Bejdaj. Banorët, më tepër i tremben shembjes së pallatit natën, pasi edhe lëvizjet në godinë janë më të pakta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›