E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri s’duhet të largohet

Trajneri i Baselit, Thorsten Fink i ka sugjeruar futbollistit të ri kosovar Xherdan Shaqiri që të luajë të paktën edhe një vit tek ekipi aktual, në mënyrë që të zhvillohet më mirë, para transferimit tek ndonjë klub më i madh evropian.

18 vjeçari ka shpërthyer këtë sezon tek Basel, me të cilin së fundmi fitoi titullin e kampionit të Zvicrës dhe Kupën e këtij vendi. Për Shaqirin, ofertat nuk mungojnë. Ai kërkohet nga Arsenal e Tottenham në Premierligë, Borussia Dortmund në Bundesliga dhe Fiorentina nga elita e futbollit italian.

“Sezonin e ardhshëm, sigurisht Shaqiri do ta ketë një pozitë mjaft të vështirë. Duhet të shikohet nëse do të mund ta përballojë euforinë e vitit të parë. Më pas vjen edhe presioni. Për këtë, e them se ai ka nevojë minimum edhe një vit që të luajë me Basel, që të zhvillohet edhe më shumë si futbollist”, ka thënë Fink për uebfaqen zvicerane bazonline.ch.

Shaqiri është ftuar nga selektori i Zvicrës Ottmar Hitzfeld në Kampionatin Botëror Afrika e Jugut 2010.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›