E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shanset e një amnistie fiskale

Analizë

Amnistia përfaqëson faljen me mesazhin që na përcjell. Amnistia shpallet kur bashkëpunimi i tatimpaguesve me administratën është në nivele të ulëta dhe korrupsioni është bërë një “sëmundje” kërcënuese për shoqërinë dhe vendin. Në marrjen e vendimit për të deklaruar amnistinë duhet përcaktuar saktësisht se çfarë problemesh ka sistemi fiskal në gjendjen e tij aktuale. Nëse këto probleme nuk janë ekzaminuar saktësisht, atëherë amnistia mund të sjellë më shumë efekte negative sesa të mirat që priten nga ajo. Tatimpaguesit do ta shikojnë se këto probleme nuk janë prezantuar dhe si rrjedhojë do të mbajnë shpresën se një tjetër amnisti do të merret me to.Vende të ndryshme e kanë shpallur amnistinë kur kanë konstatuar se:- evazioni fiskal është rritur ndjeshëm- ekonomia “e zezë” po konkurron pjesën tjetër të ekonomisë- qarkullimi monetar kryesisht lëviz në ekonominë “e zezë”- korrupsioni politik është bërë i rrezikshëm për ekonominë formale, duke u kthyer në mbrojtje politike të kundravajtësve dhe evazionistëve fiskalë- niveli i tarifave fiskale është i lartë- sistemi fiskal konstatohet të mos jetë neutral- kultura tatimore është në nivele të ulëta- burimet njerëzore për auditim janë joefektive - objektivat strategjike të shpallura nuk janë arritur
Natyrshëm që ka dhe faktorë të tjerë, të cilët janë prezent, si pjesë e specifikave dhe zhvillimeve ekonomiko-shoqërore të vendit.
Pika orientuese, nga ku amnistia fiskale mund të merret në konsideratë, do të ishin të ardhurat e rezidentëve dhe jorezidentëve, apo përfitimet nga burime të padeklaruara të ardhurash të qarkulluara në investime:- të pajisjeve teknologjike e transportit- ndërtimore e prodhuese- financiare
Mund të përmend ndërtimet e shumëllojshme në zonat rurale dhe periferitë e qyteteve e më gjerë, apo shitblerjet e tokave dhe trojeve të ndryshme në tregun shqiptar. Për rastet e të ardhurave të individëve rezidentë të përfituara jashtë Shqipërisë do të ishte një aspekt tjetër ku amnistia mund ta fokusonte në programin e saj.
Dhënia e të drejtës qytetarëve të saj, që të deklaronin asetet e paligjëruara, ka qenë element me rëndësi për rezultatin e amnistive në Indi dhe Kolumbi. Deklarimi i aseteve nxiti taksapaguesit në këto vende të bëhen shumë të interesuar për t’ju përgjigjur thirrjes së amnistisë.
Amnistia fiskale inkurajon derdhjet vullnetare të asaj pjese tatimpaguesish, që nuk kanë paguar apo kanë qenë të paidentifikuar nga administrata fiskale për t’i llogaritur taksat që u përkasin. Ky do të ishte për ta momenti kur u hapet “porta” për të hyrë në zonën e ligjshme të ekonomisë, si një mundësi e rrallë dhe e papërsëritshme në të ardhmen. Kjo nxitje bëhet efektive kur të kuptojnë nëpërmjet fushatës publicitare që bëhet me këtë okazion, se forca e ligjit për ta do të jetë e pamëshirshme, në rast se ata do të ngeleshin jashtë “portës” së hapur përkohësisht.
A funksionojnë amnistitë fiskale në vendin tonë?
Në fakt, çdo qeveri mund të jepte përgjigjet e veta të veçanta, por e përbashkëta është se një amnisti ka përfitime për buxhetin, sepse ajo:• Ka një efekt të rritjes së të ardhurave buxhetore të shpejtë dhe të menjëhershëm• Ul koston administrative të mbledhjes së tyre• Prezanton ndryshimin e imazhit të një administrimi “të butë” fiskal, në atë që ligji do të jetë shumë i ashpër me cilindo kundravajtës të ardhshëm• Përmirëson sjelljen e taksapaguesve pas amnistisë nisur nga pasojat që vijnë nga mosderdhja e mosdeklarimi, e shoqëruar kjo dhe me një paketë masash shtrënguese autoritare• Individët marrin pjesë nëse amnistia shoqërohet me rritje të masave shtrënguese. Individi do të marrë pjesë vetëm atëherë kur ai beson që kontrollet dhe shumat e gjobave do të rriten dhe do të merren masa të forta ndaj evazionit shumëformësh, duke besuar se kjo është e vetmja mundësi për ta
