Pakti i ujërave, Berisha: Gati ta rinegociojmë
Debati
Kryeministri thotë se gjithsesi, ligji i detit u zbatua me korrektësi. Meta: Shpreha keqardhje
Marrëveshja për kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë do të rinegociohet, ndërsa mazhoranca do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Qeveria shqiptare ka dhënë sqarimet e duhura te shteti fqinj lidhur me vendimin e gjykatës që pezullon gjithçka u arrit disa muaj më parë. Kryeministri Sali Berisha komentoi dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e këtij vendimi dhe autorizimin e grupit të punës për të ribërë marrëveshjen. “Në bindjen time, ligji i detit është zbatuar me korrektesën më të madhe, por provohet për së dyti vërtetësia e asaj që Gjykata ka vendosur. Pra, zbatimi i vendimit të Gjykatës, e theksoj të pëlqen apo jo, nuk diskutohet. Ai do të zbatohet. Edhe marrëveshja me Greqinë do të ecë përpara. Përcaktimi i kufirit shtetëror me vendin fqinj, mik, vend anëtar i NATO-s është shumë i rëndësishëm. Ne do të vazhdojmë edhe me vende të tjera, në qoftë se kemi probleme dhe do t’i zgjidhim ato në përputhje me konventat ndërkombëtare, me ligjet më të mira që ekzistojnë”, tha ai. Ndërkohë që gjatë vizitës së tij në Londër, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka zhvilluar për të njëjtën çështje një bisedë me ministrin plotësues grek të Punëve të Jashtme, Dimitris Droutsas, ku Meta pranoi se kishin shkëmbyer mendime për ecurinë e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në një intervistë për BBC në shqip, Meta konfirmoi se vendimi nuk prek marrëdhëniet mes dy vendeve. “Absolutisht që vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të cenojë aspak perspektivën dhe të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, të cilat absolutisht që do të tregojnë një vullnet edhe më të madh për të ecur përpara, pasi janë marrëdhënie të gjithanshme në të gjitha fushat, në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, ashtu sikurse jam i bindur që të gjitha çështjet që janë të mbartura dhe ende të pazgjidhura do të zgjidhen duke respektuar institucionet e të dyja vendeve dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me perspektivën europiane, sidomos të Shqipërisë, e cila ende ka një rrugë për të bërë për t’u anëtarësuar në BE”, theksoi Meta. Ai vuri në dukje se të dyja palët shprehën keqardhjen jo thjesht për vendimin, por në përgjithësi për instrumentalizimin në politikë të kësaj çështjeje për qëllime krejtësisht të ngushta politike. Sakaq, Meta i dha përgjigje një prej debateve që ekziston sot, atë që Shqipëria lëshon pe ndaj Greqisë nga frika e një vetoje që kjo e fundit mund të vërë për të vonuar integrimin e Shqipërisë në BE. “Absolutisht, mendoj që zgjidhja e këtyre çështjeve, zgjidhja e çështjeve të kufijve në tërësi, për vendet që ende nuk i kanë zgjidhur ato dhe që synojnë të anëtarësohen në BE, është një avantazh më shumë për të ecur më të sigurt në këtë rrugë, por absolutisht që të gjithë ata që pretendojnë apo që nxisin thashetheme të tilla, do të thosha absolutisht që do të ngelin të zhgënjyer”, u shpreh Meta. Sipas tij, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë do të forcohen më tej. është një interes i dy popujve tanë, thjesht i dy qeverive, të cilat absolutisht që kanë përgjegjësinë për t’u ngritur mbi çdo episod të pakëndshëm”, deklaroi ai.
#