E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Ashures, bektashinjtë në festë

Qindra besimtarë bektashianë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë kremtuan dje Ditën e Ashures, që festohet në ditën e 11-të të muajit Muharrem, sipas kalendarit hënor. Ajo përkujton zinë e 72 dëshmorëve të Qerbelasë. Dita e Ashures, së bashku me festën e Sulltan Nevruzit, cilësohen si dy nga ditët më të rëndësishme të besimit bektashian. Me rastin e kësaj dite, kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Reshat Bardhi, mëngjesin e djeshëm dërgoi lutjet e tij për të gjithë besimtarët kudo që janë. "O Zot i madh pranoi këto lutje, për nderimet që treguan dëshmorët e Qerbelasë, bekoi të gjithë njerëzit e mirë dhe të urtë që me metodat e tyre punojnë dhe sakrifikojnë për shoqërinë e tyre dhe ndjekin rrugën e përsosjes për t‘u afruar te Zoti i madhërishëm", u shpreh ai. Një mesazh të veçantë Baba Reshat Bardhi u dërgoi të rinjve shqiptarë, me urimin "që të gjithë të rinjtë që jetojnë jashtë vendit të kthehen në tokën e tyre, të punojnë dhe të kontribuojnë në mirësi dhe përparim". Kryeministri Sali Berisha ka uruar dje besimtarët bektashinj në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë. "Uroj të gjithë bektashinjtë shqiptarë, të gjithë besimtarët shqiptarë, në këtë ditë të bardhë, ditë të madhe, ditë të shenjtë, siç është Dita e Ashures. Ju uroj këtë ditë bektashinjve, të cilët, pas besimit te Zoti, virtytin më të madh kanë shpirtmadhësinë e tyre, tolerancën, mirëkuptimin dhe frymën e pafundme njerëzore. Le të jetë kjo ditë dhe ky vit, viti më i mirë për bektashinjtë shqiptarë dhe për të gjithë shqiptarët", u shpreh Kryeministri në urimin e tij. Urime në këtë ditë të shënuar për besimtarët bektashinj ka bërë edhe kryetari i PSSH-së, Edi Rama.

Menjëherë pas 10 ditëve të Matemit (agjërimi bektashian), në përkujtim të dëshmorëve të Qerbelasë, në krye me nipin e profetit Muhamed të madhin Imam Hysen, një natë përpara përgatitet ëmbëlsira e ashures, me grurë dhe fruta të ndryshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›