Shembuj? Dakord, po i prezantoj…
Në shtator 2001, qeveria italiane miratoi vendimin për fillimin e programit për riatdhesimin e kapitaleve jashtë vendit, si dhe të aseteve të individëve rezidentë italianë. Ky vendim kishte objektiv riatdhesimin dhe legalizimin në Itali të vlerave të aseteve që ndodheshin jashtë.Sipas programit, kërkohej prej individëve një pagesë e barabartë me 2.5% të vlerës së deklaruar të asetit dhe në këmbim të pagesës prej 2.5%, shteti do t’i jepte në bono thesari sa 12% e totalit të vlerës së asetit të deklaruar. Individi duhej të plotësonte gjithashtu një deklaratë të veçantë konfidenciale dhe ta dorëzonte në një bankë italiane apo ndërmjetëse, duke legalizuar në mënyrë përfundimtare për autoritetet fiskale asetin individual. Kjo amnisti pati jetë nga nëntori 2001, deri në maj 2002, pra 7 muaj.
Rezultati?
Ai pati efekte disa miliardëshe për buxhetin, duke legalizuar në këtë mënyrë dhe shumë asete të individëve dhe nxiti vullnetarizmin në deklarim nëpërmjet mënyrave të qarta dhe praktike ligjore. Në qershor 2003, qeveria federale gjermane propozoi një draft ligjor, i cili u ofronte tatimpaguesve një “urë drejt pastërtisë tatimore”. Oferta për të kaluar në këtë “urë” do të kishte disa kushte:- tatimpaguesit duhet të deklaronin gjatë vitit 2004 shumën totale të të gjithë të ardhurave, objekt i tatimit. Këto të ardhura do të përfshinin një periudhë mosdeklarimesh të mundshme nga viti 1992 deri në vitin 2002 - tatimpaguesit duhet të paguanin brenda 10 ditëve pas deklarimit të bërë një shumë të barabartë me 25% të shumës së deklaruar
Nëse shuma e deklaruar do të ishte pas mbarimit të afatit zyrtar, shuma për t’u paguar do të ishte e barabartë me 35% të të ardhurave të deklaruara. Nëse kjo e ardhur kishte lidhje me një formë të evazionit tatimor, shuma për t’u paguar do të ishte sa 60% e të ardhurave bruto të pa raportuara dhe 60% të të gjithë shpenzimeve, të cilat janë zbritur si shpenzime të zbritshme nga të ardhurat e tatueshme. Rregulla të ngjashme u vendosën dhe për raste evazioni në TVSH dhe tatimin mbi pasurinë.
Për sa i përket debatit të një amnistie “gjigande” fiskale, ai është i vakët dhe i papërkrahur nga ndonjëra palë e politikës apo nga pjesa intelektuale e shoqërisë civile. Ndoshta vetë shoqëria civile nuk është e gatshme apo e përgatitur të pranojë një “pastrim llogarish”. Amnistia fiskale është edhe një “autokritikë” e administratës, duke e pranuar se mund të jenë bërë edhe gabime të politikave fiskale në të kaluarën, por tani është një vullnet politik i vendosur që të bëjë korrigjime. Reformat fiskale, që zakonisht janë shoqëruese të amnistisë fiskale, janë sinjale treguese të kësaj rruge të nisur nga ana e qeverisë. Kjo lidhet dhe me vetë atmosferën politike për të përmirësuar aspektet e papëlqyera të jetës politike e sociale në vend. Qeveria ka shansin të tregojë se kërkon të fitojë besimin e tatimpaguesve, se jeta e tyre po shkon drejt barasvlerësimit të vlerave të kulturës fiskale europiane.
Amnistia fiskale është gjithashtu dhe një instrument politik në rishpërndarjen e barrës fiskale në mënyrë të barabartë.
Por, mendoj se duhet kujdes me faktin, të mos ndihen të pakënaqur tatimpaguesit e rregullt. Këta tatimpagues, që kanë mbajtur pjesën më të rëndë të barrës fiskale edhe për pjesëtarët e jetës ekonomike informale, duke përfituar shërbime nga shteti po aq sa dhe ata që nuk e kanë ndjerë këtë barrë, duhet të ndihen më të stimuluar nga shteti. Por, në fakt stimulimin e marrin ata që nëpërmjet faljes hyjnë në sistemin formal me çmim të ulët. Në rast të mosmarrjes së masave të forta shtrënguese, amnistia vë në rrezik autoritetin e administratës fiskale dhe qeverisë.
Pra, Amnisti, kujdes të mos dhunosh barazinë!

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›