Shaqiri, i lumtur në Basel

Xherdan Shaqiri insiston se është i lumtur në Basel dhe se dëshiron ta fitojë titullin e kampionit në Zvicër këtë sezon. 19 vjeçari është njëri prej talenteve më të mëdhenj në Evropë, ndërsa muajin e kaluar realizoi tri gola kundër Bullgarisë në fitoren 3-1 të Zvicrës në shtëpi, në kualifikimet për Euro 2012.
Së fundmi flitet se ai mund të largohet nga Baseli te klube si Roma e Fiorentina, që kanë shfaqur interesim, por Shaqiri thotë se për momentin dëshiron të vazhdojë me kampionin zviceran.
“Nuk e di”, i ka thënë ai ueb faqes Goal.com, kur u pyet nëse do të dëshironte t’i bashkohej ndonjë klubi më të madh evropian. “Unë momentalisht jam në Basel dhe dëshiroj ta fitoj titullin e kampionit me këtë ekip. Po ashtu po luaj në Ligën e Kampionëve me Baselin. Nuk e di se çka do të ndodhë më vonë, por për momentin jam në Basel dhe kjo është e mirë për mua”, theksoi futbollisti gjilanas.
Shaqiri po ashtu nënvizoi se është i vendosur ta arrijë fazën eliminuese të Ligës së Kampionëve këtë sezon. Ekipi i Thorsten Fink aktualisht gjendet në pozitën e parë të Grupit C me 4 pikë pas 2 ndeshjesh së bashku me Benficën, ndërsa gjiganti anglez Manchester United është i treti me 2 pikë. “Jemi në krye të grupit, ku gjendet edhe Manchester United. Dëshirojmë të kalojmë në fazën tjetër”, shtoi Shaqiri.
Ai foli pas humbjes së Zvicrës me rezultat 2:0 nga Uellsi në Liberty Stadium të Swanseas, në ndeshjen e parafundit të kualifikimeve për Euro 2012. Humbja e së premtes mbrëma e sheh ekipin e Ottmar Hitzfeldit jashtë barazhit, pasi që Mali i Zi barazoi me Anglinë 2:2, për ta rezervuar pozitën e dytë në grup.
“Nuk jam i kënaqur me paraqitjen tonë, me ç’rast edhe humbëm. Kartoni i kuq i Zieglerit e ndryshoi lojën. Pas këtij rasti nuk luajtëm futboll siç dimë dhe në fund humbëm”, përfundoi Shaqiri.