E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faruk Sejdini: Dinamon e duan për skrap

/* */

Dash FRASHËRI - Për herë të parë në historinë e saj 61 vjeçare, Dinamo është në kuotën -2 pikë. Kjo për shkak të një penalizimi nga FIFA, për shkak të mos pagimit të disa rrogave ndaj futbollistit kroat Dario Bodrusiç.

Sipas asaj që ka kërkuar FIFA, nëse presidenca blu nuk e paguan lojtarin, atëhëre penalizimi -3 pikë konvertohet në -6 pikë, çka mund të rezultonte fatale për 18 herë kampionët, në një prej sezoneve më të vështira të tyre.

 “Tani po, që jemi si nëndetësja 105,- thotë me shaka per "Telegraf", por ja pa dhimbje Sejdini, i cili ka shpenzuar 14 vite si lojtar dhe 30 si trajner me Dinamon. – Por, ajo u kthye në bazë, ndërsa ne mesa dukët duhet ta na shkrijnë fare. Kuptohet, që duhet t’u bindemi vendimeve të FIFA-s”.

Zoti Sejdini, Dinamo u dënua nga FIFA me një penalizim prej -3 pikësh në renditjen e përgjithshme, për shkak të mospagimit të kroatit Dario Bodrusiç, i aktivizuar në sezonin 2009-2010. Si do ta komentonit?

Për të qenë i sinqertë, e kam marrë vesh vetëm nga media, në lidhje me këtë ndëshkim. Sigurisht, tani nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t’u nënshtrohemi rregullave dhe vendimeve të FIFA-s, institucionit më të lartë futbollistik botëror, në të cilin aderon si Federata Shqiptare e Futbollit, ashtu dhe Dinamo si pjesë e saj.

A është ky penalizim, një paralajmërim për klubet shqiptare në respektimin e kontratave me lojtarët që ato rekrutojnë, sidomos me lojtarët e huaj?
Tashmë, dihet historia e kontratave tona. Vetëm te ne ndodh, që kontratat të bëhen një faqe, apo dhe çerekfaqe. Kontrata duhet të realizohen me ndërmjetësimin e përfaqësuesve juridikë dhe brenda një standardi që plotëson kushtet e FIFA-s. Me pak fjalë, duhet të jenë të kopsitura, që të jenë të mbrojtura të dyja palët. Por, duke qenë se ne vazhdojmë me aksione në marrjen e lojtarëve, si dikur, akoma nuk jemi të civilizuar plotësisht për t’i hartuar ato konformeve standardeve ndërkombëtare. Në fakt, në një kohë kur të tjerët merren me këto “intimitete” të kontratave, çfarë duhet të them unë, që nuk me lejojnë të stërvitem në fushë, por duhet të zhvilloj stërvitje natën. Kështu, që kjo puna e kontratës më duket si një lojë. Janë 28 futbollistët që nuk kanë ku të zhvishen.

Sezonin e kaluar, Elbasani u gjobit dhe u ndëshkua me -3 pikë për moskorrektesë në pagesën e një tjetër kroati, Darko Periç. A nuk ishte ky një sinjal i mjaftueshëm?
Është një mësim për të gjithë. Është një “këmbanë” që bie për veshët e atyre që mund të dëgjojnë, për të bërë gjërat ashtu si duhen. Mua më duket, sikur i bëjmë gjërat si me telefon dylekësh në rrugë. I vendos atë kartën, telefonon me lojtarin dhe e sjell në klub. Duhet të ketë sanksione për të dy palët. Ne i mëshojmë vetëm momentit të pagesës fillestare, këstit në ditën e nënshkrimit të kontratës, më pas harrojmë se çfarë do të ndodhë më prapa.

Duket një Dinamo me shumë halle këtë sezon?
Më lejo të përdor një shprehje popullorë, ‘kur të vjen e keqja hapi derën’. Problemi nuk është te tri pikët e hequra, pasi ato edhe mund të rikuperohen gjatë rrugës, nëse do të bëhej fjalë për një përgatitje normale të skuadrës. Por, fatkeqësisht, unë e shoh shumë të zbehtë dritën jeshile, në fund të një tuneli të gjatë. Nëse asnjë klub të botës, e që i përket Kategorisë Superiore, nuk zhvishen lojtarë nëpër makina. Dinamo nuk ka pse të ketë, por ne ja krijojmë vetë artificialisht hallet.

Përse mendoni kështu?
Ende nuk e kuptoj, që pas ikjes së Partizanit, dikush kërkon të iki edhe Dinamo nga elita e futbollit shqiptar. Tirana-Partizani, Dinamo-Partizani apo Tirana-Dinamo kanë qenë nga ndeshjet më të shumëpritura në kampionat. Dikur ishin këto që i mbushnin stadiumet plot. Po sot? Vetëm një ekip kryeqyteti do të kemi? Nuk kanë dëshirë ta mbajnë për vlerat që ka, dhe kërkojnë ta shkrijnë për skrap. Nuk e di ku fshihen interesat. Gjatë 20 viteve të tranzicionit, vetëm nga dora ime mund të kenë dalë rreth 18 futbollistë të ekipit Kombëtar, përfshirë dhe kapitenin Altin Lala, i cili është i vetmi lojtar shqiptar që ka qenë kapiten i një skuadre të huaj, Hanoverit të Gjermanisë, për të paktën 4-5 vjet.

Në katër ndeshjet e para, Dinamo ka mundur të marrë vetëm një pikë dhe të pësoje tri humbje. Si e prisni takimin me Shkumbinin?

Për ne, tani të gjitha ndeshjet janë të vështira. Përderisa, peqinasit kanë kushte më të mira se ne, trajneri i tyre ka një grup më të pasur lojtarësh, ndërkohë që mua më duhet të improvizoj, atëherë vështirësia rritet.

SKEDA
Emër: Faruk Sejdini
Datëlindja: 07.02.1950, 61 vjeç
Lojtar: Dinamo (1966-1979)
Roli: Mbrojtës
Kampion si lojtar: 5 herë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977)
Fitues i Kupës: 3 herë (1971, 1974, 1978).  
Trajner: Dinamo (kampion 2001-2002), Shkumbini, Elbasani, Besa, Bylis.

Katër U-21
Dinamo ka katër lojtarë në ekipin Kombëtar U-21, të thirrur për ndeshjen me Poloninë (11 tetor): Roland Peqini, Antonio Marku, Andrea Kule dhe Eni Imami.

1 pikë
Gjatë katër ndeshjeve të para, Dinamo ka grumbulluar vetëm një pikë: barazoi 0-0 më Skënderbeun. Humbi me Apoloninë (2-0), Tomorin (2-1) dhe Pogradecin (1-0).

-2 pikë
Pas vendimit të FIFA-s për mospagesë të lojtarit kroat Dario Bodrusiç, Dinamos i janë hequr tri pikë dhe tani pas javës së katërt blutë kanë -2 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›